1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roma e lashtë në Lajpcig në një panoramë 360 gradë

26 Nëntor 2005

Më shumë se 500.000 vizitorë priten në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur për mëse një vit

https://p.dw.com/p/AsHF
Panoramë e Romës nga Jadegar Asizi në cisternën e vjetër të gazit në Lajpcig
Panoramë e Romës nga Jadegar Asizi në cisternën e vjetër të gazit në LajpcigFotografi: AP

Artisti i iluzioneve Jadegar Azizi ka ringjallur në Lajpcig Romën antike në një panoramë prej 360 gradësh të vendosur në një gazometër të nxjerrë jashtë përdorimit. Artisti ka përdorur stof të stampuar për të mbuluar me një kolazh fotosh gjigande rreth 3500 metra katrorë. Në panoramë mund të shihet ndër të tjera hyrja në Romë e perandorit Konstantin në vitin 312. Me rreth 30 metra lartësi panorama e rrumbullakët është më e madhja në botë e këtij lloji. Ajo do të jetë e hapur deri në fund të vitit të ardhshëm dhe pritet të tërheqë rreth 500.000 vizitorë ashtu si projekti i mëparshëm i Asizit një panoramë e Malit Everest. Duke folur për efektet e panoramave të tij Azisi thotë se vizitorëve duhet t'u krijohet përshtypja se kam patur në duar një aparat fotografik 1700 vjet më parë. Në fakt Azisi me ndihmën e dy restauratorëve për arkitekturë historike dhe kulturën romake ka kombinuar me aq mjeshtëri piktura historike në vaj sa ato duken sikur shkrihen me njëra-tjetrën: Perandori Konstantin me pelerinë të purpurtë, nëna e tij Helena, Forum Romanum në jug, tempulli i Jupiterit dhe themeluesit e Romës antike Romulus dhe Remus.
Vizitorët nga një tribunë 12 metra të lartë do të përjetojnë Romën antike nga lindja e diellit e deri në perëndim.
Panorama e re e artistit që jeton në Berlin thyen edhe rekorde teknike: kopja kompjuterike u zhvillua në një stof poliestre të prodhuar enkas dhe është stampuar me një cilësi fotografie prej 300 dpi në 37 shirita nga tre metra të gjerë."Jam i sigurt se është fotoja më e madhe e prodhuar ndonjëherë. Për qepjen e shiritave 30 metra të gjatë ndërtuam një makinë të posaçme" thotë prodhuesi Raimund Marks nga Lennestadt.
Asizi nuk tregon se sa para ka investuar në këtë projekt, ai dëshiron më mirë të flasë për projektin e tij të ardhshëm: 800 vjet pas përmendjes së parë të dokumentuar të Dresdenit Asizi dëshiron të ringjallë shkëlqimin barok të qytetit mbi lumin Elbë në një gazometër të kryeqytetit të landit të Saksonisë. Për këtë Asizi frymëzohet nga panoramat e italianit Canaletto të shekullit të 18-të.