1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shembja e komunizmit mbi gërmadhat e Murit të Berlinit

13 Gusht 2009

Regjisori gjerman Uli Jekle zgjodhi 15.000 tituj të fundit të viteve '80 dhe ua dha aktorëve që t'i lexonin ato nëpër sheshe të ndryshme të Berlinit.

https://p.dw.com/p/I1RV
Mbetjet e Murit i shërbejnë sot rivlerësimit të së kaluarës. Në foto: Një këmbësor ecën përgjatë pjesës së mbetur nga Muri i Berlinit
Mbetjet e Murit i shërbejnë sot rivlerësimit të së kaluarës. Në foto: Një këmbësor ecën përgjatë pjesës së mbetur nga Muri i BerlinitFotografi: AP

"Europë! Europë! Vetmi s'ka sot!” - Kështu fillonte kënga “Hapni Dritaret” e festivalit të këngës në vitin 1990, kënduar nga kuarteti Frederik dhe Juli Ndoci, Morena Reka dhe Dashnor Biku. Në Shqipëri në atë kohë sapo ishte krijuar Partia Demokratike dhe njëra nga ëndërrat e shumta të shqiptarëve, të privuar nga diktatura dhe kriza ekonomike e fundit të viteve 80-të ishte Evropa.

Por kënga u transmetua vetëm njëherë drejtpërsëdrejti në televizionin shqiptar, i cili ende ishte në dorë të qeverisë së Partisë së Punës e pastaj nuk u përsërit më kurrë.

“Hapni dritaret qe e drejtpërdrejtë. 'Hapni dritaret, sjell zërin tim, Europë' kujton Juli Ndoci, në atë kohë 20 vjeçare. “Për ne ishte me shumë rëndësi që mesazhi i këngës të ritransmetohej edhe tek njerëzit.”

Juli Ndoci e këndoi atë gjatë fundjavës në hollin e Universitetit Humboldt të Berlinit, si e ftuar speciale në të ashtuquajturën stafetë akustike me titullin “Si nëpër libra”:

Këngëtarja shqiptare Juli Ndoci në Forumin e Historisë në Berlin
Këngëtarja shqiptare Juli Ndoci në Forumin e Historisë në BerlinFotografi: DW

“Mblodhëm 60 mijë tituj librash, që flasin për periudhën e kthesës politike në Gjermani. Prej tyre zgjodhëm 15 mijë tituj, të cilat më pas i përmblodhëm në një poezi të madhe, në një stafetë akustike, ku titujt u prezantuan nga 300 aktorë berlinezë në mënyra nga më të ndryshmet, me valle, këngë, pantomima, u lexuan me megafon nëpër sheshe të ndryshme të qytetit”, shpjegon 48 – vjeçari Jekle për Deutsche Wellen.

60 orë, pra, tri netë e tri ditë, zgjati kjo performancë teatrore, në vende të ndryshme të Berlinit. Ato ishin sheshe me një rëndësi historike gjatë ose para vitit 1989. Pjesën më të madhe të tyre i zgjodhi aktori Michael Venzlav:

“Në fillim mendova se ishte ide e çmendur. Si mund të lexoheshin 60 orë tituj librash? Por doli që ishte shumë e thjeshtë”, thotë Veclav.

Stafeta akustike ishte njëri ndër aktivitetet e shumta në kuadër të një “Forumit të historisë” - Evropa ndërmjet ndarjes dhe kthesës.” Mbi 100 institucione të ndryshme organizuan në Berlin simpoziume, teatro, referate të hapura që flisnin për kthesën historike të rënies së “Perdes së hekurt” në gjithë Evropën Lindore. Fillimin e shënoi të premten fjala përshëndetëse e historianit britanik Timothi Garton Esh (Thimothy Garton Ash), ndërsa fundin një koncert i kantautorit ish-gjermanolindor Volf Birman (Biermann).

Me përfshirjen në projekt të këngëtares shqiptare Uli Jekle donte të theksonte karakterin shumëkulturor të Berlinit të sotëm, 20 vjet pas rënies së murit:

“Kush është berlinezi, ai është edhe shqiptari.Prandaj m'u duk diçka e mirë që Juli Ndoci t'i jepte një ngjyrë të vetën kësaj poeme”, i thotë ai Deutsche Welles.

Ndërsa për Juli Ndocin, e cila vetë jeton në një qytet afro 300 kilometra larg Berlinit, në Hildesheim, ishte me rëndësi t'u tregonte njerëzve se ku ndodhej Shqipëria pikërisht atëherë, kur në Berlin po shkruhej historia. Pikërisht një muaj mbasi kishte rënë Muri dhe Evropa po shijonte euforinë e bashkimit, ajo së bashku me Manjola Nallbanin dhe të vëllanë, Frederik Ndocin, ende do t'u këndonte shqiptarëve për ëndrrën e lirisë në këngën “Toka e Diellit”. Një përjetim i jashtëzakonshëm, ta këndoja atë tani në Potsdamer Platz, pikërisht aty, ku 20 vjet më parë kalonte Muri ndarës, i thotë 38 vjeçarja Deutsche Welles.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi