1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfida "Indi"

Priya Palsule-Desai24 Nëntor 2006

Firmat gjermane i drejtohen gjithnjë e më shumë nënkontinentit

https://p.dw.com/p/As6D
Tregu indian në rritje interesant për firmat gjermane
Tregu indian në rritje interesant për firmat gjermaneFotografi: Picture-alliance / dpa

Gjatë 15 viteve të fundit India është bërë ekonomia e tretë më e madhe e Azisë dhe numri dhjetë në botë. Në fillim të hapjes së tregut, nënkontinenti ishte thjesht një "punishte shtesë" për firmat perëndimore për shkak të krahut të lirë të punës. Më vonë koncernet e mëdha të degës së informatikës zbuluan inxhinierët e kualifikuar indianë. Gjermanët për një kohë të gjatë qëndruan të rezervuar dhe sytë i kishin kthyer vetëm nga Kina. Ndërkohë gjërat kanë ndryshuar dhe hyrja në tregun indian është për shumë firma gjermane e detyrueshme.

India është përfshirë nga bumi dhe me rritjen dinamike të ekonomisë së saj është një vendndodhje e rëndësishme për firmat gjermane. Kështu inovacionet e produkteve në degën e informatikës vijnë në shumicën e rasteve nga India. Clas Neumann nga filiali indian i koncernit gjerman të programeve soft SAP shpjegon përse firma e tij i kryen programimet në Bangalore:"Punonjësit indianë janë shumë të interesuar për teknologjinë dhe kur ne duam të provojmë dicka të re shkojmë në Indi."

Por kureshtja dhe forca inovative kanë ndërkohë edhe në Indi çmimin e tyre:"Tani kemi problemin që edhe 300.000 inxhinierët disponibël në tregun e punës nuk plotësojnë nevojën e Indisë për inxhinierë dhe për ne kjo do të thotë se duhet të paguajnë rroga më të larta."

Firma mund të zhvendosej në vendin fqinj më të lirë, Kinë. Neumann shpjegon përse SAP nuk e bën këtë:"Në Kinë thjesht kopjohet në masë. Në treg mund të blihen të gjitha llojet e mundshme të dokumenteve të kualifikimit. Sa i takon tregut të shitjes Kina është qartë në pararojë."

Por në sfondin e një shtrese të mesme në Indi me standard jetese në rritje edhe tregjet indiane të shitjes po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi. Një shembull për këtë është transporti ajror. Që prej liberalizimit të tregut të fluturimit 12 vjet më parë edhe shoqëritë e lira janë aktive në Indi. Disa linja fluturimi ishin të plotësisht të rezervuara për muaj me rradhë. Një biznes fitimprurës për bijëzën e shoqërisë Lufthansa "Lufthansa Technik" konfirmon Johannes Bussmann përgjegjës për biznesin e kompanisë në Indi: "Ne ofrojmë mbështetje teknike për shumë shoqëri fluturimi që operojnë atje. Kryesisht për ato private si King Fisher, Jet Airways, Air Sahara etj."

Në rast të një defekti këto kompani kanë nevojë shpejt për pjesë këmbimi për të mos ndërprerë punën. Që nga disku i frenave e deri të kompjuterat e navigimit vihen në dispozicion në vend nga Lufthansa Technik e cila me livrimin e komponentëve kujdeset që avionët të jenë në gadishmëri pune: "M.q.s. në treg janë aktive gjithnjë e më shumë shoqëri fluturimi është shtuar kërkesa dhe ne kemi zgjeruar portofolin e klientëve. Nga këto zhvillime kemi marrë shkas për hapjen e një firme këtu."

Sipas Bussmann tregu indian i fluturime do të vazhdojë të përjetojë boom edhe në të ardhmen:"Sipas përllogaritjeve që unë njoh në Indi ka rreth 200 milionë shtetas të shtresës së mesme. Pra nuk ka asnjë dyshim se egziston një shtresë me fuqi blerëse të mjaftueshme për të fluturuar. Ky treg në Indi do të vazhdojë të rritet."

Por megjithë inovacionet dhe fuqinë blerëse në rritje për investuesit e huaj ka ende edhe pengesa. Bussman përmend disa prej tyre që prekin degën e tij: "Infrastruktura, aeroportet. Eshtë e vërtetë se qeveria ka nisur shumë projekte në këto drejtime por duhet kohë. Një aeroport nuk mund të ndërtohet brenda natës. Nga ana tjetër disa aeroporte në Bombei p.sh. janë edhe gjeografikisht të kufizuar për shkak të vendndodhjes."

Krahas infrastruktuës India ka dhe problemin e madh të varfërisë. Në "indeksin e zhvillimit human" i cili krahason zhvillimin njerëzor të vendeve India zë vendin e 127 nga gjithsej 174. Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve po thellohet gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye Jürgen Fitschen nga bordi drejtues i Deutsche Bank dhe një nga drejtuesit e shoqërisë së konsulencës gjermano-indiane paralajmëron qeverinë indiane nga zhvillimet e gabuara: "India nuk mund t'ia lejojë vetes të përqëndrohet vetëm në sektorin e shërbimeve pasi kështu nuk është e mundur të sigurohen vende të mjaftueshme pune. 60% e popullsisë në Indi jetojnë në fshat dhe nuk marrin pjesë në atë që ne admirojmë aktualisht. Çdo qeveri në Indi që nuk arrin të sigurojë pjesëmarrjen e këtyre njerëzve në këto arritje nuk do ta ketë të gjatë në pushtet."

Megjithë kritikën e merituar, sipas Abhay Firodia, shef i prodhuesit Indian të automjeteve Force Motors, europianët duhet ta fillojnë ta shohin Indinë me tjetër sy: "Në mënyrë që të mund ta vlerësojnë si duhet, europianët duhet ta shohin Indinë me sy indian e jo europian. Një nga shqetësimet e europianëve lidhur me Indinë është gjendja e saj kaotike. A mund t'i besoj Indisë, është pyetja që bëjnë shumë prej tyre. Mendoj se europianët duhet ta shohin gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Le të hedhin një vështrim në përparimet e Indisë gjatë 15 viteve të shkuara. Zhvillimet e shumta nuk kanë ndodhur brenda natës, për to janë dashur 15 vjet."

Pra nëse mbahet parasysh se shumë vendeve europiane u është dashur një shekull për të arritur satusin e vendeve të industrializuara kërcimi i Indisë nga një vend në zhvillim në një lojtar global brenda vetëm 15 vjetësh është një arritje e madhe megjithë problemin e varfërisë.