1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Premtime të reja për Ukrainën dhe një Biden luftarak

10 Korrik 2024

Në samitin e NATO-s, SHBA-ja dhe partnerët e saj i premtuan Ukrainës ndihmë të mëtejshme, megjithëse nuk i përmbushi disa pritshmëri. Si u paraqit Biden?

https://p.dw.com/p/4i6PL
Samiti i NATO-s, fotografi e përbashkët e pjesëmarrësve
Samiti i NATO-sFotografi: Yves Herman/REUTERS

Në fillim të takimit të presidentëve të shteteve dhe qeverive anëtare tëNATO-s në Uashington, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se së bashku me partnerët e tij do t'i vërë në dispozicion Ukrainës armë shtesë për mbrojtje. Së bashku me Gjermaninë, Rumaninë, Holandën dhe Italinë, "do të dorëzohen sisteme shtesë strategjike për mbrojtje ajrore, duke përfshirë sisteme shtesë Patriot, të cilat do të dhurohen nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Rumania".

Në fjalimin e tij në ceremoninë e shënimit të 75-vjetorit të themelimit të NATO-s, Biden tha se gjatë vitit të ardhshëm, Ukraina do të marrë edhe qindra raketa shtesë mbrojtëse të nevojshme për të mbrojtur qytetet ukrainase nga sulmet raketore ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka përsëritur muajt e fundit se sistemet shtesë Patriot janë absolutisht të nevojshme për të mbrojtur qytetet e Ukrainës dhe zonat me popullsi të dendur. "Mesazhi ynë për Moskën dhe botën është i qartë: mbështetja jonë për Ukrainën është e fortë dhe e qëndrueshme”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të presidentit amerikan Biden, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe krerëve të shteteve apo qeverive të Rumanisë, Holandës dhe Italisë.

Sistemet Patriot për Ukrainën

Zelenski falënderon NATO-n
Zelenski falënderon NATO-nFotografi: Thomas Trutschel/photothek/picture alliance

Megjithëse Biden e quajti ndihmën e premtuar historike, shumica e saj nuk është e re dhe nga pikëpamja ukrainase nuk është ajo që dëshironte presidenti Zelenski. Sipas burimeve qeveritare, kontributi gjerman është një nga tre sistemet antiraketë Patriot që tashmë janë dorëzuar. Rumania dhe Holanda gjithashtu kanë njoftuar më parë ndihmën e tyre.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një sistem shtesë Patriot, pasi e kanë dorëzuar tashmë një më parë. Sistemi i mbrojtjes kundër raketave Patriot është ndër më modernët në botë. Ai shërben për mbrjtje nga avionët, raketat balistike dhe raketat me rreze të gjata. Nga qarqet e NATO-s u dëgjua se shumëkush është i zhgënjyer për faktin se nuk ishte e mundur të arrihej një marrëveshje për dërgimin e më shumë sistemeve Patriot deri në këtë samit të NATO-s.

Zelenski falënderoi aleatët

Lufta në Ukrainë është një nga temat kryesore në samitin e NATO-s në Uashington. Presidentët e shteteve dhe krerët e qeverive të 32 shteteve anëtare të Aleancës po festojnë 75 vjetorin e themelimit të NATO-s. Zelenski falënderoi SHBA-në, Gjermaninë dhe anëtarët e tjerë të Aleancës për forcimin e planifikuar të mbrojtjes kundërajrore të vendit të tij. Ai është mirënjohës ndaj partnerëve që pranuan deklaratën e mbështetjes për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, shkroi Zelenski në platformën X. Sistemet shtesë të mbrojtjes ajrore do të ndihmojnë në shkatërrimin e dronëve dhe raketave ruse dhe do të mbrojnë më mirë ukrainasit nga terrori ajror rus, shkroi Zelenski.

Sistemet Patriot
Sistemet PatriotFotografi: Frank Hammerschmidt/dpa/picture alliance

Ky është një hap i rëndësishëm pas vendimit të SHBA-së për t'i dhënë Ukrainës përparësi në dërgimin e raketave kundërajrore, shkroi më tej Zelenski, duke shtuar se ai është mirënjohës ndaj Presidentit Biden për rolin e tij udhëheqës dhe të gjitha vendeve partnere për angazhimin e tyre.

Performancë e mirë nga Biden

Vëmendja e vëzhguesve u përqendrua në performancën e presidentit amerikan Biden, ndoshta më shumë sesa në njoftimin për ndihmë shtesë për Ukrainën. Pas performancës katastrofike të Bidenit në përballjen televizive me sfiduesin republikan Donald Trump, në SHBA është zhvilluar një diskutim i madh, nëse Biden mund të mbetet kandidati presidencial demokrat. Tani për tani, çdo lëvizje e Biden po vëzhgohet nga afër.

Prandaj, në fjalimin e tij, ai u përpoq dukshëm të largonte çdo dyshim në lidhje me aftësinë e tij për të kryer detyrat presidenciale: ai nuk bëri asnjë gabim në tekst, nuk e humbi mendjen dhe përqendrimin. Biden e prezantoi veten si një luftëtar - dhe para audiencës së tij si lider i gjithë botës së lirë.

Jo Biden - flet në samit
Jo Biden - luftarakFotografi: Yves Herman/REUTERS

Por ai kishte edhe një asistencë teknike me teleprompter, që përdoret zakonisht në televizion, por që është e zakonshme edhe për ngjarje të tilla.

Çfarë mund të bëjë sistemi Patriot?

Sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot përbëhet nga raketa me drejtim automatik dhe funksionon me ndihmën e radarit. Si rregull, instalimi i radarit dhe kontejneri i lëshimit janë montuar në një kamion në mënyrë që të jenë të lëvizshëm. Sistemi aktualisht konsiderohet si një nga sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore. Ky sistem u zhvillua në vitet 1960 në SHBA dhe disa kompani gjermane morën pjesë në zhvillimin e saj. Mund të përdoret për mbrojtje kundër avionëve, raketave me rreze të gjata dhe raketave balistike, por nuk është i përshtatshëm për mbrojtje kundër predhave më të vogla.

Sistemi Patriot mund të shkatërrojë në të njëjtën kohë deri në pesë objektiva të ndryshëm. Gjermania e ka këtë sistem që nga viti 1989. Sipas prodhuesit, sistemin Patriot e kanë 12 vende, gjashtë prej të cilave janë pjesë e NATO-s.