1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Senati i Italisë miraton paketën miliardëshe të kursimeve

14 Korrik 2011

Në tri vitet e ardhëshme Italia duhet të kursejë 79 miliardë euro. Me 161 vota pro dhe 135 kundër si dhe me tri abstenime senati në Romë pranoi paketën disa miliardëshe.

https://p.dw.com/p/11v1l
Në foto, Giulio Tremonti
Në foto, Giulio TremontiFotografi: dapd

Nën presionin e tregjeve financiare dhe të BE-së ministri i Financave Giulio Tremonti në tri vitet e ardhëshme duhet të kursejë 79 miliardë euro nga 47 milirdë që ishte parashikuar filllimisht, njoftojnë mediet italiane të enjten (14.07). Gjatë vitit në vazhdim janë planifikuar rreth 3 miliardë euro kursime, për vitin 2012 janë 6 miliardë, në 2013 duhet të kursehen 25 miliardë dhe 45 miliardë në 2014.

Këto hapa të parë kursimesh prekin rajonet dhe komunat si dhe sektorin e shëndetësisë, bëhet e ditur më tej. Të ardhurat vitin e ardhshëm duhet të përfitohen gjithashtu nga kursimet në sektorin e shërbimeve publike dhe nga taksat e posaçme ndaj pensioneve të larta.

Italia pason Greqinë si vendi me borxhet më të larta në eurozonë

Në foto, Silvio Berlusconi
Në foto, Silvio BerlusconiFotografi: dapd

Në senat kryministri Berluskoni, i dobësuar prej një sërë skandalesh me drejtësinë dhe aferave të seksit ka mbështejen nga shumica: kësisoj paketa miliardëshe u miratua nga senati me 161 vota pro dhe 135 kundër si dhe me tri abstenime senati në Romë pranoi paketën disa miliardëshe, përmes së cilës qeveria synon të sigurojë besimin e tregjeve ndaj aftësisë kredituese të vendit.

Të premten (15.07) pritet edhe vota e parlamentit. Kryeministri 74 vjeçar synon që të premten në mbrëmje (15.07) përmes mocionit të votëbesimit parlamenti të miratojë përfundimisht planin për buxhetin. Opozita më parë pati premtuar, se ndonëse nuk është dakord, nuk do ta pengojë projektbuxhetin.

Pas Greqisë Italia - për shkak të deficiteve strukturore dhe rritjes së ulët ekonomike - është vendi i dytë me borxhet më të larta në eurozonë. Sipas vlerësimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2011 borxhet e Italisë do të arijnë në 120,6% të produktit bruto në vend.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora (dpa)

Redaktoi: Esat Ahmeti