1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Retrospektive e e 2006-es ne futboll

Arnulf Boettcher31 Dhjetor 2006

Kampionati Boteror ne Gjermani dominoi vitin futbollistik

https://p.dw.com/p/AsIn
Ikona Franz Beckenbauer solli edhe boterorin 2006 ne Gjermani
Ikona Franz Beckenbauer solli edhe boterorin 2006 ne GjermaniFotografi: AP

Viti futbollistik u karakterizua teresisht nga kampionati boteror i zhvilluar ne vere ne Gjermani. Para se gjithash ekipi gjerman e la per kater jave rresht pa fryme kombin duke ngjallur nje vale entuziazmi.

Mendimi i përgjithshëm ishte i qartë: Gjermania duhet të fitonte për të katërtën herë titullin kampion bote. Po aq qartë ishte shpallur synimi i trajnerit Jürgen Klinsmann:

"Në një kampionat botëror si ky në vendin tonë do të përpiqemi që të fitojmë titullin."

Udha e synuar drejt finales nisi tepër premtuese për njëmbëdhjetëshen e kombëtares:

Philipp Lahm shënoi golin e parë të botërorit:

"Lojtari ëndërron që ta arrijë këtë. Ia dola të shënoj një gol në ndeshjen e hapjes të kampionatit botëror."

Philipp Lahm dhe goli i tij i fantastik në hapje të botërorit në Mynih: Me rezultat 4:2 dhe me një futboll befasues sulmues mikpritësit mundën në ndeshjen hapëse Kosta Rikën. Por që në ndeshjen e dytë në grup kundër Polonisë filluan dridhjet, deri në minutën e fundit.

Oliver Neuville shënoi golin e fitores në minutat shtesë të kohës së rregullt. Me fitoren 1:0 kundër Polonisë ishte arritur përpara kohe synimi paraprak: gjashtëmbëdhjetëshja; por trajneri dhe mjeshtri i motivimit Jürgen Klinsmann mendonte ndërkohë më tutje.

"Ne duam të marrim pjesë deri në mbyllje të kampionatit. Dhe sa më shumë përparon aq më shumë respekt kanë për ty kundërshtarët."

Këtë respekt njëmbëdhjetëshja e Klinsmannit e fitoi në ndeshjen e fundit në grup në Berlin. Golashënuesi më i mirë i kampionatit Miroslav Klose kontribuoi dy gola për fitoren 3:0 kundër Ekuadorit. Për të parën herë Klose bëri salton e vet karakteristike.

"Ne donim të dilnim të parët në grup dhe synonim të shënonim herët. Të dyja këto ndodhën dhe prandaj e bëra salton."

Në tetëshe në Mynih erdhi përballja me Suedinë. Në lojën më të mirë të ekipit gjerman gjatë botërorit ishte vendimtar një Lukas Podolski në formë të shkëlqyer, i cili do të thoshte:

"Unë dhashë kontributin tim për fitoren. Këtë detyrë kam si sulmues. Fitorja i takon skuadrës, nuk është vetëm e imja."

Podolski, i cili ishte vetëm njëri prej shumë lojtarëve të rinj në ekipin gjerman, u vlerësua pas turneut si lojtari më i mirë i ri. Megjithatë në çerekfinale kundër Argjentinës u bë një lojtar me përvojë "matchwinner": portieri Jens Lehmann, i cili priti penalltinë e Cambiasso-s:

5:3 fitoi Gjermania pas gjuajtjes së njëmbëdhjetëmetërshave. Por ëndrra gjermane për fitimin e kampionatit do të merrte fund në gjysmëfinale. Në Dortmund fitoi me dy gola të vonët një ekip italian i regjur.

Michael Ballack:

"Mendoj që kur avancon kaq shumë në turne edhe do të arrish finalen. Është e hidhur që përsëri nuk do të marr pjesë në finale."

Michael Ballack nuk mund të ngushëllohej. Kapiteni gjerman nuk kishte marrë pjesë as në finalen e 2002-it kundër Brazilit për shkak të një dënimi. Megjithatë ekipi gjerman pati një mbyllje të shkëlqyer kampionati: Vendi i tretë pas dy golash të Sebastian Schweinsteiger-it në ndeshjen e fituar 3:1 kundër Portugalisë në Shtutgart. Ishte kjo njëkohësisht ndeshja e lamtumirës për portierin Oliver Kahn:

"Kjo e sotmja ishte ndeshja ime e fundit ndërkombëtare dhe besoj se nuk mund të kesh ndeshje ndërkombëtare të fundit më të bukur."

Në finale u ndeshën Italia me Francën, dy ekipet me mbrojtjet më të mira. Me një goditje me kokë në gjoksin e kundërshtarit Marco Matterazzi kapiteni francez Zinédine Zidane i mori fitoren e merituar ekipit të vet.

Në pranverë në rrafsh kombëtar Bajerni i Mynihut shënoi një arritje historike. Nën drejtimin e trajnerit Felix Magath ai fitoi për të dytën herë me radhë dopion shumë të synuar: kampionat dhe kupë.