1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e eksporteve shqiptare në drejtim të tregut të BE-së

Arben Muka/ Tiranë24 Shtator 2008

Shqipëria është në konsolidim të eksportit të shërbimeve, që sjell fitime jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por paraqet interes edhe në vendet europiane

https://p.dw.com/p/FOOH
Fotografi: DW/ Cama

"Shqipëria si një vend me një rritje relativisht të shpejtë ekonomike, po tenton te përshtatet dhe me tregun e BE. Por që të zësh vendin tënd në një treg të zhvilluar si ai i BE-së, do të duhet të vësh në funksion të këtij tregu ato elementë që janë të qëndrueshëm dhe afatgjatë", kështu thotë për DW-në, eksperti i ekonomisë Gjergj Buxhuku, i cili është dhe administrator i përgjithshëm i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë. Sipas Buxhukut, duke u nisur nga vlera që ka pozicioni gjeostrategjik i vendit - një gjatësi e vijës bregdetare mbi 400 km, me porte funksionale, afërsi me dy vende të BE-së etj -atëhere ka një rëndësi të dorës së parë eksporti i shërbimeve.

"Ky lloj eksporti që ofron portet dhe infrastrukturën në tërësi është i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Ka dobi të drejtëpërdrejtë për qytetarët shqiptarë, por nga ana tjetër vihet në shërbim të mirëqënies së BE-së",

thotë Gjergj Buxhuku.

Ai vlerëson se nga autoritetet në Shqipëri është kapur ky element i rëndësishëm dhe po shpenzohen fonde të konsiderueshme për të përfunduar vepra të rëndësishme infrastrukturore. Për të hapur korridoret veri-jug dhe lindje-perëndim. Në qendër të vëmëndjes është ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën, "që do të kapë tregun e Kosovës dhe të Serbisë Jugore, për tu lidhur pastaj me autostradat e Evropës Qëndrore. Gjithashtu vlen të përmenden dhe projektet për të fuqizuar portet, si zgjerimi e modernizimin e portit të Durrësit, ndërtimi i portit të Porto Romanos, ku do të jenë depozitat e mëdha të karburantit dhë të gazit, ndërtimi i Petroliferës në funksion të importit dhe eksportit të naftës dhe gazit, projekti që pritet të finalizohet tashmë për ndërtimin e një porti të kontenjerëve (i tipit port tregëtar) në Vlorë, që kap një vlerë afër 1.7 miliard dollarë etj."

Gjithashtu administratori i përgjithshëm i Konfinndustrias Gjergj Buxhuku, rendit si eksporte të qëndrueshme "Made in Albania" dhe eksportet e burimeve natyrore të saj, kryesisht nafta dhe mineralet. Burimet natyrore gjatë vitit të kaluar ishin një lloj amortizuesi, një lloj balancuesi të krizës e vitit të kaluar, të deficitit të ekonomisë shqiptare. Psh., eksporti i mineralit të kromit, në një kohë kur çmimi në bursat ndërkombëtare ishte rritur së tepërmi, apo dhe prodhimi vendas i naftës në një kohë që çmimet e importit ndryshonin çdo periudhë të shkurtër kohore dhanë ndikim të drejtëpërdrejtë.

Në listën e eksporteve shqiptare për në tregun e BE-së janë dhe disa prej produkteve bujqësore. Por ato zënë një peshë të vogël, përderisa Shqipëria është ende një vend deficitar me prodhimet e veta nga ky sektor. Ndërkohë që nga prodhimet e përpunuara në tregun e huaj arrijnë të depërtojnë, birra, sallamet etj. Por sipas Buxhukut "këto produkte kanë nevojë për rritje të cilësisë dhe standarteve që të përballojnë tregun e zhvilluar evropian".