Rumania në kërkim të normalitetit
24 Nëntor 2019Sibiu rumun në nëntor 2019. Qyteti i vogël mesjetar në Siebenbürgen, Transilvani, është zbukuruar për krishtlindjet. Këtu ofrohet tregu më i bukur i krishtlindjeve, thuhet në Rumani. Kreu i shtetit rumun, Klaus Iohannis mund të jetë krenar për qytetin e tij të vjetër. Këtu ai e filloi karrierën si kryetar bashkie. Në 14 vitet që Iohannis e drejtoi këtë bashki, qyteti u kthye në model të politikës komunale në një vend, ku nepotizmi dhe korrupsioni nuk ndaheshin dot nga trashëgimia komuniste. Në postin e presidentit, Klaus Iohannis u ngjit para pesë vjetësh me një bonus paraprak. Motoja e tij "Hap pas hapi" që synonte ndryshimin e Rumanisë i bindi shumë vetë. Por shumë shpejt Klaus Iohannis, që u vu si kandidat nga partia liberal-konservatore, PNL, duhej të kuptonte, se Bukureshti ishte një territor tjetër politik.
Luftë politike e ashpër në Rumani
Kundërshtarët politikë, me në krye PSD-në socialdemokrate, ish-partinë komuniste i kapën pikat e "lëndueshme" të presidentit dhe ngritën në mënyrë populiste kartën kombëtare. Klaus Iohannis është pjesë e pakicës gjermane të Saksonisë Siebenbürgen, ndryshe nga shumica e rumunëve nuk është ortodoks, por evangjelist-lutherian. Ai është një europian i bindur, që flet disa gjuhë. Por për makinerinë e majtë propagandistike ishin pikërisht këto cilësi që i duheshin fushatës denigruese që ata synonin. Klaus Iohannis nuk është rumun "i vërtetë", ai nuk mund ta dojë vendin e tij si patriot "i vërtetë", ai do ta "shesë" Rumaninë tek Brukseli dhe Berlini - ishin disa nga sulmet kundër tij.
Nuk ishte kjo arsyeja e vetme, që Klaus Iohannis në fushatën aktuale e refuzoi një debat televiziv me rivalen e tij, Viorica Dancila, kryetare e PSD-së. Nuk dua t'i jap kundërshtarëve një platformë për sulme personale, tha ai. Sipas Iohannis, PSD është një parti që ka zhvilluar në tre vitet e fundit "luftë" kundër vendit të vet, kundër qytetarëve të saj. Me një parti të tillë nuk mund të bësh debate normale.
Iohannis i ka shpallur luftë PSD-së. Deri para pak javësh në qeveri, kjo parti e goditi shtetin demokratik ligjor, me ligje që nuk u kritikuan vetëm nga Klaus Iohannis, por edhe nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian. Në fillim të vitit 2017, përpjekjet e PSD-së për ta dobësuar luftën kundër korrupsionit dhe për ta vënë nën kontroll drejtësinë çuan në protesta masive në të gjithë vendin. Presidenti atëherë ndoqi zërin e dëshpëruar të shoqërisë civile dhe doli me demonstruesit para pallatit të qeverisë. Në fund ai duhej të hapte rrugë pas presionit të qeverisë dhe Gjykatës Kushtetuese të dominuar nga PSD dhe e miratoi një pjesë të reformës së kontestuar "në drejtësi".
Për një Rumani normale
Iohannis kritikohet për një besnikëri të ekzagjeruar ndaj kushtetutës, sidomos nga rumunët e rinj, që e braktisin pa pushim vendin, pasi e kanë humbur besimin tek politika. Shumë rumunë duan një ndryshim autentik, një kushtetutë të re demokratike, largim nga elitat e dikurshme, që 30 vite pas rënies së komunizmit, ende i mbajnë fijet në dorë. Në zgjedhjet europiane në maj, forcat proeuropiane, PNL dhe aleanca e re USR-PLUS arritën të merrnin shumicën e votave, kurse socialdemokratët e PSD-së dhe Liviu Dragnea, që mbante në dorë fijet e partisë pësuan humbje të ndjeshme.
Vetëm një ditë më pas, kreu i gjithëfuqishëm i PSD-së, Liviu Dragnea u dënua me burgim për shkak të keqpërdorimit të detyrës. Gati një vit më vonë, parlamenti i hoqi besimin kabinetit qeverisës së kryeministres nga PSD, Viorica Dancila. Partia liberal-konservatore e PNL me Ludovic Orban në krye, mori drejtimin e qeverisë. Megjithëse e varur nga një shumicë parlamentare jo gjithmonë miqësore, kjo qeveri bashkë me Klaus Iohannis mund të kujdeset për kthimin në "normalitet", siç e dëshiron edhe presidenti Iohannis për mandatin e tij të dytë. Nëse mund të besohen sondazhet e deritanishme të dielën (24.11.) në zgjedhjet e balotazhit, ku konkurrente është Viorica Dancila, Klaus Iohannis ka për t'iu ofruar me një hap më shumë këtij qëllimi. Ai i kryeson sondazhet.