1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Secili më vete - Kriza e koalicionit qeveritar në Gjermani

22 Gusht 2024

Partneri i koalicionit e quan qeverinë aktuale "qeveri të përkohshme", kjo në një kohë, kur duket se partnerët e koalicionit po ndjekin secili rrugën e vet. Kancelari Scholz kërkon "sjellje të mirë" nga ministrat e tij.

https://p.dw.com/p/4jjGT
Partnerët e koalicionit - Kancelari Scholz (djathtas)- ministri i Ekonmisë, Rrbert Habeck, më tej ai i Financave, Christian Lindner  shohin në drejtime të ndryshme...
Partnerët e koalicionit - Kancelari Scholz (djathtas)- ministri i Ekonmisë, Rrbert Habeck, më tej ai i Financave, Christian LindnerFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Nganjëherë vizitat e politikanëve vijnë në momentin e duhur për ta. E tillë ishte vizita e kancelarit Scholz në Dresden të martën (20.08.), ku simbolikisht u vu lopata e parë për ngritjen e një fabrike çipash. Kjo fabrikë e mbështetur me miliarda nga qeveria gjermane do të furnizojë Gjermaninë dhe Europën me çipa gjysmëpërçues. Scholz i quan gjysmëpërçuesit "naftën e shekullit të 21" dhe erdhi vetë personalisht tek hapja e themelit të fabrikës sipas motos: krizë? Çfarë krize?

Këto ditë luan rol thjesht prezenca e kancelarit. Së fundmi atij i është ngjitur atributi i "kancelarit të përkohshëm". E për këtë iniciatore nuk ishte opozita gjermane, por vetë një partner i koalicionit. Kreu i partisë së Gjelbër, Omid Nouripour në intervistën e verës për ARD e cilësoi qeverinë e koalicionit aktual mes socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve si "qeveri të përkohshme" pas epokës së Merkelit.

"Çdo qeveri është qeveria para qeverisë së ardhshme"

Një formulim që ka shkaktuar debate. Duhet kujtuar se vetë kancelari nuk e sheh veten si kancelar të përkohshëm, vetë Scholz vë në dukje me mënyrën e tij të thatë se: "Çdo qeveri është qeveria përpara qeverisë së ardhshme - dhe ndonjëherë është e njëjta." Në fund të fundit, Scholz pranoi në një dialog me qytetarët në Bremen, të hënën se performanca reale qeverisëse e koalicionit ishte lënë në hije nga proceset e vështira të vendimmarrjes në koalicion. Dhe u bëri thirrje partnerëve të tij të koalicionit që të "qeverisin mirë" dhe "të sillen mirë".

Pakënaqësi brenda koalicionit- Scholz, Habeck, Lindner para mediave
Pakënaqësi brenda koalicionit- Scholz, Habeck, LindnerFotografi: Ben Kriemann/PicOne/picture alliance

Mund të diskutohet, nëse qortimi publik i Scholz-it ndaj ministrit të Financave, Christian Lindner në mosmarrëveshjen e fundit për buxhetin ishte "sjellje e mirë". Scholz dukej më shumë si dikush që donte t'i tregonte publikisht ministrit të tij të Financave se ai vetë e kuptonte më mirë politikën monetare. Sidoqoftë, ishte ky argument - madje Nouripour e quajti atë "ndoshta më të kotin nga të gjitha argumentet" - që i ka përshpejtuar më tej forcat centrifugale brenda koalicionit, partnerët e të cilët ishin larguar prej kohësh nga njëri-tjetri. Duket sikur ka përpjekje për të mbajtur të bashkuar atë që vështirë mund të bashkohet më, vetëm për të kundërshtuar ndjenjën e përkohshmërisë së dikujt në politikë. Sigurisht kush dëshiron të jetë qeveri e tranzicionit?

Ministri gjerman i Transportit dhe Digjitalizimit, Volker Wissing
Ministri gjerman i Transportit dhe Digjitalizimit, Volker WissingFotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Wissing: Qëndrim tjetër nga Nouripour

Ndërsa kancelari në Dresden foli për të ardhmen e ekonomisë, Ministri i Transportit të FDP, Volker Wissing përdori të martën një vizitë për të folur për të ardhmen e hekurudhës gjermane pikërisht në një kantier për rinovimin e përgjithshëm të shinave, një segment qendror ky për transportin hekurudhor në distanca të gjata. Aktualisht hekurudha gjermane është bërë simbol i asaj që nuk funksionon në Gjermani. Ministri i Transportit foli për rrjetin e shinave si një "oldtimer" që qeveria e koalicionit e ka marrë nga qeveria e kaluar. Ai prononcohet në lidhje me zërat e "qeverisë së përkohshme". "FDP nuk dëshiron të qeverisë përkohësisht, por në të ardhmen”, tha Wissing duke e lënë të hapur, nëse e gjithë kjo duhet të jetë me koalicionin aktual. Liberalët vetë kanë kohë që nuk janë të kënaqur me qeverinë e koalicionit, por e mënjanojnë nocionin "e përkohshëm".

Bashkëkryetari i Të Gjelbërve Omid Nouripour duke folur në kongresin e partisë së tij
Bashkëkryetari i Të Gjelbërve Omid NouripourFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Habeck do të bëhet kandidat për kancelar

Kalojmë tek partneri i tretë i koalicionit, Të Gjelbrit. Politikani që mund të bëhet kandidat për kancelar i Të Gjelbërve, Robert Habeck, aktualisht ministër i Ekonomisë kishte ftuar të martën në dialog qytetarët në Ministrinë e Ekonomisë. Habeck do të dëgjojë qytetarët, ta bëjë Ministrinë e Ekonomisë të afërt me ta. "Zyra është e rregulluar si kurrë më parë." Habeck do të përmirësojë imazhin, kur vështrimi i tij drejtohet nga zyra e kancelarit.

Edhe nëse shanset nuk janë kushedi sa të mëdha për momentin, Habeck ka ende një mesazh gati: "Nëse ndonjëherë bëhem kancelar, Christian Lindner nuk do të jetë ministër i Financave”. Sa i zhgënjyer është Habeck me koalicionin, u bë e qartë pas kompromisit minimal të arritur me negociatat e buxhetit: "Si të them: kështu është."

Më shumë distancë me koalicionin tënd, zor se gjen. Sido që të flitet, për qeveri të përkohshme apo jo, më së voni me këtë fjali kuptohet si bien këmbanat: secili në koalicionin qeverisës gjerman po bën tani gjërat e veta.

 

 

Marrë nga ARD/Berlin/Julie Kurz