1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Reagime me tronditje pas sulmit kundër Donald Trump

14 Korrik 2024

Përpjekja për atentat kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka shkaktuar një valë reagimesh ndërkombëtare. Kancelari gjerman, Scholz u shpreh, se akte të tilla dhune kërcënojnë demokracinë.

https://p.dw.com/p/4iGPo
Trump pas sulmit kundër tij merret nga forcat e sigurisë, Trump me grushtin lart
Trump pas sulmit kundër tij merret nga forcat e sigurisëFotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Nga bota vijnë reagime të tronditura pas të shtënave kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump në një miting zgjedhor të dielën në Pensilvani. Kancelari gjerman, Olaf Scholz i uroi Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe theksoi se "akte të tilla dhune kërcënojnë demokracinë".

Kancelari, Olaf Scholz duke folur
Fotografi: Jakub Porzycki/NurPhoto/picture alliance

Në platformën X, Scholz shkroi, se "sulmi kundër kandidatit presidencial, Donald Trump është i neveritshëm. Unë i uroj shërim të shpejtë. Mendimet e mia janë tek personat që u goditën prej këtij atentati."

Ministrja e Jashme gjermane, Annalena Baerbock i uroi po ashtu Trump shërim të shpejtë. Politikanja e gjelbër theksoi se "dhuna kurrë nuk duhet të kthehet në një mjet të përballjes politike, pavarësisht se nga cila arsye. Zgjedhjet në demokraci fitohen me vota dhe jo me armë."

Trump largohet nga skena e mitingut zgjedhor
Trump largohet nga skena e mitingut zgjedhorFotografi: Evan Vucci/AP Photos/picture alliance

Edhe ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann e dënoi këtë akt dhune. "Dhuna nuk është asnjëherë mjet legjitim. Dhe nuk ka aspak rëndësi, nëse dikujt i pëlqen ose jo programi politik i një kandidati." shkroi politikani liberal në platformën X. "Për fat Donald Trump e mbijetoi atentatin." Ambasadori gjerman në SHBA, Andreas Michaelis bëri fjalë për skena shokuese dhe theksoi se "nuk ka vend për dhunë politike".

Trump largohet nga skena e mitingut zgjedhor
Fotografi: Gene J. Puskar/AP Photos/picture alliance

Biden: Nuk ka vend për dhunë politike

Presidenti amerikan, Joe Biden reagoi menjëherë pas sulmit kundër rivalit të tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe tha, se është mirënjohës të dëgjoj, se Trumpi është në siguri dhe se është në gjendje të mirë. "Lutem për familjen e tij dhe për të gjithë që ishin në mitin", shtoi Biden. "Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si komb për të dënuar dhunën."

Presidenti amerikan dënoi dhunën kundër Trump
Presidenti amerikan, Joe Biden, dënoi dhunën kundër TrumpFotografi: Tom Brenner/REUTERS

Edhe presidenti Macron e dënoi dhunën dhe e quajti aktin e sulmit kundër Trump "një tragjedi për demokracitë tona". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në largim, Jens Stoltenberg tha se është "i shokuar" nga përpjekja për vrasjen e ish-presidentit Trump.

Kurse presidenti polak, Andrzej Duda përpjekjen për vrasje të presidentit Trump e quajti "një moment shokues" edhe për botën, jo vetëm SHBA. Ky akt është një "moment shokues jo vetëm për Amerikën, por për të gjithë botën e lirë dhe demokratike", shkroi Duda të dielën në platformën X.

Edhe nga Kina vijnë mesazhe mbështetjeje për ish-presidentin Trump. Presidenti, Xi Jinping ka shprehur mbështetjen dhe se është i prekur nga përpjekja për vrasje e Donald Trump, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme në Pekin. Kina i ndjek "me vëmendje" zhvillimet rreth atentatit.

 

la/ag