1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia kundërpërgjigjet me dëbime diplomatësh

31 Mars 2018

Rusia reagon me dëbime diplomatësh ndaj vendimit të rreth 25 shteteve dhe NATO-s për të dëbuar diplomatë rusë nga vendet e tyre. Të prekur edhe disa diplomatë gjermanë .

https://p.dw.com/p/2vH6N
Russland Außenministerium in Moskau
Ministria e Jashtme e RusisëFotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/M. Blinov

Qeveria ruse u ka kërkuar katër diplomatëve gjermanë të largohen nga vendi. Kjo u njoftua nga Ministria e Jashtme në Berlin. Me dëbimin Rusia reagon ndaj hapit të mëparshëm të qeverisë gjermane, që pas sulmit me lëndë helmuese ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal në Britaninë e Madhe, kishte deklaruar katër diplomatë rusë si persona të padëshirueshëm.

Gjermania mbetet e hapur për dialog

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e quajti këtë veprim të Moskës si "jo të habitshëm". Gjermania nuk e kishte marrë vendimin e saj për të dëbuar diplomatët rusë "në mënyrë të pakujdesshme", theksoi ai. "Përgjigjja jonë në rastin e Skripal ishte e nevojshme dhe e përshtatshme si një sinjal politik."

Më parë Moska kishte thirrur në Ministrinë e Jashtme ruse ambasadorin gjerman, Rüdiger von Fritsch, i cili tha se ai e kishte siguruar palën ruse se Gjermania ishte e hapur për dialog dhe do një marrëdhënie të mirë me Rusinë, porse Moska duhet të shpjegojë qartë akuzat për përfshirje në helmimin e ish-agjentit të dyfishtë Skripal.

Infografik Diplomatenausweisung Stand 18 03 29 RUS

Përveç Gjermanisë në Ministrinë e Jashtme të Rusisë u thirrën gjithashtu edhe ambasadorët e të gjitha vendeve që përzunë diplomatë rusë pas sulmit helmues ndaj Skripalit. Diplomatët u  informuan për masat e Rusisë në lidhje me çështjen Skripal, tha Ministria e Jashtme në Moskë.

Dëbime reciproke diplomatësh

Përveç Gjermanisë edhe shtetet e tjera njoftuan se u është kërkuar të tërheqin diplomatët: Polonia duhet të tërheqë sipas të dhënave të Varshavës brenda një jave katër diplomatë. Finlanda dhe Letonia nga një, Lituania tre, kurse Italia dhe Holanda nga dy diplomatë. Kanadaja njoftoi se prej dëbimeve janë prekur katër nga qytetarë të saj.

Rusia kishte shpallur më parë si të padëshiruar 23 diplomatë britanikë - po aq diplomatë rusë sa kishte shpallur më parë qeveria e Londrës.

Të enjten në darkë Rusia kishte njoftuar për dëbimin e 60 diplomatëve amerikanë. Në këtë mënyrë Moska reagoi ndaj vendimit të rreth 25 shteteve dhe NATO-s për të dëbuar më shumë se 140 diplomatë rusë nga vendet e tyre.