1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrjeti i supermarketeve për mallra ndërtimi Praktiker shkon në Shqipëri

Elert Ajazaj13 Korrik 2007

Zëdhënësin i shtypit të firmës "Praktiker", Harald Günter tregon planet e firmës për hapjen e tre supermarketeve në Shqipëri

https://p.dw.com/p/BFf7
Klientë duke kaluar në arkat e një supermarketi të firmës Praktiker në Këln.Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Pas hyrjes së planifikuar këtë vjeshtë në tregun ukrainas grupi i supermarketeve me mallra ndërtimi Praktiker ka në planin e vet të 2008-ës Shqipërinë. Në planin afatmesëm në Shqipëri Praktiker do të hapë tre supermarkete, të parin verën e ardhshme në Tiranë. Ne biseduam me zëdhënësin për shtyp të firmës, Harald Günter, dhe e pyetëm fillimisht përse Praktiker zgjodhi pikërisht Shqipërinë për të investuar.

'Shqipëria është në fakt një treg i vogël jashtë vendit, por interesant për ne. Është interesant sepse atje shënohet një rritje e qëndrueshme e prodhimit social bruto dhe ngjashëm me Bullgarinë dhe Rumaninë përqindja e shtëpive të banuara nga pronarët është mbi 90 për qind. Kësaj i shtohet fakti që pasuritë e patundshme janë në gjendje ku nevojiten rinovime dhe në Shqipëri aktualisht nuk ka supermarkete me mallra ndërtimi dhe për njerëz që duan të riparojnë vetë në shtëpitë e tyre. Pra ne duam të paraqitemi si firmë pioniere për të përfituar vetë si dhe në të mirë të popullsisë në Shqipëri.'

Supermarketet me mallra ndërtimi janë shumë të përhapura jashtë Shqipërisë. Në to mund të gjesh nga veglat e punës me dru dhe me metal deri tek lulet e kopshteve apo aksesorë të thjeshtë automjetesh. Me 420 supermarketet e veta, 27.000 punonjës dhe 4 miliardë euro xhiro Praktiker - me seli në Saarland - zë vendin e katërt në tregun evropian. Pas këtyre shifrave fshihet një strategji novatore koncerni brenda dhe jashtë Gjermanisë. Që prej gushtit 2007 grupi Praktiker ka blerë edhe rrjetin e supermarketeve me mallra ndërtimi Max Bahr.

Në lidhje me dy pikat e tjera të supermarketeve në Shqipëri zëdhënësi i firmës, Günter, na tha:

'Në planin afatmesëm ne do të hapim të paktën në tre vende supermarkete në Shqipëri, por ju lutem kini mirëkuptim për faktin që për çastin nuk mund të flasim për më shume sesa për Tiranën dhe fillimin e atjeshëm. Ne do te shohim se si do te zhvillohet hyrja në tregun e atjeshëm dhe do të marrim vendimet e mëpasme.'