1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët dhe ndihma e tyre për rritjen ekonomike të atdheut

Julia Elvers-Guyot5 Janar 2006

Rreth 200 milionë njerëz që punojnë jashtë atdheut të tyre, transferuan rreth 232 miliardë dollarë në vendet e tyre vitin e kaluar. Të dhënat i publikon Banka Botërore në "Global Economic Prospects", 2006

https://p.dw.com/p/As8C
Emigrantë gjatë punës
Emigrantë gjatë punësFotografi: AP

Sipas Bankës Botërore transferimi i parave të emigrantëve tek familjet e tyre është një armë e fuqishme për luftimin e varfërisë. Rreth 167 miliardë dollarë kanë arritur gjatë vitit të kaluar në vende në zhvillim. Me këtë shifër, vendet në zhvillim morën nga emigrantët dyfishin e të hollave që marrin nga organizatat ndërkombëtare si ndihmë për zhvillim.

Në shumë vende në zhvillim, të hollat që dërgojnë emigrantët përbëjnë burimin më të madh të kapitalit të jashtëm. Madje në disa shtete, si Moldavi apo Bosnjë-Hercegovinë, këto të holla përbëjnë një të tretat e prodhimit kombëtar bruto. Por në të gjithë botën, shumica e të hollave transferohet në Indi. Në vend të dytë e të tretë vijnë Kina dhe Meksika.

"Për Gjermaninë shtetet e ish Jugosllavisë dhe ato të ish Bashkimit Sovjetik janë shumë interesante. Por edhe Turqia apo vendet aziatike si Kina dhe Vietnami, kanë filluar të luajnë një rol të rëndësishëm", thotë Jan Hillered, shefi i filialit evropian të bankës Western Unionit.

Shumica e të hollave të emigrantëve transferohen nga vendet e pasura në ato të varfëra. Për të përfituar edhe më shumë, Banka Botërore u ka propozuar vendeve në zhvillim, që të nënshkruajnë marrëveshje me shtetet ku ndodhen emigrantët e tyre. Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, emigrantët mund të dërgojnë më lehtë të holla në atdhe si edhe të gjejnë më shpejt punë në vendet ku ndodhen. Sepse emigrantët janë të dobishëm edhe për vendet ku punojnë: "Transferimi i të hollave nga emigrantët, financon nga njëra anë eksportet e shteteve të industrializuara, sepse vendet në zhvillim kanë kështu më shumë të holla në dispozicion për të importuar artikuj nga këto shtete. Nga ana tjetër transferime të tilla influencojnë në mënyrë pozitive kursin e këmbimit", thotë Florian Vadean, këshilltar pranë Bankës Botërore.

Transferimi i të hollave rrit jo vetëm fuqinë blerëse në një shtet, por edhe besueshmërinë e tij për kredite. Në çdo vend ku ndodhin transferime të rregullta, institucionet financiare mund t'a lirojnë aksesin për kapital dhe t´i ulin taksat për dhënien e krediteve.