1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e NATO-s dhe BE-së në Ballkan

Anila Shuka14 Maj 2006

Më 1. Janar 2007 Gjermania merr në dorë kryesitë e radhës së Bashkimit Evropian dhe të Samitit të tetë vendeve më të industrializuara. Një nga pikat e agjendës së saj do të jetë edhe politika ndaj Ballkanit.

https://p.dw.com/p/Arfy
Sa mysafirë mban sofra evropiane?
Sa mysafirë mban sofra evropiane?Fotografi: AP

Referendumi në Malin e Zi, e ardhmja e Kosovës, problemi i pazgjidhur i kushtetutës në Bosnjë Hercegovinë, - janë vetëm tri nga sfidat e mëdha që duhet të përballojë këtë vit në Ballkan Bashkimi Evropian (BE) së bashku me Organizatën Mbrojtëse të Atlantikut Verior (NATO). Që këto dy organizata duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën, kjo nuk vihet në dyshim, thotë Xhefri Sajmon (Jeffrey Simon) nga Instituti për Studime Strategjike Kombëtare në Uashington. „Dy fushat kryesore që kane kontribuar në stabilizimin e Ballkanit ka qenë pikërisht procesi i zgjerimit të BE-së me anë të marrëveshjeve të asociim-stabilizimit dhe ai i NATO-s me programin “Partneritet për Paqe”. Këto procese do të vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme edhe në të ardhmen për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, sepse presioni gjatë viteve të ardhshëm me Kosovën, Malin e Zi dhe problemet e vazhdueshme në Bosnjë Hercegovinë do të vijë gjithmonë në rritje.“ Sajmon ishte një nga ekspertët e ftuar në një konferencë treditore (2.-5.5.) që Ministria e Jashtme Gjermane dhe Qendra për Studime Evropiane Marshall zhvilluan në Berlin për rolin e NATO-s dhe BE-së në Evropën Juglindore.

Kërkesa të njëjta, strategji të ndryshme

E megjithatë BE-ja dhe NATO-ja nuk kanë një strategji të përbashkët zgjerimi për Evropën Juglindore. Xhejms Pardju (James Pardew) nga qendra e NATO-s në Bruksel e quan përparim të madh bashkëpunimin e arritur deri tani ndërmjet dy organizatave, si për shembull në kuadër të misionit paqeruajtës në Maqedoni. NATO dhe BE janë organizata që kanë funksione plotësuese në rajon, thotë ai: “Vizioni ynë është i njëjtë, integrimi. NATO-ja e shikon Evropën Juglindore gjithmonë e më shumë pjesë të strukturës së saj. Edhe BE-ja po ashtu. NATO dhe BE propagandojnë në Ballkan të njëjtat vlera: demokracinë, shtetin juridik dhe zhvillimin ekonomik.“

Përveç kësaj, organizatat janë tepër të ndryshme për të përpunuar një strategji të përbashkët zgjerimi, thotë Dushan Reljiç, ekspert i Evropës Juglindore në Fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin. “BE-ja është organizatë e integrimit të thellë, një sistem, që zë shumë sfera të jetës, si ekonominë, socialen, kulturën, ndërsa NATO-ja është një instrument i politikës së sigurisë. Puna e NATO-s sa vjen e po zhvendoset në drejtim të çështjeve globale. NATO-ja nuk është instrumenti politik për të zgjidhur çështje, por një instrument ushtarako - teknik. Prandaj këto dy çështje nuk janë patjetër të lidhura me njëra tjetrën.”

Nga këndvështrimi i qeverive këto “dy çështje” janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, madje ato shihen si një proces i përbashkët: Anëtarësimi në NATO përbën një hap në drejtim të BE-së, thotë zëvendësministri shqiptar i mbrojtjes, Petrit Karabina. Kërkesat që na vijnë nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë të njëjta, prandaj edhe shoqëria dhe qeveria shqiptar i kanë bashkuar ato në një strategji, atë të integrimit në strukturat euroatlantike.“

Perspektivat e anëtarësimit si garant për paqe, – një tezë që nuk funksionon apriori në Ballkan. Dëshmi për këtë dhanë së fundi rezervat e Kroacisë për të gjetur vendndodhjen e Ante Gotovinës ose hezitimi i Beogradit për të mos e dorëzuar në Gjykatën e Hagës gjeneralin Ratko Mladiç. Për të dy këto vende vihej në rrezik perspektiva e tyre në BE. Por perëndimi nuk ka gjë tjetër në dorë për të paqësuar rajonin fqinjë, se sa të mbajë hapur dyert për integrimin e tij, është i mendimit Xhefri Sajmon. Kjo vlen edhe për Kosovën, bisedimet për statusin përfundimtar të së cilës nuk po shkojnë sipas parashikimeve. Sajmon thotë se kompromisi i dëshiruar duket se nuk do të arrihet. Ç’ndodh në një rast të tillë? Pyetja që shtron Sajmon nuk ka përgjigje: Ose zgjidhja do të caktohet me detyrim për të dyja palët, ose të shtyhet statusi i protektoratit. Kjo, do të ishte ndoshta zgjidhja më e mirë, thotë Sajmon, por shton se atë tashmë nuk e dëshiron asnjë antar i Grupit të Kontaktit.

Drejt Evropës përmes Ballkanit

Problemet e pazgjidhura në fund të vitit do të jenë jo të vogla, e një pjesë e mirë e barrës për zgjidhjen e tyre do t’i bjerë në dorë Gjermanisë. Plane konkrete ende nuk janë hartuar, por tendencat duken: Problemet zgjidhen, aty ku lindin: pra në rajon. Prandaj edhe bashkëpunimi rajonal është strumbullari i politikës evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor. Iniciativa të tilla, si ajo që filloi më 6 Prill në Bukuresht për krijimin e një hapësire të përbashkët të tregtisë së lirë, apo bashkëpunim në fushën e energjetikës, e në fusha të tjera, do të krijojnë urën ndërlidhëse të rajonit me BE-në. Qeveria gjermane e ka të qartë që politika të tilla nuk janë shumë të mirëpritura. Sekretari i shtetit Gernot Erler për këtë arsye u bën thirrje elitave politike dhe intelektuale të rajonit të bëjnë reklamë për këtë ide: “Bashkëpunimi rajonal është një rrugë pa alternativa. Ajo nuk duhet të diskriminohet, prandaj edhe elitat udhëheqëse duhet të angazhohen kundër teorive komplotiste”. Jo vetëm në aspektin politik e shoqëror, por edhe në atë ekonomik bashkëpunimi rajonal është i pashmangshëm, argumenton Erler: Kapitali i huaj joshet vetëm nga një treg i bashkuar në rajon.