1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA miraton shitjen e sistemeve Patriot në Gjermani

16 Gusht 2024

Sipas Pentagonit, shitja e 600 raketave Patriot do të kontribuojë në mbrojtjen kombëtare të Gjermanisë e atë të NATO-s në përgjithësi. Gjermania i ka dhuruar Ukrainës tre sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot që nga 2022.

https://p.dw.com/p/4jXqe
Sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot në Gjermani
Forcat e armatosura gjermane kanë nëntë sisteme të mbrojtjes ajrore PatriotFotografi: Jens Büttner/dpa/picture alliance

 

SHBA kanë miratuar shitjen e 600 raketave të mbrojtjes ajrore Patriot në Gjermani, njoftoi Pentagoni të enjten në mbrëmje.

Marrëveshja llogaritet se ka një kosto prej 5.000 miliardë dollarësh (4600 miliardë euro).

"Kjo shitje e propozuar do të mbështesë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të SHBA duke rritur sigurinë e një aleati të NATO-s, që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë," u shpreh në një deklaratë Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes e Pentagonit.

"Ajo do të mbështesë qëllimin e Gjermanisë për të përmirësuar mbrojtjen kombëtare dhe territoriale, si dhe ndërveprimin me forcat e SHBA dhe NATO-s."

Departamenti i Shtetit ka miratuar shitjen e raketave Tip PAC-3 MSE, megjithëse marrëveshjen duhet të miratojë ende Kongresi.

Çfarë përfaqëson sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot?

Sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot mund të përdoret për të luftuar avionët dhe raketat e armikut në një distancë deri në 100 kilometra (60 milje) dhe në një lartësi prej 30 kilometrash (19 milje).

Sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot në Gjermani
Fotografi: Axel Heimken/dpa/picture alliance

Kontraktori kryesor është kompania amerikane e armëve Lockheed Martin, tha Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes. Patriot ("Radari gjurmues i grupeve me faza për interceptimin në objektiv”) është një nga sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore në botë.

Gjermania dikur gjatë Luftës së Ftohtë kishte deri në 36 sisteme të tilla, por ky numër ra në vitet në vijim.

Berlini i dhuroi tre sisteme Ukrainës pas sulmit rus të shkurtit 2022. Tani, forcat gjermane të mbrojtjes kanë vetëm nëntë sisteme Patriot.

Sipas planeve të reja të mbrojtjes së NATO-s, Gjermania duhet të katërfishojë mbrojtjen e saj ajrore në mënyrë që të mbrojë infrastrukturën dhe forcat e saj të armatosura në rast tensionesh serioze apo lufte, u mësua muajin e kaluar nga një burim sigurie. Në fillim të këtij viti, disa anëtarë të NATO-s njoftuan porosi për deri në 1000 sisteme Patriot.

Sisteme Patriot kanë edhe vende të tjera evropiane si Greqia, Holanda, Polonia, Rumania, Spanja dhe Suedia.

aud (zc/dpa, AFP, Reuters)