1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët në Shqipëri të zhgënjyer nga shteti

Mimoza Cika Kelmendi8 Prill 2006

Komuniteti rom në Shqipëri është komuniteti me më shume probleme sociale. Problemi i regjistrimit te popullsise se tyre, arsimimit,strehimit, shëndetesise, si edhe te problemeve te tjera qe shqetesojne kete komunitet janë përfshirë në një projekt të përbashkët të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare.Vetë romët ndjehen të përjashtuar nga shteti ,veçanërisht në çështjen e integrimit në shoqëri

https://p.dw.com/p/Aqej
Fotografi: Jan Grarup, Denmark, Politiken/Rapho for Geo Germany

Jetojnë të zhytur në varfëri dhe skamje. Sëmundjet dhe injoranca i kanë shoqëruar gjithmonë, pasi shumica e tyre nuk janë ulur kurrë në bankat e shkollës. Romët që jetojnë në territorin e Shqipërisë janë të përfshirë në disa shoqata, të cilat të shtrira në të gjithë republikën së bashku me përfaqësues të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare prezantohen me nje projekt të përbashkët me Komisionin evropian për trajtim dhe të drejta të barabarta.Ky projekt do të përfshihet në dy vitet e ardhëshme.Komiteti shtetëror për minoritete, pranë Këshillit të ministrave, ka marrë përsipër zbatimin e një strategjie , vecanërisht në pjesëmarrjen e komunitetit rom në jetën aktive të vendit dhe në shumë fusha të tjera.Për këtë strategji janë ngarkuar 12 ministri, të cilat me pozicionet e tyre do të marrin masa urgjente për implementimin e kësaj strategjie.

Megjithatë sipas kryetares së këtij komiteti,,Kostandina Bezhani,komuniteti i romëve mbetet problematik veçanërisht në çështjet sociale.

„Vazhdon ky komunitet të ketë probleme sociale dhe ekonomike, të cilat vijnë si nga faktorë objektivë ashtu dhe nga faktorë subjektivë. Nga niveli i ulët arsimor, vështirësohet gjetja e tregut të punës.Në këtë drejtim ne përpiqemi duke i sygjeruar qeverisë masa për ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të minoritetit.Në bashkëpunim me organizmat qëndrore dhe vendore, ne mundohemi të zbusim varfërinë nëpërmjet trajnimeve“.

Problemi i arsimit të romëvë mbetet gjithashtu një nga problemet më shqetësuese.Ministria e arësimit i bën shkaktarë vetë romët për mosfrekuentimin e bankave , pasi shkollat kurrë nuk ua kanë mbyllur derën.

Por Meleqe Rrënja , mesuese rome , e vetmja qysh nga viti 1964 në Shqipëri, vë në pah kushtet që e pengojnë shkollimin e fëmijëve romë në vend.

„Këtu mungon kryesorja. Njeriu nuk ka strehën , nuk ka punën, nuk ka bukën e gojës.Atëhere cfarë mund të bëjmë neve.Të them të vërtetën, e ndjej shumë, shumë të nevojshme arsimimin e tyre.Si mësuese që jam, gjithmonë nga shteti ,si dhe nga projektet, kam kërkuar përgatitjen e fëmijve parashkollorë dhe riaftësimin e atyre që kanë lënë shkollën në kohën e tranzicionit“.
Romët në Shqipëri ndjehen të zhgënjyer nga shteti.Kryetari i shoqatës rome „Sudni Albania“, Arben Kosturi,thotë për DW, se shteti dhe shoqëria nuk kanë ndjeshmëri për këtë komunitet.Ata nuk tregojnë interes për hallet e tyre.

„Këtu nuk ka ndonjë ndjeshmëri për integrimin e komunitetit rom.Dhe për këtë është fajtore qeveria, se shteti ka miratuar një strategji për këtë minoritet dhe në fakt nuk ka futur në lëvizje asnjë nga pikat ku ne kemi pasur probleme , për kushtet e këqia që ka ky komunitet“

Shumë romë enden nëpër vende të ndryshme me çadrat e tyre, sepse nuk kanë patur kurrë fatin të kenë një shtëpi si të tjerët.Këtë fakt e ilustron kryetari Kosturi me një rast konkret në qytetin e Pogradecit.

„Nga fillimi i viteve 90’ e deri sot nuk është strehuar asnjë familje rome.Mund t’ju flas me fakte.Në Pogradec është ngritur një pallat për familjet rome dhe kishin vënë dy muaj e gjysëm një tabele ku shkruhej „Për romët“, është hequr më pas tabela dhe në pallat asnjë rom nuk ka marrë hyrje“.
Interesimi i grave rome për të mësuar si shkruhet e si lexohet gjuha shqipe
është shumë i madh. Ato e dinë se në ditët e sotme të jesh analfabete do të
thotë të shoqërohesh nga injoranca dhe padituria.

Mesuesja Meleqe Rrënja shpreh në mikrofonin tonë interesin dhe dëshirën që kanë gratë rome për t’mësuar të shkruajnë dhe për t’u interguar në shoqëri.

„Gruaja rome në Shqipëri mundohet të integrohet në shoqërinë shqiptare, por e keqja qëndron se ajo është komplet e papunësuar dhe njëkohësisht e pashkolluar..Megjithatë, në po përpiqemi, vetëm e vetëm me projekte, që ajo të gjej vetvehten në familje , në shoqëri dhe kudo“.

Shqetësim për romët në Shqipëri ka shprehur edhe Brukseli. Çështja e romëve në Shqipëri është trajtuar disa herë në takimet e fundit mes ekspertëve të BE-së dhe të qeverisë shqiptare, si dhe është vlerësuar hartimi i strategjisë për këtë çështje.