1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seanca konstituuese e Parlamentit të Maqedonisë në hijen e

29 Mars 2017

Në Shkup ka nisur senaca konstituuese e Parlamentit të Maqedonisë. Deputetët me fjalime pafund po pengojnë zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.

https://p.dw.com/p/2aFvZ
Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: picture-alliance/dpa/EPA/G. Licovski

Ka rifilluar seanca konstituive e parlamentit të Maqedonisë. Që në fillim të seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-së e bllokuan foltoren e Parlamentit, duke u paraqitur të gjithë për të folur, ndërkaq më pas ndaj njëri-tjetrit kanë vazhduar me replika dhe kundër-replika.Udhëheqësi i seancës, Trajko Veljanovski, thotë tha se rregullorja e ndalon replikimin dhe kundër-replikimin mes të njëjtëve anëtarë të një grupi të deputetëve, por duke e pasur parasysh se ende nuk janë formuar grupet e deputetëve, deputetët kanë të drejtë për replikë dhe kundër-replikë.  Kjo mënyrë e bllokadës së VMRO-DPMNE-së, do të zvarriste zgjedhjen e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe të kreut të Parlamentit.

Bllokimi i institucioneve në dëm të qytetarëve

Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoan Zaev ka shfaqur shpresën e tij për zhbllokimin e shpejtë të punës së Parlamentit.

"Do të bëjmë gjithçka që është e mundur në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e punës së Parlamentit që proceset të ecin para, sepse Maqedonisë i duhet qeveri e re. Nëse vazhdon edhe më tej bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të parlamentit dhe pastaj zgjedhjes së qeverisë së re, në një periudhë të shkurtër kohore do të rrezikohet dhe dhënia e pagave dhe pensioneve prandaj besoj se në një afat sa më të shkurtër duhet të lëvizin proceset përpara”, ka theksuar Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se mbajtja peng e konstituimit dhe funksionimi normal i parlamentit si organ ligjvënës përmes polemikave të VMRO-DPMNE nuk është në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka vlerësuar se bllokimi i institucionit ligjdhënës nuk çon në drejtim të zgjidhjes së krizës.

"Nuk mendoj se zgjidhje më e mirë janë bllokadat. Të gjithë duhet të angazhohen dhe të kontribuojnë për zhbllokimin e situatës dhe zhvillimin e proceseve”, ka thënë Ahmeti.

Deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ka theksuar se partia që përfaqëson do të përpiqet me të gjitha mënyrat demokratike për të penguar formimin e një shteti binacional, sepse sipas tij, kjo rrezikon stabilitetin e vendit.

"Nuk është mirë që të tentojmë të formojmë shtet binacional duke lënë nën hije shumicën e vullnetit të qytetarëve. Përvoja flet se shtetet binacionale nuk janë shtete të qëndrueshme. Ideja për shtet binacional mund të rrezikojë stabilitetin e shtetit. Kandidat për kryetar të Parlamentit nuk mund të jetë kriminel ose dikush që nuk ka integritet të refuzojë platforma të huaja”, ka thënë deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Miloshoski.

Analistët: Veprimet e VMRO-DPMNE-së të rrezikshme

Mënyra e sjelljes së deputetëve të VMRO-DPMNE-së për analistët politik paraqet edhe një shenjë se partia e Nikolla Gruevskit bllokadën e formimit të qeverisë, krahas në rrugë, e zgjeron edhe në institucione. Profesor Mersel Bilalli vlerëson se kjo mënyrë e zhvillimit të ngjarjeve tregon se ata që ushtrojnë bllokadë institucionale nuk kanë interes për Maqedoninë, dhe jo rastësisht e sollën atë në këtë gjendje ku është sot.

"Zgjatja e seancës konstituive është një instrument që mund të keqpërdoret dhe është duke u keqpërdorur. Unë mendoj t'i animojmë faktorët e brendshëm nga faktori ndërkombëtar që të mos bëhen obstruksione në formimin e qeverisë së re”, thotë Bilalli.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se përpjekja e VMRO-DPMNE-së që ta bindë opinionin se nëse nuk është në opozitë nuk do të mund të funksionojnë institucionet, është një veprim i rrezikshëm që mund të bart me vete pasoja të rënda jo vetëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, por edhe për rajonin në përgjithësi.

"VMRO-DPMNE politikën e bllokadës së shtetit e zgjeron edhe në institucione. Përveç protestave në rrugë, kjo parti do të tentojë të pamundësojë funksionimin e institucioneve. Me këtë strategji VMRO tenton të bindë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, se institucionet nuk do të mund të funksionojnë, nëse kjo parti do të ngelej në opozitë. Është një veprim i rrezikshëm që mund të bart me vete pasoja të rënda për të gjithë qytetarët”, thotë Neziri.

Analisti Nikolla Dujoski konsideron se edhe në rast të zgjedhjes së kryetarit të parlamentit, opozita potenciale VMRO-DPMNE do të bëj obstruksione të ndryshme me qëllim bllokimin e punës së Parlamentit.

"VMRO-DPMNE dhe partitë që do të mbesin në opozitë mund të orkestrojnë obstruksione të ndryshme. Kjo ka ndodhur edhe më herët kur nuk është respektuar vullneti i shumicës dhe kishim situata absurde, por ky është principi bazë i demokracisë. Shumica vendos dhe këtu nuk ka dyshime se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në Maqedoni”, thotë Nikolla Dujoski.

Vazhdimi i seancës konstituive të parlamentit ndiqet nga një numër i madh i diplomatëve të huaj.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut