1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët serbë nga Kroacia përkujtojnë eksodin e tyre 12 vjet më parë

4 Gusht 2007

Protestuesit në Beograd kanë kërkuar nga qeveria në Zagreb marrjen e masave për rikthimin e tyre dhe zbardhjen e fatit të të humburve gjatë luftës

https://p.dw.com/p/BQ0L
Shtëpi e shkatërruar në Kroaci gjatë luftës për pavarësiFotografi: Flickr

Qindra refugjatë serbë nga Kroacia kanë përkujtuar sot (04.08), 12 vjetorin e eksodit të tyre nga Kroatia duke kërkuar t'u jepet e drejta e rikthimit në shtëpitë e tyre si dhe më shumë të drejta në vendlindje. Rreth 250.000 serbë u detyruan me forcë të largohen nga Kroacia në vitin 1995 kur Zagrebi nisi një ofensivë për rimarrjen e territoreve që mbaheshin nga rebelët serbë që prej fillimit të luftës në vitin 1991. Dhjetëra mijëra refugjatë janë rikthyer qysh atëherë në Kroaci por ende mijëra vazhdojnë të mbeten në Serbi dhe akuzojnë qeverinë kroate se nuk po bën thuajse asgjë për të mundësuar rikthimin e tyre. Protestuesit u mblodhën sot (04.08) përpara ambasadës kroate në Beograd me pankarta në të cilat shkruhej: "Krime të padënuara" dhe "Kroacia ende fsheh të humburit". Protestuesit kanë kërkuar nga qeveria në Zagreb të marrë masa për të zgjidhur problemin e refugjatëve dhe për hetimin e fatit të qindra personave të humbur gjatë kohës së luftës. Serbët e Kroacisë kanë kërkuar gjithashtu më shumë të drejta duke akuzuar se nuk trajtohen si qytetarët e tjerë në Kroaci dhe pësojnë diskriminime. Akuza të tilla janë hedhur poshtë në të kaluarën nga qeveria kroate.

Ndërkohë presidenti i serbëve të Bosnjës Milan Jelic ka shprehur sot keqardhje që Kroacia feston si festë kombëtare operacionin e njohur me emrin "furtuna" si pasojë e të cilit u dëbuan dhe u vranë qytetarë serbë të Kroacisë. Sipas Jelic 5 gushti (që shënoi fundin e operacionit "furtuna" në vitin 1995) nuk duhet festuar si ditë fitoreje por të "shërbejë për të rikujtuar se zbutja e pasojave të krimeve të luftës është detyrë humanitare dhe vënie në vend e drejtësisë".

Në vitin 2005 me rastin e festimit të përvjetorit të operacionit "furtuna" presidenti kroat Stipe Mesic u pati kërkuar bashkëkombasve të tij të pranonin se ndaj serbëve janë kryer krime lufte.