Samit pa rezultate konkrete
20 Maj 2012Pyetja që shtrohet pas samitit dy ditësh në Camp David është natyrisht: a solli samiti ndonjë rezultat konkret? A thua krerët e shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë së bashku me mysafirët nga Afrika kanë ndryshuar diçka në botë? Përgjigja është jo, ata nuk kanë ndryshuar asgjë. As në krizën e borxheve në Evropë dhe as në krizat tjera në botë. Nisma për forcimin e Afrikës e lindur para tre vjetësh është konfirmuar edhe një herë gjatë një dreke me liderët e vendeve afrikane. Dhe kaq, gjëra të tjera të rëndësishme nuk ka pasur.
Evropa në fokus
Shpresoj se rezultatet e dobëta të samitit janë vetëm pjesë e takimeve zyrtare të tij. Unë pres që kur zonjat dhe zotërinjtë ulen së bashku pas dyerve të mbyllura të diskutojnë pa doreza dhe me gjithë fuqinë. Tema ka sa të duash. Gjendja në Evropë është gjithnjë e më e ndërlikuar. Është plotësisht absurde që ta kërkosh fajin tek kancelarja Angela Merkel, e cila kërkon konsolidimin e buxheteve.
Pa konsolidimin e financave të shtetit, gjë që ka të bëjë me shumë vende të tjera por edhe me vendin e vetë nikoqirit Barack Obama, nuk mund të gjesh ndonjë rrugëdalje të qëndrueshme dhe afatgjatë nga kriza financiare. Këtu nuk ndihmojnë fare fjalët e buta dhe kortezia mes presidentit të ri francez Hollande dhe kryeministrit të përkohshëm italian Monti si dhe presidentit amerikan Barack Obama, i cili tani gjendet në prag të fushatës elektorale. Në fund llogariten vetëm faktet dhe fakt është që do të ishte shumë gabim në qoftë se programet e reja ekonomike financohen përmes borxheve të reja. Kancelarja ka të drejtë kur e kundërshton këtë, ndonëse në këtë raund ishte bukur e vetmuar.
Stacioni tjetër: Brukseli
Megjithatë kancelarja ia doli që formulimet në dokumentin përfundimtar të G8-s të mund të interpretohen në disa mënyra. Secili mund të lexojë atë që i pëlqen dhe i konvenon në luftën e brendshme politike. Ulja e borxheve dhe investimet duhet të shkojnë së bashku. E drejtë! Por për fat të keq këtu nuk shoh ndonjë ide të re se si mund të realizohen këto koncepte. Me këtë problem do të përballet tani samiti i evropianëve i cili mbahet javën e ardhshme në Bruksel. Të mërkurën presidenti i Francës, Francois Hollande, do të marrë pjesë për herë të parë në një samit të BE-së. Idetë e tij do të dëgjohen me vëmendje, por shpresoj se eurobondet, që nënkuptojnë përgjithësimin e borxheve, nuk do të pranohen nga kancelarja Merkel. Rreziqet për ato pak vende të qendrueshme që kanë mbetur në Evropë do të ishin tepër të mëdha.
Greqia është problem për të gjithë
Një rezultat i mirë i samitit është pohimi që Greqia i përket eurozonës dhe kështu duhet të mbetet. Ky vend nuk duhet lënë i vetmuar. Oferta ndaj grekëve është shumë e qartë: ndihmat janë të lidhura me kushte. Zgjedhjet greke në qershor do të jenë interesante madje edhe për vetë Barack Obamën. Nëse dështojnë përpjekjet për mbajtjen e Greqisë në eurozonë, pasojat e recesionit në Evropë mund të prekin edhe SHBA-në. Kjo nuk do të ishte aspak e mirë për Obamën në prag të zgjedhjeve presidenciale që zhvillohen në nëntor. Në botën e globalizuar të gjithë ne: grekë, evropianë apo amerikanë varemi nga njëri-tjetri.