Rubio: Kushtet e paqes të jenë të pranueshme për të gjithë
18 Shkurt 2025Pas më tepër se katër orë bisedimesh në Arabinë Saudite, ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio dhe ai rus, Sergei Lavrov, ranë dakord që ambasada e SHBA-së në Moskë dhe ajo ruse në Uashington të rifillojnë të veprojnë me personel të plotë.
Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio. tha se përveç kësaj do të krijohet një ekip ndërmjetësuesish të nivelit të lartë për të negociuar për paqen në Ukrainë dhe për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.
Rubio tha se periudha e akullt diplomatike që ekzistonte vitet e fundit mes të dy vendeve e ka kufizuar aftësinë e ambasadave të të dy vendeve për të vepruar. "Ne kemi nevojë për misione të gjalla diplomatike që mund të funksionojnë normalisht për të ruajtur këto lidhje." - tha Rubio. Për shkak të sulmit rus ndaj Ukrainës, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë vitet e fundit pothuajse ishin ndërprerë.
Rubio: Detajet për përfundimin e luftës duhet të jenë të pranueshme për të gjithë
Sipas ministrit të Jashtëm të SHBA-së, Marco Rubio, kushtet për përfundimin e luftës kundër Ukrainës duhet të jenë të pranueshme për të gjitha palët, përfshirë edhe vetë Ukrainën dhe Evropën. Rusia është e gatshme të marrë pjesë në një proces serioz, tha Rubio pas konsultimeve me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Rubio tha se nga të gjitha palët e përfshira kërkohet që të bëjnë lëshime. I pyetur se çfarë do të thotë kjo sa u përket sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, Rubio tha: "Bashkimi Evropian do të duhet të ulet në një moment në tryezën e bisedimeve, sepse edhe BE-ja ka vendosur sanksione".
Zelenski kërkon bisedime "të drejta" me përfshirjen e BE-së
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski bëri thirrje për bisedime "të drejta" për të ardhmen e vendit të tij dhe kërkoi që në to të përfshihen edhe evropianët. Ukraina, BE-ja, Turqia dhe Britania e Madhe duhet të përfshihen në bisedime "dhe në zhvillimin e garancive të nevojshme të sigurisë bashkë me Amerikën", tha Zelenski gjatë një vizite në Ankara.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me Zelenskin presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha në Ankara se "Turqia do të ishte një mikpritëse ideale për bisedimet e mundshme midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në të ardhmen e afërt”. Në të njëjtën kohë ai theksoi se integriteti territorial i Ukrainës është i panegociueshëm dhe se kjo do të vlejë edhe për të ardhmen.
Kremlini nuk dëshiron trupa paqeruajtëse në Ukrainë
Sipas ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, vendosja e ushtarëve nga vendet anëtare të NATO-s në Ukrainë - qoftë kjo edhe nën një mandat tjetër - është e papranueshme për Rusinë. Lavrovi i shpjegoi kolegut të tij amerikan Rubio gjithashtu se një zgjerim i NATO-s do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Rusinë.
Edhe zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko u shpreh kundër vendosjes së ushtarëve perëndimorë në Ukrainë. "Nën çfarëdo etikete që ata do të shfaqen, ky do të ishte një hap përshkallëzimi, jo shtensionimi”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve Interfax. Grushko tha gjithashtu se nuk dëshiron të shohë asnjë evropian në negociatat e mundshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.