1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republikanët Haley dhe Cheney kritikojnë Trump dhe Vance

10 Shtator 2024

Donald Trump dhe zëvendëspresidenti i tij J.D. Vance përballen me kritika të reja nga brenda partisë: Haley, ish-ambasadore në OKB, i quajti komentet e Vance "të padobishme". Cheney ishte edhe më e hapur.

https://p.dw.com/p/4kQQP
Donald Trump dhe Senatori JD Vance
Donald Trump dhe Senatori JD VanceFotografi: Carlos Osorio/AP Photo/picture alliance

Ish-kandidatja republikane për president, Nikki Haley ka kritikuar komentet nënçmuese të kandidatit për zëvendëspresident J.D. Haley. Vance për gratë pa fëmijë. "Nuk është e dobishme të flasim nëse gratë kanë fëmijë apo jo”, tha 52-vjeçarja për deklaratat e koleges së saj partiake. "Nëse doni të flisni për gjëra, qëndroni në përmbajtjen politike. Amerikanët janë të zgjuar. Ata nuk kanë nevojë për gjithë këtë zhurmë tjetër shpërqendruese."

Komente nënçmuese për ata pa fëmijë

Kandidati republikan për president, Donald Trump, prezantoi Vance si kandidatin e tij në mes të korrikut. Menjëherë pas kësaj, politikani dhe autori u kritikua për deklaratat e tij seksiste për gratë pa fëmijë. Në një intervistë në vitin 2021, babai i tre fëmijëve i qe referuar politikaneve të larta demokrate si "gra mace pa fëmijë". Vance më vonë u ankua se ishte keqkuptuar.

Megjithatë, nuk ishte deklarata e tij e vetme në këtë drejtim: Vance gjithashtu një herë bëri thirrje që njerëzit pa fëmijë të kenë më pak të drejtë që të flasin në demokraci dhe të paguajnë më shumë taksa. Ai gjithashtu vazhdoi të bënte komente nënçmuese për njerëzit pa fëmijë gjatë fushatës zgjedhore.

Nikki Haley
Nikki HaleyFotografi: Anthony Behar/Sipa USA/picture alliance

Haley dhe Trump ishin rivalë të ashpër në fushatën paraprake republikane në fillim të këtij viti. Në atë kohë, ish-ambasadorja amerikane në OKB kishte vënë në pikëpyetje aftësinë mendore të Trumpit për presidencën. Trump, nga ana e tij, përhapi dezinformata për partneren e tij të partisë dhe e ofendoi duke e quajtur atë një "tru zogu". Megjithatë, ajo e mbështeti demonstrativisht ish-rivalin e saj në konventën e Partisë Republikane në korrik.

Cheney: Trumpi është "kërcënim për republikën”

Republikanja Liz Cheney e ka kritikuar gjithashtu Trumpin. Në një intervistë për ABC, ajo e quajti kandidatin presidencial të partisë së saj një "kërcënim për republikën". Ai është i gatshëm të përdorë dhunën për të marrë pushtetin dhe është një "katastrofë e pariparueshme". "Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që ai të mos zgjidhet përsëri”, tha liderja veterane republikane.

Liz Cheney
Liz CheneyFotografi: Bob Daemmrich/ZUMAPRESS.com/dpa/picture alliance

Ajo ishte gjithashtu kritike për gjendjen e partisë së saj. "Ajo që po ndodh me Partinë Republikane sot është e pafalshme. Unë shpresoj se ne jemi në gjendje ta rindërtojmë atë në të ardhmen." Shumica e amerikanëve favorizojnë një transferim paqësor të pushtetit presidencial dhe presin që palët ta garantojnë atë.

Kritikja më e zëshme e Trumpit

Cheney aktualisht konsiderohet si kritikja më e zëshme i Trumpit në mesin e republikanëve. Politikania konservatore ka paguar një çmim të lartë për këtë. Ajo humbi rolin drejtues brenda partisë dhe përfundimisht edhe vendin e saj në Dhomën e Përfaqësuesve. Babai i saj, Dick Cheney, e përshkroi gjithashtu Trumpin si "kërcënimin më të madh për SHBA-në" në vitin 2022. Ai ishte nënpresident nën Presidentin e SHBA, George W. Bush nga viti 2001 deri në 2009. Dick Cheney konsiderohej i linjës së ashpër dhe një nga figurat qendrore prapa pushtimit amerikan të Irakut në 2003.

Këta politikanë i bashkohen një numri republikanësh që e konsiderojnë Trumpin një kërcënim për demokracinë dhe që, për rrjedhojë, refuzojnë ta mbështesin atë. Midis tyre janë përfaqësues të shquar të partisë si senatori dhe ish-kandidati presidencial Mitt Romney, Mike Pence, i cili ishte nënpresident nën Trump-in dhe ish-këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton.

Sondazhet flasin për garë të ngushtë

Në sondazhe, Trump dhe kundërshtarja e tij demokrate Kamala Harris mbeten pak a shumë të barabartë. Megjithatë, një sondazh i ri ka të ngjarë të shihet si një shenjë paralajmëruese nga ekipi i fushatës së demokratëve. Në një sondazh të votuesve të mundshëm të porositur nga New York Times, mbështetja për Trumpin ishte 48%, ndërsa ajo për Harrisin 47%. Duke marrë parasysh të gjithë votuesit e regjistruar, Harris ka një mbështetje prej 46% dhe Trumpi 48%. Diferenca është brenda kufirit të gabimit prej tre pikë përqindjeje.

tg