1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagon Lista Srpska pas mbylljes së administratës tatimore

9 Janar 2025

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se administrata tatimore e Serbisë ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë në Kosovë.

https://p.dw.com/p/4oyEK
Politikanë të Listës Srpska ulur në tavolinë, para tyre shishe me ujë
Mbledhje e kryesisë së Listës SrpskaFotografi: Srpska List party

Policia e Kosovës mbylli zyrat e Administratës Tatimore të Serbisë që funksiononte në veri të Mitrovicës si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia, ‘Dunav Osiguranje', për shkak se këto institucione punonin pa licencë. Mbyllja e zyrës së Administratës së Serbisë në veri të Mitrovicës nxiti reagimin e Listës Serbe,  që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar. Lista Srpska tha se me mbylljen e zyrave të Administratës Tatimore të Serbisë, "80 punëtorë kanë mbetur në rrugë”.

Lista Srpska: "Kurti nuk ka çfarë t'u ofrojë votuesve tij"

 Kjo parti  tha se do të bisedojë me punonjësit e Administratës Tatimore të Serbisë që mbeten pa punë dhe për mundësitë e ndihmës dhe mbështetjes për ta. "Asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa paga dhe të ardhura dhe ekzistenca e tyre do të mbetet e siguruar. Me nxjerrjen në rrugë të 80 punëtorëve serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çfarë t'u ofrojë votuesve tij”, thuhet në reagimin e Listës Srpska.

Automjete dhe flamuri serb në Zubin Potok
Pamje nga Zubin PotokFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Vetëvendosja vazhdon të këmbëngulë në çdo formë që Lista Srpska nuk duhet lejuar që të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, për shkak  se kjo parti që e ka mbështetjen e Beogradit, "është angazhuar në akte terroriste në Kosovë”. Këtë e tha ditë më parë  përmes kabinetit të saj edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila vlerëson se "Lista Serbe është e angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues”. Prandaj sipas Presidentes ajo beson se "KQZ-ja duhet të vendosë në mënyrë të pavarur”. Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë  ka certifikuar listën Srpska dhe ajo do të jetë pjesë e garës zgjedhore dhe u përfshi në fletëvotim.

Xhelal Sveçla me kostum e kravatë të kuqe, pas tij flamuri i Shqipërisë dhe Kosovës
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal SveçlaFotografi: Olivier Matthys/AP/dpa/picture alliance

Ministri i Brendshëm e justifikon mbylljen me aktivitete ilegale

Ministri i Punëve të Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi se "ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. "Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucionalë ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona. Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë”, shkroi ministri Sveçla duke shtuar se aktiviteti zhvillohej nga grupe kriminale luajale ndaj Serbisë.

Autoritetet e Kosovës filluan të mbyllin institucionet paralele të Serbisë në Kosovë në janar të vitit 2024. Deri më tani janë mbyllur një numër komunash paralele serbe, Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë, Banka e Kursimeve Postare, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë dhe disa institucione të tjera. Nga mbyllja e këtyre institucioneve serbe, sipas Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë mbetur pa punë rreth 5.800 persona, por sipas tij, ata do të vazhdojnë të marrin ndihmë nga Serbia.