1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet presioni ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit

25 Prill 2024

Çështja e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë diskutohet të enjten në Bruksel në një kohë të rritjes së rritjes së presionit ndaj Prishtinës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

https://p.dw.com/p/4fA0v
 Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brian dhe kryeministri Kurti në tavolinë me filxhanë kafeje dhe shishe me lëngje
Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brian dhe kryeministri KurtiFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Gjatë kësaj jave është rritur më tej presioni ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, James O'Brien edhe Presidenti i Francës, Emannuel Macron i kërkuan Kosovës që të përparojë urgjentisht drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. O'Brien zhvilloi takim me kryeministrin, Albin Kurti në Gjermani, ku e siguroi se Shtetet të Bashkuara të Amerikës e mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, por Kosova duhet të zbatojë zotimet që dalin nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë. "SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, shkroi O'Brien në platformën X, dhe shtoi se me kryeministrin Kurti diskutoi mbi hapat e nevojshëm pozitivë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O'Brien para takimit me kryeministrin Kurti, ishte në Beograd ku takoi Presidentin e Serbisë ,Aleksandar Vuçiq dhe nga atje tha se "Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar përmbushjen e zotimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit”.

Macron thirrje për Asociacionin

Dy ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Francës Emannuel Macron. Edhe ky i fundit ishte këmbëngulës në kërkesën e tij. "E theksova rëndësinë e përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm nga autoritetet e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”, shkroi Macron në platformën X.

Presidenti Macron në takim me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti, 11 nëntor 2022 -treshja në hyrje të Pallatit Elize, Vjosa Osmani përshëndet me dorë
Presidenti Macron në takim me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti, 11 nëntor 2022Fotografi: Office of the Kosovo Presidency

Kryeministri Kurti përmes një njoftimi "shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit”. Kurti thotë në njoftimin e zyrës së tij se ai "nguli këmbë për respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar” për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Draftstatuti i BE ende pa përgjigje

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk kanë ndalur thirrjet ndaj Kosovës që ta themelojë Asociacionin dhe në këtë kuadër BE-ja i paraqiti muaj më parë Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, por deri tash nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij. Vitin e shkuar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, por kjo marrëveshje, sipas BE-së, nuk po zbatohet nga palët. Serbia këmbëngul që Kosova ta themelojë Asociacionin ndërsa, Prishtina zyrtare kërkon nënshkrim të marrëveshjes për normalizim me garanci ndërkombëtare, gjë që nënshkrimin e saj e refuzon Serbia. Marrëveshja e Ohrit ka 11 nene dhe ndër të tjera parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore.  Bashkimi Evropian dy ditë më parë e përfshiu zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim në BE.

Krerë të BE para takimit me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti, 26 tetor 2023
Krerë të BE para takimit me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti, 26 tetor 2023Fotografi: European Union Council/Anadolu Agency/picture alliance

Sidoqoftë, ka muaj që Prishtina dhe Beogradi nuk kanë zhvilluar takime në nivelin e lartë politik, por, palët dërguan në Bruksel kryenegociatorët. Një takim i tillë zhvillohet edhe këtë të enjte ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia. Ndërmjetësuesi i dialogut Mirosllav Lajçak, para takimit shkroi se "është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit”, që Kosova e ndaloi përdorimin e tij në Kosovë në fillim të muajit shkurt. Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, Mirosllav Lajçak, shkroi se "në takimet e fundit me kryenegociatorët, kanë arritur që ta ngushtojnë hendekun lidhur me këtë temë”, ndonëse akoma nuk është arritur marrëveshje.