1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrethanat e tërheqjes së trupave britanike nga Iraku nuk të krijojnë përshtypjen e një historie të suksesshme

DW4 Shtator 2007

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek tërheqja e trupave ushtarake britanike nga Basra e Irakut.

https://p.dw.com/p/BbG5
Kryeministri britanik, Gordon BraunFotografi: AP


Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" mbi tërheqjen e trupave britanike nga Iraku shkruan:

"Tërheqja mund të ketë qënë e planifikuar dhe e organizuar. Por rrethanat në të cilat po ndodh kjo tërheqje nuk duken si një histori e suksesshme - gjatë natës ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Tërheqja e trupave duket më shumë si një hap mbrapsht e madje si një disfatë. Një karakterizim i tillë do të pasqyronte më qartë situatën në Irakun e jugut, gjendjen në Britaninë e Madhe dhe debatin e muajve të kaluar, që në fundjavën e fundit shkaktuan marrjen e vendimit që solli llogarinë e fundit të amerikanëve dhe anglezëve. Londra dështoi, e madje tërësisht - edhe Braun duhet ta dëgjojë tashmë këtë fjali. Kjo fjali vjen nga radhët e opozitës britanikë dhe nga partnerët amerikanë. Pjesërisht është e drejtë, pjesërisht e gabuar. Por për situatën në Irak, Uashingtoni është shumë më i përgjegjshëm se Londra."

Gazeta "Landeszeitung" komenton:

"Vizita e gjeneralëve tek ushtarët është si seismografi i lojës së luftës: "Misioni u plotësua". Këto fjalë qëndronin shkruar në aeroplanin Abraham Lincoln, kur Xhorxh Bush celebroi fitoren e tij kundër Sadam Hyseinit. Mbrëmë ai fluturoi më mënyrë të fshehtë në Bagdad, por qëndroi në Zonën e Gjelbërt. Në rast se këshilli i luftës në Tigris do të sugjerojë stabilitet për Irakun, atëherë misioni do të mbetet i paplotësuar. Ndërkohë që Bush fluturonte për në Bagdad, trupat britanike tërhiqeshin nga Basra, stacioni i fundit përpara tërheqjes përfundimtare. SHBA-të e humbën luftën e Irakut. Misioni i pamundur plotësoi të paktën një mision: Xhorxh Bush do të hyjë në librat e historisë. Si presidenti amerikan, që ndezi flakën e anarkisë, në vend që të ndizte dritën e demokracisë."

Gazeta "Tageszeitung" nga Berlini:

"Administrata dhe këshilli irakian i sigurimit, të cilin e lënë pas britanikët, është kthyer me kohë në një fushë loje për milicët. Ata qëndrojnë tani në mes të fushës dhe do të mbyllin gropat që po lënë hapur britanikët. Me milicët shiitë rritet edhe pushteti iranian në rajon. Tani do të tregohet sa i madh ishte gabimi për të mos e involvuar Iranin në zgjidhjen politike për Irakun. Teherani do ta pranojë me kënaqësi dhuratën e parë Basra. Por varet nga sjellja e amerikanëve në Iran nëse mullahët do të jenë në të ardhmen fuqia e pushtetit apo shkaktuesit e kaosit."


Në gazetën "Nürnberger Nachrichten" lexojmë:

"Qysh prej marrjes së postit të kryeministrit britanik dhe vizitës së tij të parë zyrtare në SHBA, Gordon Brown (Gordon Braun) e kishte bërë mëse të qartë se nuk do të hyjë në rolin e parardhësit të tij. Ai nuk do t´i fshihet përgjegjësisë. Por nga aspekti afatgjatë, ai e bëri të qartë se qeveria e tij nuk sheh më asnjë kuptim t´i lërë trupat e saj në Irak deri në ditën e fundit. Kështu që tërheqja e trupave është një shenjë simbolike për përfundimin e angazhimit britanik atje."

Dhe së fundi në gazetën Süddetusche Zeitung lexojmë:

"Kryeministri Gordon Braun po përpiqet t´i dëshmojë opinionit publik se koha e tërheqjes së trupave ishte planifikuar me kohë. Pasardhësit të Blairit nuk do t´i shkonte fare po të tregohej tani i butë; pikërisht në këtë fazë kaq delikate. Por sidoqoftë kryeministri britanik po luan me kohën. Sepse tërheqja simbolike e trupave ushtarake britanike nga Basra është fillimi i fundit të angazhimit të Britanisë së Madhe në Irak. Por aktualisht vetëm mediat në Londër kanë guxim të shkruajnë hapur të vërtetën, duke shpresuar se edhe qeveria do të merret dikur me të vërtetën."