1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët irakianë kanë nevojë për më shumë ndihmë

24 Shtator 2007

Bashkësia ndërkombëtare bën shumë pak për t´u ndihmuar refugjatëve irakianë, konkludon AI në raportin e saj. Sipas UNHCR-së të paktën 4 milionë irakianë jetojnë si refugjatë brenda dhe jashtë vendit të tyre.

https://p.dw.com/p/BjGY
Refugjatë irakianë në Damask, SiriFotografi: AP

Gjendja humanitare e refugjatëve nga Iraku jashtë vendit të tyre është shqetësuese dhe injorohet nga bota", tha drejtori i programit të AI (Amnesty International) për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Malcolm Smart. Në raportin e AI, publikuar të hënën (24.09) në Londër bëhet thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare për vendet si Siria dhe Jordania, që ndërkohë kanë pranuar përkatësisht 1,4 milionë dhe 500.000 refugjatë. Abet Otman intervistoi për DW zëdhënësen e seksionit të AI për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Nikol Shojeri (Nicole Choueiry). E pyetur fillimisht, se përse raporti u pulikua pikërisht tani, ajo përgjigjet:

"Amnesty International vendosi ta publikojë sot këtë raport për të sjellë në qëndër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar krizën e vazhdueshme të refugjatëvë irakianë, që po rritet dita-ditës dhe është gati të shpërthejë. Eshtë shumë e rëndësishmë të theksohet, se përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar është e barabartë në asistimin e refugjatëve irakianë. Deri tani, bota ka bërë shumë pak dhe ka mbyllur një sy për të mos u përballur me këtë krizë të madhe."

E pyetur më tej, se për çfarë synon të apelojë ky raport, zëdhënësja Shojeri thekson:

"Në këtë raport Amnesty International shpjegon disa mënyra dhe disa hapa që mund të ndërmerren nga komuniteti ndërkombëtar, por në veçanti ka përgjegjësi në dhënien e asistencës ndaj komisariatit të lartë të OKB-së për refugjatët, UNHCR, si edhe ndaj qeverive të Jordanisë dhe Sirisë, që cilat deri tani kanë mundur të strehojnë më shumë se dy milionë refugjatë. Nuk duhet harruar se bashkësia ndërkombëtare dhe në veçanti vendet evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjithashtu detyrim moral për të dhënë ndihmë financiare, teknike dhe asistencë bilaterale ndaj këtyre vendeve dhe ndaj UNHCR-së. Ato gjithashtu kanë detyrimin të mirëpresin refugjatët irakianë dhe ata që kërkojnë strehim politik. Deri tani, disa shtete kanë pranuar të mirëpresin refugjatë irakianë, por ky proces ka qënë shumë i ngadaltë dhe masa e refugjatëvë të pranuar është shumë e vogël në krahasim me madhësinë e problemit. Për një shtet si Mbretëria e Bashkuar britanike, për shembull, që ka një popullsi prej 60 milion banorësh, 400 refugjatë janë shumë pak. Një tjetër problem shumë i madh për të cilin bën fjale raporti ka të bëjë me faktin, se shumë vende janë duke i përjashtuar njerëzit dhe janë duke i kthyer ato në Irak. Dhe përsëri Mbretëria e Bashkuar është një shembull i këtyre vendeve sepse ajo ka zgjedhur t'i rikthejë refugjatët forcërisht në Irak. Amnesty International beson se mospranimi i kërkesave për azil politik mund të ndodhë vetëm në rast se situata në Irak është stabilizuar dhe ka kushte për një paqe të gjatë dhe të qëndrueshme, por, siç e dimë, kjo gjë nuk po ndodh."

Sa i përket pozicionit të Gjermanisë, zëdhënsja e AI-së thekson:

"Amnesty International është shqetësuar gjithashtu për faktin, se Gjermania ka përjashtuar shumë refugjatë irakianë, që kishin statusin e refugjatit. Natyrisht, ky është një problem shumë serioz sepse kjo gjë do të thotë, që këta njerëz ishin të mbrojtur nga ky status dhe tani nuk janë më. Gjithashtu ne i tërheqim vëmendjen Gjermanisë të ndërpresë procedurat e kthimit të refugjatëve irakianë ose të njerëzve me një status tjetër."