1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritja e çmimit të naftës dëmton ekonominë shqiptare

Arben Muka12 Gusht 2005

Ekspertët e ekonomisë po rekomandojnë që problemi i karburanteve të hyjë në axhendën prioritare të qeverisë së re, për vetë dinamikën e këtij fenomeni në shkallë botërore, si një përpjekje reale për të amortizuar sa më shumë efektet negative. Ata sygjerojnë për autoritetet që të planifikojnë në këto momente të krizës ndërhyrjen në uljen e akcizës së karburanteve të importuara. Ndërkohë që mund të aplikohen dhe subvencionime të përkohshme nga shteti për disa shërbime dhe aktivitete bujqësore e industriale, të cilat e kanë si lëndë të parë këtë produkt

https://p.dw.com/p/Aqj9
Çmimi i naftës rritet nga dita në ditë
Çmimi i naftës rritet nga dita në ditëFotografi: dpa


Një litër karburant tashmë ka kapur nivelin më të lartë të çmimit, me 125 lek. Nëse do të bënim një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë konsumatorëve të karburanteve ju kushton litri, 30 përqind më shtrenjtë. Askush nuk e di sa do të jetë pas një jave, apo pas një muaji, ndërkohë që parashikimet e sipërmarrësve vendas dhe të huaj, që merren me prodhimin dhe importin e karburanteve në Shqipëri janë pesimistë, duke e përshkruar shigjetën e çmimit gjithnjë me “kokën lart”. Kjo, sipas ekspertëve të ekonomisë, do të shkaktojë një proces zinxhir, duke ngritur kokën e shigjetave të çmimeve të mallrave të konsumit, me fjalë të tjera, duke e shtrenjtuar edhe më shumë jetesën e qytetarëve, duke e bërë
gati të pamundur përdorimin e automjeteve nga një pjesë e mirë e tyre, duke rënduar koston e prodhimit aty ku karburanti është lëndë e parë etj.
Kështu, veç periudhës se stërzgjatur të ndërrimit të pushtetit, harlisja e vlerës së karburanteve është një goditje e dytë serioze për ekonominë shqiptare. Meqënëse raporti mes importit dhe prodhimit në vend të naftës është në favor të importit (në kuotën 80 me 20 përqind), atëherë ekspertët e ekonomisë po vlerësojnë se në këtë aspekt Shqipëria është e varur dhe nga oshilimet në çmimin e naftes në tregun ndërkombëtar.
Kryetari i shoqatës së sipërmarrësve që importojnë karburantë, Viktor Nushi, mendon se efekti i rritjes se çmimit të naftës në ekonominë shqiptare për momentin është në stadin fillestar. Ai rendit dy arsye, sipas tij, thelbësore, që për momentin e mbajnë në kuota të kontrolluara rritjen e çmimit të naftes e nënprodukteve të saj. Së pari, thotë Nushi, nga ngrirja e akcizës për këtë produkt dhe së dyti, raporti aktual në nivelin e shkëmbimit mes lekut dhe dollarit.
Në shtatë muajt e parë të vitit 2005 në Shqipëri janë improtuar rreth 155 mijë ton nafte, ndërkohë që kjo sasi është rreth 8 mijë ton më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ekspertët e ekonomisë po rekomandojnë që problemi i karburanteve të hyjë në axhendën prioritare të qeverisë së re, për vetë dinamikën e këtij fenomeni në shkalle botërore, si një përpjekje reale për të amortizuar sa më shumë efektet negative.
Ata sygjerojne për autoritetet që të planifikojnë në këto momente të krizës ndërhyrjen në uljen e akcizës së karburanteve të importuara. Ndërkohë që mund të aplikohen dhe subvesionime te perkohshme nga shteti për disa shërbime dhe aktivitete bujqësore e industriale, të cilat e kanë si lëndë të parë këtë produkt, për të mos lejuar rritjen e kostos, psh të prodhimit të bukës, të përdorimit të mekanikës bujqësore etj.