1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e mazhorancës së re nënë Shqipëri

Arben Muka6 Shtator 2013

Të hënën pasdite në Tiranë hapet sesioni i ri parlamentar, ku e majta dhe e djathta kanë ndërruar rolet nga rezultati në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit.

https://p.dw.com/p/19cwI
Fotografi: AP Photo

Dy muajt e verës, pasi u bë i qartë rezultati i zgjedhjeve parlamentare për dy kampet kryesore politike, kanë kaluar më shumë si një periudhë reflektimi. Pas 8 viteve në pushtet demokratët kanë kaluar në opozitë, me një kryetar të ri, që nuk do të jetë në sallën e parlamentit. Megjithatë brenda këtyre dy muajve Lulzim Basha, tashmë si shef i opozitës, ka kaluar në një zyrë te re, në një godinë të re për PD-në, që ndodhet vetëm disa hapa larg godinës së Parlamentit. Dy partitë kryesore të koalicionit fitues, Partia Socialiste e Edi Ramës dhe aleatja Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës kanë konfiguruar zyrtarisht kabinetin e ri që prej më shumë se 4 javësh, duke zhvilluar dhe teste "mbledhjesh qeverie", si një shenjë për publikun se menjeherë pas konstituimit në parlament ekipi do të jetë gati për zbatimin e programit në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar.

Hapja e parlamentit ditën e hënë është sipari i luftës politike mes mazhorancës dhe opozitës. Në agjendë janë disa çështje, për të cilat ka pasur deklarata dhe opinione kundërthënëse: rishikimi i disa vendimeve të kohëve të fundit nga qeveria aktuale, për privatizime, koncesione etj., masat në përballimin e situatës ekonomike dhe financiare, forcimin e rendit dhe sigurisë, tejkalimin e problemeve në sektorin energjitik, qëndrimin ndaj administratës, insitucioneve të pavaruara kushtetuese, menaxhimin e territorit dhe stopimin e ndërtimeve pa leje etj.

LSI që vendos për forcën e maxhorancës

Analisti politik Agim Nezaj mendon se raportet mes maxhorancës dhe opozitës do kenë si pikë të përbashkët proceset e integrimit. E djashta pritet të bëjë një opozitë të ashpër, në veçanti në sallën e parlamentit dhe nëpërmjet medias, thotë Nezaj për DW.

Analisti politik Agim Nezaj
Analisti politik Agim NezajFotografi: DW/A. Muka

"Mendoj se kryetari i opozitës duhet të jetë pjesë e parlamentit, për të bërë një opozitë eficente, por besoj se mungesën e Lulzim Bashës në parlament do ta rikuperojë lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Diferenca mes PS-së dhe PD-së nuk është e madhe në parlament, por numri prej 16 deputetëve të LSI-së e bën diferencën të madhe në favor të maxhorances. Pra, këtë fakt duhet ta kemi parasysh, është LSI, që vendos për forcën e maxhorancës dhe për qeverisjen e vendit gjatë këtij mandati, pavarësisht se Edi Rama është kryeministër."

Për analistin Robert Goro, diferenca e madhe e numrit të deputetëve, që ka e majta në raport me të djathtën duhet të shërbejë për të patur një atmosferë tepër të moderuar në parlament. Por fatkeqësisht politika shqiptare ka treguar se dy aktorët kryesorë nuk bashkëjetojnë dot në mënyrë konstruktive, shprehet për DW Goro.

"Madje kësaj here parashikoj 'duele' tepër të ashpra midis kryeministrit të ri dhe atij në ikje, në kushtet edhe të mungesës nga salla e parlamentit të kryetarit të porsazgjedhur të opozitës. Do të jetë e natyrshme që këto 'duele mes gjeneralëve' të reflektojnë edhe tek 'ushtarët', pra tek deputetët. Sigurisht, urimi i gjithkujt do të ishte, që këto 'parashikime Kasandre' të përgënjeshtrohen, po për fat të keq ende nuk shoh ndonjë garanci për këtë dhe ndoshta duhen pritur seancat e para të parlamentit"..

Mesazhi i parë do të duhej të ishte ndërtimi

Robert Goro shikon një diferencë qëndrimesh të kryeministrit të ri, që sipas tij për disa premtime ka ndryshuar mendje pas përfundimit të zgjedhjeve.

Analisti Robert Goro
Analisti Robert GoroFotografi: DW/A. Muka

"Sjell vetëm një rast, angazhimin për krijimin e një ministrie të emigracionit, që Edi Rama e mohoi se e kishte bërë, ndërkohë që ky premtim ishte i shkruar në programin e PS në faqen zyrtare. Gjithsesi, kjo do të ishte e keqja më e vogël. Mua më shqetëson një lloj obsesioni, që kryeministri i ri ka me prishjen, shembjen, në kohën që mesazhi i parë do të duhej të ishte ndërtimi, krijimi. Megjithatë, mendoj se duhet të presim shpalljen e programit qeveritar dhe sigurisht, t'i japim një periudhë të vogël 'amnistie' qeverisë. Personalisht, mendoj se ka qenë më bindës programi për ekonominë i LSI, që normalisht do të bashkërendohet me atë të PS, me qëllim madhor mbarëvajtjen e vendit".

Sa i takon pritmërivë nga angazhimi i qeverisë së re të kryeministrit Edi Rama, Agim Nezaj, mendon se premtimet kanë qenë mbresëlënëse tek opinioni publik gjatë fushatës zgjedhore.

"E röndösishme është të mos paragjykojmë qeverinë e ardhshme. Vështirësitë për realizimin e premtimeve qëndrojne tek punësimi, shërbimi shëndetësor falas dhe në veçanti lufta kundër korrupsionit. Mundësitë janë për t'u realizuar premtimet, por varet se sa do të jete i përkushtuar kabineti i ri i Ramës, ku disa nga ministrat kanë mungesë eksperience në punën e administratës shtetërore. Ndoshta duhej një gërshetim në kabinetin e qeverisjes edhe me ndonjë përfaqësues tjetër me eksperiencë të PS-së, si Bashkim Fino dhe Pandeli Majko".