1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini në pritje të koalicionit të ri në Kosovë

9 Tetor 2019

Komentorët në gazetat gjermane e kane pritur pozitivisht fitoren e Albin Kurtit. Qeveria gjermane është ende në pritje të krijimit të koalicionit të ri.

https://p.dw.com/p/3QzHD
Kosovo Parlamentswahl 2019 Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Kryeziu

Ndërsa shtypi gjermanofon është përgjithësisht entuziast pas fitores së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Kosovë, qeveria gjermane është ende në vëzhgim.

Berlini zyrtar është në pritje të koalicionit të ri dhe ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare. Siç mësoi DW nga qarqet qeveritare në Berlin, fitorja e Albin Kurtit është pritur në Berlin me ndjenja të përziera: Nga njëra anë konsiderohet si diçka pozitive që pushteti ekzekutues nuk është më në dorë të komandantëve të UÇK-së, nga ana tjetër ka ende shumë ekspertë të fushës që nuk shohin ndonjë ndryshim thelbësor te natyra e Albin Kurtit dhe që besojnë se me ardhjen e Kurtit në pushtet do të rriten tendencat panshqiptare.

Një zyrtar i lartë nga Berlini i tha DW se  tani i takon LDK-së që të dalë me një pozitë të fortë nga negociatat e bashkëqeverisjes, për të evituar kësisoj ndonjë dëm të mundshëm në politikën e jashtme.

Deutschland Balkan-Treffen in Berlin | Merkel und Macron begrüßen Hashim Thaci
Thaçi - Merkel - Macron - në kuadër të samitit të Berlinit për Ballkanin Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Ndryshim epokash

Gazetat gjermane duken më entuziaste për kthesën historike të Kosovës me ardhjen ne krye të saj të Albin Kurtit, një luftëtar i shpallur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Keno Verseck në Spiegel Online e quan  fitoren e Kurtit dhe Osmanit një "ndryshim epokash". Në artikulli me titullin "Der Antiautokrat" (Antiautorkati) ai shkruan:

"Një efekt e kanë arritur që tani zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë është se pas "Revolucionit shumëngjyrësh" në Maqedoni në vitin 2016, ato dërgojnë një sinjal tjetër të fortë për të gjithë Ballkanin Perëndimor - dhe për Bashkimin Evropian. Është sinjali se shumica e votuesve janë të lodhur nga sunduesit e tyre të korruptuar, të cilët për vite me radhë konsiderohen partnerë gjoja të mirë të Brukselit. Në fillim të vitit dhjetra mijëra dolën në rrugë në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi - pa sukses. Kosova nuk ishte pjesë e kësaj "Pranvere ballkanike"  të shkurtër. Por qytetarët e saj thjesht preferuan të mos ua japin më votën korrupsionit dhe autokracisë."

Kosovo Parlamentswahl 2019 Vjosa Osmani
Vjosa Osmani - Mbi të bie tani barra e negociatave për koalicion - Pritshmëritë janë të mëdha Fotografi: AFP/A. Nimani

Negociata të vështira

Gazeta e përditshme tageszeitung (taz) e sheh gjithashtu si shenjë pozitive ndërrimin e pushtetit në Kosovë, por parashikon negociata të vështira koalicioni, edhe për faktin se lufta kundër korrupsionit që ka premtuar Kurti prek edhe disa përfaqësues të LDK-së. "Do të varet nga ajo (LDK, shën i përkth.) nëse zgjedhjet vërtet do të sjellin një kthesë historike në historinë e Kosovës dhe rajonit, apo jo", shkruan në artikullin e tij në taz, korrespondenti i Evropës Juglindore, Erich Rathfelder.

Korrespondentja e gazetës austriake Der Standard, Adelheid Wölfi,  i quan zgjedhjet e së dielës në Kosovë një "model demokracie" për faktin që Kosovarët i hoqën me votën e tyre elitat e korruptuara.  Wölfi parashikon tensione brenda koalicionit të ardhshëm sidomos në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë.

"Një koalicion i Albin Kurtit dhe lëvizjes së tij të majtë nacionaliste Vetëvendosje me LDK-në Konservatore dhe kandidaten e tij kryesore, 37-vjeçaren e shkolluar në SHBA, Vjosa Osmani, ndoshta do të jetë një eksperiment freskues. Tensioni mund të rritet kur të rifillojë dialogu me Serbinë", - shkruan Wölfl më tej duke shtuar si argument se "LDK-ja është shumë më e prirë t'i nënshtrohet presionit të SHBA-së se Kurti."