1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Shqiptar votoi me shumicë ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Elona Elezi20 Korrik 2012

Parlamenti i Shqipërisë votoi me shumicë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Kjo është reforma e 16-të në 22 vite demokraci, kur pas çdo votimi forca politike humbëse e ka kontestuar rezultatin duke mos e njohur atë.

https://p.dw.com/p/15cXj
Fotografi: picture-alliance / dpa

Kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe atyre lokale të 8 majit 2011 nga ana e opozitës shqiptare e çoi vendin në kolaps politik. Pas ngërçeve institucionale dhe bllokimit të reformave prej më shumë se dy vitesh, gjatë së enjtes (19.07.2012) Parlamenti Shqiptar votoi me 122 vota pro ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Bashkimi i votave të mazhorancës dhe opozitës i hapi rrugë votimit të reformave aq shumë të apeluara nga ndërkombëtarët. Dhe kur duket se kanë mbetur edhe tre muaj nga publikimi i progres-raportit të tretë të Bashkimit Evropian, ku Shqipëria pret përgjigjen e rëndësishme të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, klasa politike ka bërë kthesë.

Ndryshimet më të rëndësishme në Kodin Elektoral lidhen me riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, teknologjinë e numërimit elektronik dhe pjesën e ankimimit pas shpalljes së rezultatit zgjedhor.

Parlament in Albanien, Innenansicht
Fotografi: AP Photo

A i jep fund miratimi i kodit të ri elektoral kontestimit të zgjedhjeve?

Sipas Fabian Schmidt, njohës i politikës së Ballkanit, ndryshimi i Kodit Elektoral është i rëndësishëm, dhe rregullat e reja krijojnë një atmosferë tjetër pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. „ Unë mendoj se rregullat e reja kanë potencial për të krijuar një proces, ku është më e vështirë për politikanët të kundërshtojnë, ose të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Dhe një gjë është e rëndësishme, nëse humbësi i zgjedhjeve me një pakicë nga dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të kërkojë një rivotim, më mirë të kesh një rivotim dhe pastaj të kesh qetësi, sesa të kesh një çështje e cila mbetet gjithmonë e hapur, e më pas ajo kthehet në një lojë politike.“

Miratimi i rregullave të reja dhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk duhet të keqpërdoret nga humbësit, thekson Schmidt: „Kjo varet nga kultura politike, dhe kultura politike nuk është diçka e cila ndryshon përmes një ligji të vetëm, ose ndryshimit të rregullave. Ky miratim është i rëndësishëm sepse është dokument i kompromisit, por natyrisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit e procesit politik një përgjegjësi të lartë për të mos e keqpërdorur këtë liri, që po u jep ndryshimi i kodit elektoral. Rregullat e reja nuk mund të keqkuptohen si ftesë për të bllokuar procesin zgjedhor, nga ana e pakicës për shembull. Nga ana tjetër, ai i jep më shumë siguri humbësit të zgjedhjeve që të kërkojë rizgjedhje, për t'u siguruar që vërtet votat janë pasqyra e vullnetit të qytetarëve“, thotë Fabian Schmidt.

Në lidhje me përmbushjen e rekomandimeve të ndërkombëtarëve dhe përmbylljen në kohë të reformave, Schmidt thekson se, “Rregullat e reja si dhe formatimi i KQZ-së janë një lloj apeli ose një lloj thirrjeje që partitë politike t'i pranojnë proceset zgjedhore dhe ky është më pas kusht për të krijuar imazhin, apo për ta bindur Evropën, Bashkimin Evropian, që Shqipëria ka maturi politike.“

Reforma zgjedhore e votuar së fundmi në Parlament, është e 16-ta në 22 vite demokraci. Nëse ajo do të ndryshojë vërtet situatën pas-zgjedhore, apo thjesht do të hapë një debat të ri politik, kjo mbetet ende për t´u parë.