1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reduktime të forta në sektorin publik grek

Jannis Papadimitriou/Eliana Xhani19 Nëntor 2012

Greqia ndodhet nën trysni kohore për kryerjen e reformave, të cilat janë kusht për pagesën e këstit të ardhshëm të kredisë prej 30 miliardë eurosh. Reduktimi i aparatit shtetëror ka ngjallur polemika të ashpra.

https://p.dw.com/p/16lSf
Fotografi: picture alliance/dpa

Nëpunës komunalë në Greqi të hënën (19.11.) dalin në protestë kundër shkurtimeve të ardhshme dhe transferimeve të detyruara. Greva do të ketë kryesisht në autoritetet komunale, për shembull në pastrimin e qytetit. Në kopshtet për fëmijë të administruara nga qyteti, do të ketë jo vetëm grevë por ato edhe do të "pushtohen" nga përfaqësues të sindikatave në mënyrë që të jetë e sigurt se asnjë nga edukatoret nuk do të punojë.

Themis Balasopoulos, kryetar i sindikatës së nëpunësve komunalë mbrojti në televizionin grek planin e tij të ashpër: "Qeveria deri sot nuk ka arritur të llogarisë numrin e saktë të nëpunësve në administratën komunale, ajo nuk e di nëse nevojitet personel dhe çfarë lloji, e megjithatë brenda këtij viti do të shkurtojë të paktën 3.000 vende pune në këtë administratë. Kjo është në kundërshtim me ligjet në fuqi", shprehu indinjatë Balasopoulos.

Griechenland Finanzkrise Beamter
Fotografi: AP

Në Greqi nuk ka personel të tepërt

Greqia e ka provuar një herë të reduktojë numrin e të punësuarve në sektorin publik. Në vitin 2010 qeveria e atëhershme socialiste njoftoi një "rezervë pune" për zyrtarët: personeli i tepërt do të merrte për një vit rroga të reduktuara dhe në fund do të shkurtohej ose do të transferohej, nëse kjo do të ishte e nevojshme për arsye shërbimi.

Drejtuesve të sektorëve në ministri dhe bordeve drejtues në kompanitë shtetërore iu kërkua të dorëzonin lista me nëpunësit "e tepërt". Përgjigja e tyre ngjalli shumë habi: jo vetëm që nuk kishin personel të tepërt, por madje mungesë akute personeli. Për të shmagur të tilla vështirësi kryeministri konservator grek Antonis Samaras këtë herë do të ndjekë një tjetër rrugë: një pjesë e madhe e punonjësve pa shkollë të lartë dhe me status nëpunësi shtetëror, të cilët kanë kontrata pune të pakufizuara me shtetin grek, do të dërgohen menjëherë në "rezervën e punës", pa marrë parasysh raste të veçanta.

"Pushim me këste nga puna"

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme pas rezervës së punës nuk do të ketë pushime nga puna, por vetëm pensione të parakohshëm dhe transferim të detyruar. Por zëdhënësja e sindikatës së nënpunësve publikë ADEDY Tania Karagianni, nuk ka besim tek ky premtim. Në të vërtetë bëhet fjalë për një "pushim me këste nga puna", i cili mbahet ende i fshehtë, u ankua ajo në kanalin grek Skai. „Kush e studion me vëmendje ligjin dhe është në gjendje të kuptojë atë çfarë thuhet mes rreshtave, kupton menjëherë se qeveria synon një reduktim të vendeve të punës", tha Karagianni.

Dihet se Troika ka kërkuar shkurtime në sektorin publik. Ministri përgjegjës premton vërtet se nuk do të ketë shkurtime por vetëm transferime të detyrueshme, megjithatë e gjitha kjo nuk tingëllon aspak e ndershme: "Transferimet janë të mundshme edhe në bazë të ligjit ekzistues për nënpunësit, në këtë rast nuk do të nevojitej një ligj i ri dhe një rezervë pune", shprehet sindikalistja.

Aparati shtetëror përballë ekonomisë private

Më e vonëta që prej shpërthimit të krizës së borxheve, në opinionin publik në Greqi diskutohet në mënyrë kontroverse nëse vendi i lejon vetes një numër të tepruar nëpunësish shtetërorë. Sindidakatat e nëpunësve e hedhin poshtë këtë duke argumentuar se në Greqi vetëm 14 për qind e të punësuarve janë nëpunës dhe kjo shifër është nën mesataren evropiane.

Giorgos Bitros, profesor ekonomie në Athinë ka tjetër mendim. Shifrat e sindikalistëve janë të gabuara dhe veç kësaj logjika ekonomike tregon se aparati shtetëror duhet të reduktohet në mënyrë drastike, deklaroi Bitros në kanalin televiziv Skai: " Hulumtimet tona kanë treguar se një punëmarrës në ekonominë private kontribuon me 17.000 euro më shumë se një nëpunës shtetëror në Produktin e Brendshëm Bruto", shpjegon Bitros. Shteti grek duhet të ndahet urgjentisht nga 200.000 nënpunës. Nëse kjo do të ishte bërë që në vitin 2010 siç ishte planifikuar, vendi do ta kishte lënë tashmë prapa recesionin. Arsyeja përse ekonomia greke tkurret vazhdimisht është se masat e reformave deri tani janë marrë vetëm në kurriz të ekonomisë private, tërheq vëmendjen Bitros.