1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sensacion: Franca eliminoi Brazilin nga kampionati botëror!

1 Korrik 2006
https://p.dw.com/p/Aqd0
Fotografi: AP

Ronaldinjo me sy të përlotur, ndërsa "pensionisti" Zinedin Zidane i buzëqeshur dhe me duart e ngritura lart! Para kampionatit pak kush do ta besonte këtë skenë. Mirëpo, magjistari i ndeshjes Francë - Brazil ishte pikërisht Zizu, i cili ka paralajmëruar se pas këtij kampionati, do ta përfundojë karrierën. Franca mundi Brazilin me rezltat 1:0. Golin e vetëm në minutën e 57 shënoi Tieri Anri pas një gjuajte të lirë të Zinedin Zidan. Brazili nuk ishte as hija e kampionit botëror. Ronaldinjo, Ronaldo, Kaka, Adriano, Robinjo, Karlos dhe yjet tjera braziliane dëshpëruan në tërësi. Në veçanti dëshpëruese ishte loja e Ronaldinjos, i cili nuk tregoi asnjë prej kualiteteve të tija të shumta, që në dy vitet e fundit e kanë bërë lojtarin më të mirë në botë. Loja e Brazilit ishte e ngadalshme, statike dhe pa ide konkrete. Franca fitoi me meritë. Edmond de Nascimento, Pele dhe Franc Bekenbauer deklaruan se në asnjë mënyrë nuk kanë pritur humbjen e Brazilit. Por pranuan se fitorja e Francës ishte e merituar. Loja e Francës dirigjohej prej Zidan, ndërkohë që Viera, Makelele, Tyram dhe të tjerët mbyllën të gjitha rrugët që çonin drejt golit të Fabian Bartez. Ishte kjo humbja e parë e Brazilit në kampionatet botërore, që prej vitit 1998, kur në finalen e kampionatit botëror në Paris humbën me rezultat bindës 3:0, pikërisht nga Franca dhe Zinedin Zidan. Pas fitores kundër Brazilit, Franca gjendet vetëm dy hapa larg titullit të kampionit. Kundërshtari në gjysmëfinale është Portugalia e cila mundi Anglinë në penallti me rezultat 3:1