1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e gjatë e largimit nga ekstremizmi i djathtë

Maria Rigoutsu/Eliana Xhani12 Shkurt 2014

Në Gjermani OJQ-ja EXIT ndihmon radikalët e djathtë të dalin nga skena e djathtë. Deutsche Welle foli me një grua, e cila tregon arsyet për daljen dhe rrugën e gjatë drejt normalitetit.

https://p.dw.com/p/1B7GO
Fotografi: picture-alliance/dpa

Para 11 vjetësh Sabine (emri është ndryshuar nga redaksia), gjeti forcë për të kapërcyer hijen e vet. Pas një anëtarësimi aktiv disavjeçar ajo doli nga skena e djathtë. Kërkoi kontakt me organizatën EXIT, me ndihmën e së cilës hyri në ilegalitet.

Sabine ka lindur në veri të Gjermanisë para rreth 40 vjetësh. Të dhëna më të sakta ajo nuk jep për shkaqe të sigurisë. Ajo vazhdon të jetë shumë e kujdesshme, veçanërisht kur është fjala për kontakt me gazetarët. U nevojitën shumë thirrje identifikuese për të gjetur një kohë të përshtatshme për bisedën telefonike me Deutsche Welle.

Implikime familjare

"Babai im ishte politikisht aktiv, por në Partinë Kristiandemokrate (CDU). Politika ka ndikuar gjithë jetën tonë familjare", thotë Sabine. Idetë e djathta kanë qenë mbizotëruese në shtëpinë e prindërve. "Kësaj i shtohet edhe fakti që gjyshi im ka marrë pjesë si ushtar i Wehrmacht-it në Luftën e Dytë Botërore. Prej tij në fund unë u infektova në aspektin ideologjik dhe të botëkuptimit", tregon Sabine për rrugën e saj drejt skenës radikale të djathtë.

Për më shumë se dy dekada ajo ishte aktive në këtë skenë. Merrte pjesë në partinë radikale të djathtë NPD dhe në një tjetër, e cila ndërkohë është ndaluar. Atje kishte një rol drejtues dhe mbante titullin "Kameradschaftsführerin" (drejtuese e një grupi neonazist). Pyetjes nëse ka patur ndonjëherë kontakt me armët, ajo i përgjigjet se njeh burra dhe gra nga organizata, të cilët kanë përdorur armë: "Tek ne kishte ish mercenarë. Kishte edhe nazistë të vjetër, të cilit ishin të specializuar për lëndët shpërthyese dhe kishin kryer atentate të ndryshme. Ata kishin natyrisht edhe lidhjet e duhura dhe mund të siguronin armë dhe lëndë shpërthyese."

Anonimiteti mbron

Kush përpiqet të largohet nga skena e djathtë, ka nevojë jo vetëm për vullnet të fortë, por edhe për mbështetje nga jashtë, pasi personi duhet të llogarisë me kërcënime dhe shantazh dhe shpesh i duhet të fshihet nga shokët e vjetër.

Symbolbild rechte Gewalt Springerstiefel eines NPD-Anhängers
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një mbështetje të tillë ofron në Gjermani që nga viti 2000 EXIT, një shoqatë joqeveritare e themeluar nga juristi Bernd Wagner. Sot EXIT përbëhet nga pesë punonjës të përhershëm dhe financohet me donacione dhe fonde të qeverisë gjermane.

Por si zhvillohet dalja nga skena e djathtë në detaj? Fillimisht kandidatët për dalje bëjnë disa telefonata sonduese, letra ose emaile, në të cilat si rregull nuk përmendet emri. "Personi në fillim duhet të qendrojë në fshehtësi. Sa më militant dhe agresiv të jetë grupi, të cilit i përkiste deri në atë moment, aq më i madh është edhe agresiviteti brenda tij", shpjegon Bernd Wagner. Në rastin e një partie kjo nuk është aq dramatike, por edhe në këtë rast niveli i militantizmit luan rol. "Kush kërkon të dalë duhet fillimisht ta mbajë këtë të fshehtë dhe pastaj të kapërcejë pengesën për t'iu drejtuar një organizate si e jona. Kjo është pika vërtet vendimtare", thotë Wagner.

Gjithnjë e më shumë armë

Radikalizimi në rritje i skenës bëri që Sabine të distancohet gjithnjë e më shumë nga NPD. "Gjithnjë e më fort në lojë po hynin armët dhe mendohej për atentate të mundshme. Këtë unë nuk mundesha dhe nuk doja ta bëja." Ndërkohë ajo kishte edhe fëmijë dhe nuk donte, që ata të rriteshin në kushte të tilla, thotë Sabine. "Kësaj i shtohej edhe dhuna ndaj gruas në familje, e cila në qarqet naziste është e përhapur. Dhe kështu vendosa, që të dal."

Asokohe ajo besonte se të huajt duhej të dëboheshin nga Gjermania dhe kontrabandistët e drogës të dënoheshin me vdekje. Por sot është e bindur se "diktatura dhe ekstremizmi çojnë në luftë".

Në vitin 2002 ajo u largua plotësisht nga skena e djathtë dhe atëherë filloi një rrugë vuajtjesh për vite me radhë. Burri i saj ekstremist i djathtë, i cili mbeti edhe më tej në skenë, kërcënonte se do t'i vriste Sabinen dhe fëmijët dhe do të hidhte në erë shtëpinë. Ajo u detyrua të shpërngulej në një qytet tjetër, të ndryshonte emrin dhe gjithë dokumentet. Fillimisht kërkoi ndihmë pranë Autoritetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, por nuk gjeti rezonancën e shpresuar. Më vonë i erdhi në ndihmë OJQ-ja EXIT.

Paratë nuk mungojnë

Edhe pse nuk notojnë në para, organizatave ekstremiste të djathta nuk u mungojnë paratë, thotë Sabine. Ka mjaft njerëz, që vënë në dispozicion mjetet e nevojshme financiare. Ka edhe pensionistë, të cilët u lënë trashëgim imobilje, apo para. Këtyre u shtohen edhe fondet publike p.sh. përmes subvencioneve për NPD, e cila është ende parti e ligjshme. Para informale vijnë edhe nga krimi i organizuar. Grupet ekstremiste të djathta, thotë Sabine, kanë lidhje me qarqe, që merren me tregti armësh e droge dhe me prostitucion.

Neonazis demonstrieren in Halbe
Rreziku i ekstremizmit të djathtë më i lartë, nga sa thonë politikanëtFotografi: picture-alliance/ZB

Është një mit të besosh se në skenën e djathtë kërkojnë strehë vetëm njerëz të varfër dhe të dëshpëruar. Shumë më tepër bëhet fjalë për mjekë, avokatë dhe në përgjithësi për persona me arsim, të cilët i bashkohen skenës së djathtë me bindje. Shpesh kjo injorohet. Sabine thotë edhe se rreziku i ekstremizmit të djathtë në Gjermani është dukshëm më i lartë, nga sa thonë politikanët.

Nga errësira në dritë

Sot Sabine nuk ka më frikë. Ajo të jep përshtypjen e një njeriu të bindur, kur thotë se jeta e saj tani është më e mirë, megjithë vitet e humbura. Tani ajo përpiqet vetë t'u vijë në ndihmë radikalëve të djathtë, që duan të dalin nga ajo skenë, ashtu si dikur EXIT ndihmoi atë.

Juristi Bernd Wagner thotë për Deutsche Welle-n, se deri sot EXIT ka ndihmuar 500 vetë, thuajse të gjithë me sukses. Vetëm në 11 raste rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Nga këta të 11 disa u rikthyen në skenën e djathtë, disa u kthyen në islamistë, të tjerë radikalë të majtë dhe dy përfunduan kontrabandistë droge. Të gjithë të tjerët mundën të fillojnë një jetë të re më të mirë, larg ekstremizmit dhe intolerancës.