1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët e parë afganë priten në Shqipëri

17 Gusht 2021

Mbërrijnë sot në Shqipëri refugjatët e parë afganë. Ambientet për strehimin e tyre janë gati.

https://p.dw.com/p/3z5Eu
Albanien Olta Xhaҫka
Fotografi: Ministry of Defence Repubik of Albania

Burime zyrtare nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëjnë me dije se në pasditen e sotme (17.08) pritet të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza” në Tiranë grupi i parë i refugjatëve politikë afganë.

Lajmi bëhet i ditur pas një takimi që ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi sot me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. 

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në deklaratën dhënë mediave pas takimit tha se në fokus të takimit me Ministren Xhaçka ishte çështja e strehimit të refugjatëve politikë afganë në Shqipëri.

Kim: Nuk e dimë numrin e refugjatëve që do të vijnë

Yuri Kim bisedon me Olta Xhaçkan
Fotografi: Albanian Ministry for Europe and Foreign Affairs

"Situata po ndryshon shumë shpejt. SHBA po punojnë ngushtë me qeverinë shqiptare. Nuk kemi ende një numër të caktuar për refugjatët afganë që do të vijnë këtu dhe do të shkojnë në destinacionin final, në SHBA, ndërkohë që të tjerë po shkojnë direkt në SHBA,” tha në deklaratën për mediat ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, e vlerësoi takimin "të frytshën për një situatë dinamike që po e ndjekim minutë pas minute.”

"Shqipëria është e gatshme të ndihmojë me sa mundet. Po përgatiten ambientet për strehimin e refugjatëve politikë afganë” tha ajo.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisësë Jashtme, grupi i parë i refugjatëve politikë afganë do të mbërrijë rreth orës 16.30 sot (17.08) dhe do të strehohet në dy godina konvikti në qytetin Studenti dhe në disa hotele në Durrës.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana