SHBA dhe Izraeli hedhin poshtë akuzat për implikim në vrasjen e shkencëtarit bërthamor iranian
12 Janar 2012Rasti i fundi ndodhi të mërkurën (11.1.2012) në kryeqytetin iranian Teheran. Shkencëtari Mostafa Ahmadi Roshan u vra së bashku me shoferin e tij. Shkëncëtari kishte mbaruar studimet në universitetin teknik "Sharif" dhe drejtonte departamentin e tregtisë në centralin për pasurimin e uraniumit në Natans.
Sipas të dhënave zyrtare iraniane, një person me motor pati vendosur një lëndë plasëse me një magnet nën automjetin e profesorit universitar Mostafa Ahmadi-Roshan. Bomba shpërtheu gjatë rrugës për në universitetin në lindje të Teheranit.
Teherani fajëson Izraelin
Politikanë të ndryshëm iranianë akuzojnë Izraelin për vrasjen e ekspertit të energjisë bërthamore. Zëdhënësi i komisionit "Siguri dhe politikë e jashtme" në parlamentin iranian, Kazem Jalai, tha në një konferencë për shtyp se "disa atentate terroriste drejtohen nga Izraeli. Këto atentate tregojnë se informacionet e Iranit për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) u përcillen armiqve të Iranit." Jalai e akuzoi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore si bashkëfajtore në vdekjen e ekspertit bërthamor iranian. Sipas Jalait, për këtë arsye populli iranian "nuk ka më besim tek IAEA."
SHBA dhe Izraeli hedhin poshtë akuzat
SHBA-ja e hodhi poshtë akuzën e implikimit në atentatin e vrasjes së shkencëtarit bërthamor iranian Ahmadi-Roshan. Ministrja e jashtme amerikane Hillary Clinton theksoi në Uashington se i hedh poshtë kategorikisht akuzat për përfshirje të SHBA-së në dhunën në Iran. Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Tommy Vietor, plotësoi se Uashingtoni nuk ka të bëjë absolutisht me aktin. Qeveria amerikane dënoi çdo formë të dhunës.
Në Izrael një zëdhënës i ushtrisë tha në lidhje me atentatin me bombë të mërkurën kundër Ahmadi-Roshanit: "Nuk e di kush është hakmarrë ndaj shkencëtarit iranian, por me siguri që as nuk qaj për të."
Në një intervistë të transmetuar në fundjavë, ministri amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta tha: "A po përpiqet Irani të prodhojë armë bërthamore? Jo. Mirëpo, ne dimë që ata po përpiqen të arrijnë aftësi bërthamore, e kjo na shqetëson. Dhe vija jonë e kuqe ndaj Iranit është kjo: Mos prodhoni armë bërthamore." - u shpreh Panetta në televizionin Russia Today.
Autor: Elert Ajazaj (dpa, afp, rtr)
Redaktoi: E. Xhani