1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendumi për martesat në Kroaci

Benjamin Pargan/Bahri Cani3 Dhjetor 2013

Në Kroaci u mbajt referendumi për martesat. Shumica dërmuese u deklarua që në Kushtetutë të futet ligji për martesat e personave të dy gjinive të kundërta. Por referendumi dëshmoi me këtë edhe papjekurinë e Kroacisë.

https://p.dw.com/p/1ASJE
Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe e ashtuquajtura demokraci e bazës i ka ndonjë herë anët e veta negative. Këtë e ka dëshmuar së fundi referendumi për martesat në Kroaci. Për të përmirësuar shansat për një anëtarësim në BE, qeveria kroate i ka lehtësuar para dy vitesh kushtet për referendum. Është përcaktuar edhe një numër i caktuar nënshkrimesh që duhet të mblidhen për një referendum.

Në Zagreb tani ka ardhur llogaria e këtij ligji të menduar mirë, por të realizuar keq, sepse me referendum është ndaluar faktikisht martesa e personave të një gjinie dhe diskrimiminimi i homoseksualëve dhe lezbikeve tani parashikohet edhe me Kushtetutë. Në referendum kanë marrë pjesë vetëm 38 % e qytetarëve me të drejtë vote, ndër ta rreth 66 % janë deklaruar se në Kushtetutë duhet të figurojë martesa vetëm për personat e gjinive të ndryshme. Kjo do të thotë se një pakicë e imponon se si duhet të duket martesa në këtë vend.

Deutsche Welle Bosnisch Benjamin Pargan
Benjamin ParganFotografi: DW/P. Henriksen

Shoqëria e pasigurtë

Referendumi dhe debati i nxehtë që i ka paraprirë atij mund të shërbejnë në Kroaci si një bazë për përhapjen e homofobisë dhe për mungesën e tolerancës në shoqërinë kroate. Kjo sepse futja e mundësisë së martesave të personave të të njëjtit seks nuk ishte fare në rend dite. Iniciativa konservatore qytetare "Në emër të familjes", megjithatë e ka gjetur shumë shpejt mbështetjen e shumicës armiqësore ndaj homoseksualëve, të cilëve tani u ofrohet një platformë e re për kritika.

I gjithë debati ka treguar se sa e pasigurtë dhe e frustruar është shumica e kroatëve, vetëm gjashtë muaj pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vështirësitë ekonomike, mungesa e perspektivës, frika nga humbja e identitetit nacional - janë vetëm disa nga problemet kryesore me të cilat po përballen kroatët në realitetin e ri.

Rruga e gjatë

Homoseksualët dhe lezbiket janë shpallur tani një lloj fajtori dhe një lloj dëmi kolateral i përplasjeve mes qeverisë liberale si dhe opozitës konservatore dhe shumicës së krishterë, e pjesërisht edhe homofobike të qytetarëve. Zhvillimet e këtilla paraqesin një rrezik të madh për zhvillimin demokratik të Kroacisë. Tani janë në rend homoseksualët, ndërsa nesër mund të jenë minoritetet etnike në shënjestër të mllefit. Që tani ka nisur një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për ndalimin e shkrimit cirilik në Kroaci, që do të thotë kufizimin e të drejtave të pakicës serbe atje.

Ndaj qeveria kroate e cila edhe kësaj radhe është deklaruar kundër këtij referendumi, sa më shpejt duhet të nxjerrë një ligj tjetër dhe të formulojë shumë qartë të drejtën e referendumit, si për shembull të përcaktojë kuotën prej 50% të pjesëmarrjes, me qëllim që të evitohet mundësia e diskriminimit. Që para referendumit ka qenë e qartë se Kroacia ka para vetes një rrugë të gjatë deri në vendosjen e rendit të plotë demokratik, megjithë anëtarësimin në BE. Kjo u konfirmua edhe me këtë referendum, sepse ka edhe shumë kroatë të cilët vet thonë se vendi i tyre ende nuk është i pjekur për të organizuar "referendume pa frena".