1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa realiste janë parashikimet e qeverisë maqedonase për rritje ekonomike?

18 Nëntor 2011

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni kanë shprehur dyshime për paralajmërimet e qeverisë, se gjatë vitit të ardhshëm pritet rritje prej 4.5 për qind e ekonomisë së vendit.

https://p.dw.com/p/13DDy
Rrugë dyqanesh në Ohër.
Fotografi: Milco Jovanoski

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar projekt buxhetin për vitin 2012, sipas të cilit ritja ekonomike parashihet të jetë 4.5%, me inflacion që do të sillet rreth 2.5%.

Pritje joreale për rritjen ekonomike në Maqedoni - ky është konstatim i analistëve dhe biznesmenëve të vendit. Megjithë krizën ekonomike në Greq dhe në vende të tjera të eurozonës, qeveria e Maqedonisë nuk heq dorë nga planifikimi për një rritje ekonomike. Për opozitën propozimi i buxhetit për vitin e ardhshëm është jorealist, sepse nuk janë marë seriozisht parametrat ekonomikë të vendit.

“Një buxhet i tillë është vështirë të realizohet pasi ka paralajmërime serioze se Evropa gjendet para një krize të re ekonomike. Është joreale rritja ekonomike sepse qeveria edhe këtë vit ka nevojë për plotësimin e buxhetit”, thotë Marijanço Nikollov nga socialdemokratët në opozitë.

Skepticizëm për planifikimin e rritjes ekonomike ka shprehur edhe gurvernatori i Bankës Qendrore, Dimitar Bogov, i cili njëherësh ka rikujtuar pasojat që mund të ndjejë Maqedonia nga kriza ekonomike evropiane.

Dimitar Bogov, guvernatori i Bankës Qendrore në Maqedoni.
Dimitar Bogov, guvernatori i Bankës Qendrore në Maqedoni.Fotografi: Agentur Makfax

“Kriza në eurozonë është serioze andaj mund të presim përshkallëzim edhe me krizën e borxheve. Ka paralajmërime edhe për recesion, e gjithë kjo do të reflektohet edhe në Maqedoni, prodhimtaria do të ulet, eksporti gjithashtu ndërsa pasoja mund të ketë edhe në fushën e kredive”, vlerëson guvernatori Bogov.

Në kushtet e krizës evropiane, është optimizëm i tepruar të planifikohet rritje ekonomike në Maqedoni, thotë eksperti për çështje ekonomike Risto Gushterov.

“Shtetet më të fuqishme evropiane si Gjermania, Franca tashmë po bëjnë korigjime të pritjeve të ekonomive të tyre, ndërsa qeveria e Maqedonisë paralajmëron rritje të ekonomisë prej 4.5%. Ky është iluzion”, thotë Gushterov.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuqi, thotë se edhe sikur të ketë rritje ekonomike ajo do të mbetej nën hijen e inflacionit. Sipas tij qeveria duhet të ketë një plan B në rast se nuk realizohen parashikimet e buxhetit për vitit e ardhshëm.

“Qeveria duhet të përgatitet në atë mënyrë që nëse ndodhe më e keqja të ketë alternativa të tjera. Është një dritë e kuqe që na sinjalizon që të mobilizohemi dhe të mos lëshohemi në prononcime dhe aventura (...)”, thotë Menderez Kuqi.

Ndërkohë që qeveria e Maqedonisë planifikon rritje ekonomike, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikojnë që gjatë vitit të ardhshëm ekonomia e Maqedonisë të shënojë rënie rreth 2.4%.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: E. Xhani