1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reinhard Priebe: "Edhe Shqipëria do të bëhet një ditë antare e BE-së"

Sonila Harasani6 Qershor 2006

Në 12 dhe 13 qershor Shqipëria do të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle, drejtori i Zyrës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Reinhard Priebe, flet mbi shanset, mundësitë dhe opcionet që ofron kjo marrëveshje për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për t´u bërë dikur antare e familjes evropiane.

https://p.dw.com/p/AqdQ

DW: BE-ja ka deklaruar se sidomos sektori i drejtësisë dhe ai i demokratizimit, janë faktorë vendimtarë për pranimin në familjen evropiane. Si është niveli i Shqipërisë në këtë drejtim?

Priebe: Në rradhë të parë duhet të theksoj se jemi shumë të kënaqur që pas debatesh dhe diskutimesh të gjata që patëm në lidhje me marrëveshjen e stablizim-asociimit, ja arritëm që më 12 dhe 13 qershor të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare e stabilizim-asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Sigurisht që në Shqipëri ka shumë punë për të bërë. Por ky është qëllimi i marrëveshjes së stabilizim-asociimit, pra që BE-ja të ketë një lidhje sa më të ngushtë me shtetin që e nënshkruan këtë marrëveshje, për të zgjidhur kështu më mirë problemet që zotërojnë në vend. Në Shqipëri problemi më i madh është se institucionet demokratike nuk funksionojnë siç duhet. Pikërisht këtu duhet të punojmë më shumë. Shqipëria është një shembull i mirë, se përse ka rëndësi kaq të madhe marrëveshja e stabilizim-asociimit. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, do të punojmë në mënyrë intensive që Shqipëria të përgatitet në mënyrë të duhur, përpara se të mendojmë mbi hapa të tjerë. Mendoj se qeveria shqiptare ka bërë përparime, andimistrata shtetërore ka mësuar shumë gjatë kësaj faze 3 vjeçare të bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Ne duhet të lavdërojmë më shpesh punën që kryhet në përgjithësi në vendet e Evropës Juglindore, dhe jo vetëm të kritikojmë.


DW: Le të flasim mbi çështjen e pronave në Shqipëri. Ju jeni marrë personalisht me këtë temë. A ka zhvilluar BE-ja ndonjë strategji apo plan se si mund të zgjidhet ky debat kaq delikat në Shqipëri?


Priebe: Ne i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet e këtij debati. Çështja e pronave në Shqipëri është sigurisht delikate, por duhet të kemi parasysh se zgjidhjet e mundshme që mund të ofrojmë ne, kushtojnë shumë para. Ka disa kritere që janë vendosur nga Këshilli i Evropës se si mund të zgjidhen çështjet e pronave. Por duhet të keni parasysh, se kontrata e Be-së përmban një paragraf, sipas të cilit çështjet e pronave nuk bien në përgjegjësinë e BE-së. Kjo
është një fushë, në të cilën ne kujdesemi që të respektohen standartet kryesore të të drejtave të njeriut, çka do të thotë se Shqipëria duhet t´u përmbahet kritereve të vëna nga Këshilli i Evropës. Por ne nuk mund të japim rekomandime në detaje, pra se si duhet të jetë ligji mbi pronat në vend. Dhe ne e dimë edhe nga vendet tona antare, si për shembull në Gjermani pas ribashkimit të saj, se çështje të tilla janë shumë komplekse dhe zgjidhjet e këtyre çështjeve janë gjithmonë të lidhura me shpenzime të larta financiare. Por ne e ndjekim me shumë vëmendje këtë çështje. Marrim gjithashtu rregullisht letra nga qytetarë shqiptarë, të cilët nuk janë të kënaqur me ligjin e deritanishëm. Pra ne jemi duke zhvilluar bisedime me qeverinë shqiptare dhe me Këshillin e Evropës mbi këtë çështje.


DW: Cilat janë problemet apo pengasat më të mëdha në Shqipëri dhe në cilën fushë janë arritur suksese?


Priebe: Në Shqipëri ka shumë pengesa dhe do të ishte gabim të përmendim njërën apo tjetrën pengesë si më të madhen. Mendoj se Shqipëri një ndër pengesat më serioze është mosfunksionimi i dialogut konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Këto dy fuqi politike duhet të kuptojnë më në fund se rruga drejt Evropës është prioriteti i parë për Shqipërinë. Ky është një problem i madh dhe ne si BE e shohim me shqetësim këtë fenomen. Por në Shqipëri ka edhe probleme apo vështirësi të tjera. Një sukses është se Shqipëria ka bërë përparime ekonomike, ndonëse në nivel të ulët. Shoqëria shqiptare është konsoliduar dhe besoj se marrëveshja mbi stabilizim-asociimin do ta ndihmojë Shqipërinë në drejtim të perspektivës së saj evropiane, që është ende shumë larg. Por sidoqoftë edhe Shqipëria do të bëhet një ditë antare e BE-së.


DW: Vetëm se kur nuk e dini?


Priebe: Këtë nuk mund ta themi dot sot, jo.


DW: Si janë shanset e Kosovës për pavarësi deri në fund të këtij viti? Dhe mbi të gjitha, si e sheh BE-ja Kosovën, si një antare të mundshme?

Priebe: Nuk mund të jap komente mbi këtë debat kaq të ndërlikuar, si statusin e Kosovës. Ka disa opcione, por unë nuk mund të ndërhyj në punën e Marti Ahtisarit dhe të them se cili opcion do të ishte më i përshtashëm për Kosovën. Rëndësi ka që ta zgjidhim çështjen e statusit sa më shpejt, pra sipas mundësive brenda këtij viti. Ne kemi thënë gjithmonë se Kosova, pavarësisht nga statusi i saj, është pjesë e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se ne bashkëpunojmë edhe me Kosovën, për t´i plotësuar më mirë kriteret evropiane. Pra sido që të vendoset statusi i saj, Kosova do të mbetet pjesë e perspektivës evropiane, ashtu siç ka qënë edhe më parë. Pra ne do të vazhdojmë të ndihmojmë nga ana teknike, do të vazhdojmë të këshillohemi me qeverinë vendore përsa i përket standarteve evropiane, do të forcojmë marrëdhëniet tregtare dhe do të përpiqemi që Kosova të bëhet pjesë e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Pra ne do ta vazhdojmë punën tonë, e cila nuk do të ndikohet nga debati aktual mbi statusin e Kosovës, që le të shpresojmë se do të jetë zgjidhur deri në fund të vitit.


DW: Ju flisni mbi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. A do të pranohen këto vende në BE dikur të gjitha së bashku?

Priebe: Nuk e di dhe nuk kam ndonjë vizion kohor lidhur me këtë opcion. Unë nuk e besoj, por këto janë tani spekullime. Duhet të theksoj se gjithçka varet se kur do të plotësohet kriteret e vëna nga BE-ja për antarësim. Ne duk do t´ja ndalojmë ndonjë shteti hyrjen në BE, në rast se i ka plotësuar të gjitha kriteret, edhe në rast se vendet fqinje nuk i kanë plotësuar ende ato.


DW: Shumë vende përëndimore evropiane, si për shembull Hollanda dhe Franca, janë të mendimit se pas zgjerimit të fundit me 10 antarë të rinj, BE-ja duhet të presë disa kohë përpara se të antarësojë vende të tjera, sidomos nga Lindja e Evropës. Frika e shumë qytetarëve evropianë është se me antarësimin e vendeve në të cilat ushtrohet feja myslimane, dhe kjo fe ekzisiton pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në BE do të hyjnë edhe tendenca radikale islamike. Cilat masat po ndërmerr BE-ja për t´ja hequr këtë frikë qytetarëve evropianë?


Priebe: Në rradhë të parë është e rëndësishme të theksojmë se duhet të punojmë shumë për t´i sqaruar qytetarët se çfarë do të thotë antarësimi në BE. Opinioni publik në vendet antare të BE-së nuk është i informuar siç duhet mbi këtë temë dhe nuk dallon ndryshime mes vendeve aspirante për antarësim. Komisari i BE-së për zgjerimin Olli Rehn, e ka kthyer këtë çështje në një prioritet të rëndësishëm të punës së tij. Ne duhet t´i sqarojmë qytetarët mbi rëndësinë që ka perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor. Opinioni i këtushëm publik duhet ta kuptojë se kjo perspektivë është e rëndësishme për stabilitetin në rajon, dhe stabiliteti mund të ruhet vetëm nëpërmjet një perspektive të tillë evropiane. Nuk ekziston ndonjë pengesë në lidhje me fenë apo etninë që ka një vend aspirant për antarësim. Në rast se ne do t´i kushtonim vëmendje këtyre fushave, atëherë do të vepronom në kundërshtim me principet e kritereve të Kopenhagenit. Unë e theksoj edhe njëherë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë evropiane, por këto vende duhet të plotësojnë kriteret e BE-së. Më pas rruga drejt BE-së do të jetë më e lehtë dhe më e shpejtë.