1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët argëtohen në Tiranë

Refki Alija/ Bahri Cani23 Tetor 2013

14 vjet pas shpërnguljes, familja katëranëtarëshe Spasiq është kthyer në fshatin Bogoshevc. Jeta për këtë familje nuk është e lehtë, por ajo është e kënaqur për marrëdhëniet që ka me bashkëfshatarët e saj.

https://p.dw.com/p/1A48k
Fotografi: DW/R. Alija

"Pas luftës kam shkuar në Fushë Kosovë. Me dy fëmijë dhe gruan kemi jetuar së bashku në një kamp, ku ishin edhe 300 persona të tjerë. Më pas kam shkuar në Brezovicë, në vitin 2000, ku plot 14 vjet kam punuar si korrier në shkollë. Kam ndërruar pesë banesa dhe më në fund kam vendosur të kthehem këtu. Kam dëshirë që të meremetojmë katin e parë të shtëpisë dhe kulmin, sepse dua të jetoj në vatrën time“, tregon Momçillo Spasiq, i cili rri ulur në një shtrat së bashku me dy vajzat dhe gruan e tij. Shtëpia është gjysmë e rrënuar.
Jemi kthyer në fshatin, ku kemi lindur në Bogoshevc pas kaq shumë vitesh. "Atje ku kam jetuar, nuk kam mundur të paguaj qiranë dhe t'i shkolloj fëmijët", thotë Spasiq.

Problemet me shtëpinë dhe bashkëjetesa

Bashkëshortja e tij Zhivka është e mërzitur me problemet e shumta, që ka në shtëpinë e lënë pas dore. "Nuk kemi çfarë t'i përgatisim fëmijëve. Nuk kemi ku të gatuajmë, nuk kemi kuzhinë e as banjo. Shtëpia është në gjendje të mjeruar", thotë Zhivka Spasiq.

Por problemet e tyre i zbusin raportet e mira me fqinjët dhe rikthimi në mjedisin e dikurshëm. Shumë shpesh shkojnë edhe në Prizren, i cili shtrihet 15 kilometra nga ky fshat. “Shoqërohemi me serbë dhe boshnjakë, por edhe me shqiparë kemi raporte të mira miqësore. Në Prizren nuk kemi kurrfarë problemesh. As në fshatrat përreth, ku jetojnë boshnjakët dhe shqiptarët", tregon Momçillo Spasiq.

Vajzat e tyre Radica dhe Dragica e kanë internetin si dritaren e vetme, që i lidh me botën. Në fshat nuk mund të shikojnë as televizor, ndërsa mediumi i vetëm, që mund të shikojnë ëshë programi boshnjak. “Përmes internetit dëgjohemi me shoqet nga Gushterica dhe Llapje Selo. Ndonjë herë edhe dalim së bashku. Ato vijnë na marrin, dalim së bashku dhe në fund na kthejnë në shtëpi", shpjegojnë Radica dhe Dragana.

"Tirana shumë e bukur"

Të rinjtë serbë në këtë pjesë të Kosovës i përshtaten shpejt kushteve të jetës. Radica ka qenë vitin e kaluar për pushime në Durrës. Ndërsa në Tiranë shkojnë shpesh për të pirë kafe, apo për të shëtitur. Deri në Tiranë u duhen rreth dy orë e gjysmë, sepse rruga është shumë e mirë. „Tirana është shumë e bukur. Ai qytet më pëlqen shumë, sepse atje ka shumë njerëz të arsimuar dhe secili i shikon punët e veta. Askush nuk të shikon se çfarë bën dhe nuk shikon në tavolinën tjetër. Mund të sillesh si të duash. Jeton jetën tënde. Kjo më pëlqen shumë", pohon Radica.

Në Shtërpce ajo ka kryer shkollën e mesme. Dëshira e saj është të bëhet police e Kosovës. "Do të doja të bëhem police, sepse e dua drejtësinë. Ky është shkaku. Shërbimi është shërbim, e shoqëria shoqëri, kështu do të veproja", thotë Radica. Në Bogoshevc aktualisht jetojnë dhjetë persona. Para luftës së Kosovës ka qenë shumë më shumë. Numri më i madh i shtëpive të ndërtuara për serbët, që duan të kthehen, ka mbetur i zbrazur.