1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Russland Gas

Miodrag Soric2 Janar 2009

Sërish Rusia i mbylli Ukrainës rubinetin e gazit. Bëhet fjalë për lëndën e parë më të rëndësishme dhe për taksën e tranzitit të saj. Pokeri mes Moskës dhe Kievit është kryesisht një lojë politike për matjen e forcave

https://p.dw.com/p/GQzE
Pikë e tranzitit të gazit në Bojarka, pranë Kievit
Pikë e tranzitit të gazit në Bojarka, pranë KievitFotografi: AP

Në një botë, në të cilën shtohen pasiguritë - si në Lindjen e Mesme apo në tregjet e financave - rusët dhe ukrainasit përpiqen të japin një dozë parashikimi. Me përpikmëri, në festën e Vitit të Ri shpërthen grindja mes dy fqinjve për gazin: Moska kërkon të marrë më shumë para nga Kievi për burimet energjetike, ndërsa Kievi kërkon njëkohësisht tarifa më të larta për transportin e gazit përmes territorit të vet drejt Evropës Perëndimore. Të dyja vendet, për të tretin vit me radhë nuk janë në gjendje t´i përfundojnë me rezultat konkret në kohën e duhur bisedimet përkatëse. Ata vazhdojnë pokerin, kërcënojnë, përhapin reciprokisht lajme të rreme dhe akuzojnë njëri-tjetrin si shkaktar të të gjitha të këqiave në botë, për të rënë dakord dikur nga janari. Por sado të grinden të dyja palët midis tyre: ato e sigurojnë Perëndimin, se janë partnerë të besueshëm dhe se do të mbeten të tillë: Rusia do të vazhdojë të furnizojë me gaz në sasinë, që është rënë dakord, dhe Ukraina përbetohet me ngulm, se do ta transportojë këtë gaz përmes territorit të vet - pa devijuar aspak gaz për vete - siç e akuzon Kremlini.

Nga kjo betejë humbasin të dyja palët - më e pakta që humbasin ato është prestigji. Kuptohet që në Perëndim shtohet dyshimi, nëse në plan afatgjatë është e udhës të vazhdosh t´i varësh shpresat tek dy fqinjët grindavecë në Lindje të kontinentit të vjetër. Eshtë gjithashtu e drejtë, që përzierja e politikës dhe e ekonomisë energjetike, kështu siç është zakon në Rusi dhe në Ukrainë, me kohë vetëm mund t´i rëndojë bisedimet. Propozimet, që rrjeti i transportimit të gazit në Ukrainë të privatizohet, sërish hidhen poshtë prej qeverisë së Kievit. Edhe në Rusi askush nuk beson vërtet, që një ditë presidenti do të heqë dorë prej ndikimit të vet ndaj monopolistit Gazprom.

Në pokerin e gazit pra nuk kemi të bëjmë vetëm me para, por edhe me lojë për pushtet, për ndikim në rajon, për ruajtjen e prestigjit, në qoftë se në fund duhen bërë lëshime. Por pikërisht kjo e fundit ka bërë që në të shkuarën të krijohen struktura jo transparente, siç është ndërmjetësuesi "RosUkrEnergo". E pikërisht këtu derdhen shuma miliardëshe. Në mes është korrupsioni, që e vështirëson edhe më shumë marrëveshjen mes Moskës dhe Kievit.

Tek e fundit grindja nuk është kërcënuese për Evropën, të paktën ajo nuk e prek atë në muajt e ardhshëm. Depot janë të furnizuara mirë. Ekonomia po çalon, gjë që do të thotë se nuk konsumohet shumë energji. E përderisa situata është e tillë, BE nuk ndërhyn në grindjen e gazit.

Rusia mosmarrëveshjet do t´i shfryrtëzojë si shkas për të kërkuar sërish ndërtimin e një linje të re gasjellësi përmes detit Balltik. Këtë askush nuk ia merr për ters Kremlinit. Evropa do të vazhdojë të përpiqet që të intensifikojë marrjen e gazit dhe naftës prej republikave aziatiko-qendrore të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (GUS). Në këtë kontekst Evropa do të bëjë ç´është e mundur, që rrugët e transportit të konceptohen në mënyrë të tillë, që rubinetin të mos mund ta mbyllë një vend i vetëm.

LA/AUD