1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i Bankës Botërore është mjek - Portreti i Jim Yong Kim

17 Prill 2012

Në fund SHBA dhe Evropa fituan përsëri. Presidenti i ri i Bankës Botërore është si gjithmonë një amerikan. Megjithatë Jim Yong Kim është krejt ndryshe nga paraardhësit e tij.

https://p.dw.com/p/14fEc
Fotografi: picture-alliance/dpa

Jim Yong Kim u lind në vitin 1959 në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Prindërit e tij emigruan në SHBA, kur ai ishte pesë vjeç. Babai i tij ishte dentist, nëna e tij kishte doktoraturë në filozofi. Kim është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Presidenti i SHBA-së Barack Obama e emëroi papritur para tre javësh akademikun Kim për postin e shefit të Bankës Botërore. "Ka ardhur koha, që një ekspert i zhvillimit të drejtojë organizatën më të madhe të zhvillimit",  tha Obama. "Për këtë detyrë nuk është askush më i kualifikuar se dr. Jim Kim."

52 vjeçari Kim ka një titull doktori në mjekësi dhe një në antropologji. Ndërkohë ai drejton universitetin elitar Dartmouth në shtetin federal amerikan Hampshire. Por ekspert i financave Kim nuk është. Megjithatë si shef i ardhshëm i Bankës Botërore, ai do të vendosë për kredi miliardëshe për vendet e varfëra.

Pa qenë ekspert financash

Kim kundërshton kritikën, se si mjek ai nuk ka njohuri të mjaftueshme për tema të tjera të rëndësishme të zhvillimit. Zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër varfërisë janë tema aq komplekse, saqë një disiplinë e vetme nuk mjafton. "Banka botërore ka shumë ekonomë me pervojë të madhe. Unë mezi pres të punoj me ta", tha Kim në një intervistë me "New York Times".

Në punën për zhvillimin Kim është aktiv prej dekadash. "Unë gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur, të zgjidh problemet sociale në gjithë botën",  thotë Kim.

Në foto, Jim Yong Kim
Në foto, Jim Yong KimFotografi: dapd

Që kur ishte student i mjekësisë në Harvard, Kim themeloi me shokë në vitin 1987 organizatën humanitare "Partners in Health". Organizata është sot aktive në 12 vende dhe angazhohet për trajtimin mjekësor të të varfërve. Kim ndihmoi në zhvillimin e programeve të trajtimit të tuberkulozit, një sëmundjeje, që në vendet e varfëra nuk luftohej për një kohë të gjatë, sepse kurimi ishte shumë i shtrenjtë.

Kujdesi mjekësor për të varfërit

"Partners in Health" ndoqi një metodë të bazuar në komunitet, përgatiti stafin lokal dhe negocioi për uljen e çmimit të ilaçeve. Sukseset fillimisht në Haiti, në mesin e viteve 1990 edhe në Peru, impresionuan edhe organizatën botërore të shëndetësisë, OBSH. Ajo mori modelin e trajtimit, ndërkohë ka programe të ngjashme në 40 vende.

Në vitin 2003 Kim e dorëzoi postin si drejtor ekzekutiv i "Partners in Health" dhe kaloi në OBSH. Atje ai ishte përgjegjës për shumë masa për luftimin e AIDS-it dhe HIV. Këtu bën pjesë edhe nisma ambicioze për të kuruar deri në fund të vitit 2005 tre milionë pacientë me AIDS. Synimi u arrit në fakt në vitin 2007, por sipas të dhënave të OBSH-së programi kontribuoi ndjeshëm në avancimin e strategjisë së kurimit të sidës në Afrikë. Deri sot kanë mundur të kurohen 12 milionë të sëmurë.

Nga viti 1993 deri 2009 Jim Yong Kim iu kthye përsëri shkencës dhe mori në universitetin e Harvardit profesurat për mjekësi, mjekësi sociale dhe të drejtat e njeriut. 2009 ai ishte i pari amerikan me origjinë aziatike, që u bë president i Dartmouth College, një univesiteti të ashtuquajtur Ivy League, që bën pjesë ndër universitetet më prestigjioze të SHBA-së.

Kritikë për vendet e industrializuara

Përvoja e Kimit me temat shëndetësore mund të jetë një tregues i parë, për mënyrën se si ai dëshiron ta organizojë punën e bankës Botërore si president. Kim në të kaluarën ka kritikuar shpesh ndihmën e shteteve të zhvilluara për vendet më të varfëra. Sipas mendimit të tij ajo është në nivel të pamjaftueshëm dhe pa objektiva konkrete. Në vitin 2002 në një fjalim para senatit amerikan ai kërkoi që të rriten shpenzimet e SHBA për luftën kundër Sidës.

Në foto, Jim Yong Kim
Në foto, Jim Yong KimFotografi: AP

Megjithatë pas emërimit të tij Jim Yong Kim donte të shmangte përshtypjen, se ai synon në rradhë të parë zgjerimin e pagesës të ndihmave. "Rritja ekonomike është e rëndësishme, për të siguruar burimet për investime në shëndetësi, arsim dhe të mira publike", tha ai në një turne në tetë vende pas emërimit të tij.

Autor: Andreas Becker / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti