Shumë reagime pas dënimit për krime lufte të Sali Musfatës
16 Dhjetor 2022Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale të Kosovës, Alex Whiting, e përshëndeti vendimin e trupit gjykues të Gjykatës Speciale, që dënoi me 26 vjet heqje lirie ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, duke e konsideruar atë si "masë që u jep drejtësi viktimave”.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Salih Mustafa, u dënua nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë ndaj shqiptarëve.
Gjykatë për viktimat
"Vendimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarët e Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në qendër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të z. Mustafa,” tha Whiting pas shpalljes së vendimit si fajtor nga trupi gjykues. Sipas tij krijimi i Gjykatës Speciale u ka mundësuar viktimave që të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.
"Dëshmia e dëshmitarëve që u dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellin drejtësi, pati ndikim vendimtar tek vendimi dhe unë duartrokas kurajën e jashtëzakonshme të atyre që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë,” tha ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar.
"Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë”, u shpreh prokurori Whiting.
Kurti: Vendim indinjues
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti vendimin për dënimin e Sali Mustafës indinjues, duke thënë se "zoti Mustafa ka mbrojtur vendin e tij dhe lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale”.
"Ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë të ketë vrarë mesatarisht mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, shkruan në reagimin e tij kryeministri Kurti.
Sipas tij, "ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që u jep ky verdikt ukrainasve, që sot luftojnë kundër agresorit?. Kryeministri Kurti, mbetet me shpresën që "institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”.
Vendim i padrejtë
Edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve dhe përfaqësues të partive politike dënimin e Sali Mustafës e kanë cilësuar vendim të padrejtë, duke shpresuar për anulimin e tij, pas apelimit që do t'i bëhet nga pala mbrojtëse e zotit Mustafa. Ministri i Mbrojtjes në qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, tha se "Gjykata Speciale është gjykatë e padrejtë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbrojti popullin dhe truallin e saj”.
"Gjykata është e padrejtë, pa bazë. UÇK-ja është një prej ushtrive më të përsosura, më të organizuara për mbrojtjen e shtëpisë, të familjeve dhe të truallit të vet. Prej këndit profesional, por edhe personal, është e fabrikuar nga Serbia dhe miqtë e tyre. Besoj në drejtësi dhe do të merren hapat e duhur edhe për mbështetje nga qeveria dhe partnerët e tjerë”, deklaroi Mehaj.
Partia më e madhe në pushtet, lëvizja Vetëvendosja, tha se dënimi i Sali Mustafës është i papranueshëm duke theksuar se "barazimi i agresorit me mbrojtësin, janë gjëra që nuk do t'i pranojmë kurrë”. Vetëvendosja shpreson që vendimi do të anulohet në shkallën e Apelit.
"Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK-së u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar, të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të pushtimit. Dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vite burg është i papranueshëm për ne. Shpresojmë që në shkallën e Apelit ish-luftëtari Salih Mustafa të lirohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes e cila në vitin 2015 ishte subjekti i vetëm politik që votoi kundër themelimit të Gjykatës Speciale.
Zgjidhje speciale dhe eksperimente
"Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale”, tha partia Vetëvendosje.
Dënimin e Sali Musfatës me 26 vjet heqje lirie nga Gjykata Speciale, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e cilësoi vendim të rëndë duke shpresuar që "vendimi do të korrigjohet në shkallën e dytë”, sepse sipas tij, "kështu, do të dëshmohet serioziteti i Gjykatës”.
"Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme". Këto fjalë të Salih Mustafës, Calit, para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruaj”, tha Krasniqi në reagimin e tij.
"Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, tha Memli Krasniqi.
Haradinaj: Lufta e UÇK-së, luftë e pastër
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, një nga ish-komandantët e UÇK-së, i cili vetë para disa vitesh është përballur në Gjykatën tjetër Ndërkombëtare të Hagës prej së cilës u shpall i pafajshëm, tha se "lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër”.
"Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër”, shkroi Ramush Haradinaj.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale, që dënoi me 26 vjet heqje lirie ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është vendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahen prej rreth dy vjetësh të akuzuar për krime lufte, edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala. Sipas prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala, dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. Që të gjithë ata kanë deklaruar se janë të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.