1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiproja në gjendje të jashtëzakonshme

(dpa) Özcerkes Manuel / Lindita Arapi22 Mars 2013

Nuk ka shenja pozitive në krizën e Qipros. Në vend bankat janë mbyllur, firmat kanë lënë punën, paratë në dorë nuk gjenden kollaj.

https://p.dw.com/p/182ZP
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjendja në Qipro po bëhet gjithnjë e më dramatike. Parlamenti qipriot e ka shtyrë sërish vendimin për "Planin B", me të cilin do të shpëtohen bankat dhe ishulli mesdhetar. Seanca parlamentare fillon pasdite. Ndërkohë Rusia ka deklaruar se nuk do ta mbështesë me kredi Qipron. Ministri i Financave të Rusisë, Anton Siluanov është shprehur se nuk ka interes për propozimet e ministrit qipriot të Financave, Miachalis Sarris. Rusisë iu ofruan madje disa liçenca gazi nga Qiproja si edhe pjesëmarrje në bankat qipriote.

Qëndrimi i Gjermanisë për krizën në Qipro

Ndërkohë ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble në një intervistë për gazetat qipriote është shprehur sërish se Europa është e gatshme të ndihmojë, por me një pjesëmarrje të kreditorëve privatë qipriotë, citojnë mediat gjermane. Sektori financiar qipriot duhet të japë kontributin e tij, kërkon Schäuble. Ndërsa kancelarja Merkel, citon DPA, është shprehur para grupit parlamentar liberal se "nuk dëshiron kolapsin" lidhur me Qipron. Ndërkohë Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial (CDU / CSU) ka vendosur tre kushte për shpëtimin e Qipros. "Qiproja duhet të garantojë me 6 miliardë euro vetëangazhimin në shpëtimin e vendit, të ristrukturojë ekonominë e saj dhe t'i ndërmarrë masat e reformimit në përputhje me nevojat sociale. Këtë deklaratë e bënë dy politikanët e CDU-së, Michael Meister dhe Volker Kauder, kryetari i grupit parlamentar të unionit.

Zypern Bankenkrise
Fotografi: Reuters

Gjendja në Qipro alarmante

Sido që të përfundojë kriza e Qipros: Dëmi ekonomik është shumë i madh, asgjë nuk po funksionon siç duhet në vend. Bankat e Qipros janë mbyllur, firmat kanë lënë punën, paratë në dorë nuk gjenden kollaj. Në Qipro sundon paniku. Frika se bankat nuk do të kenë likuiditet bën që njerëzit të qëndrojnë me radhë në automatët para bankave. Mijëra qipriotë duan të tërheqin sa më shumë para nga xhirollogaritë. Qiproja po shkon me shpejtësi drejt falimentimit.

Një grua qipriote thotë: "Gjithkush po përpiqet të tërheqë sa më shumë para. Shumica e dyqaneve, pikave të furnizimit me karburant, farmacitë, supermarketet nuk pranojnë më karta krediti. Kjo të ngjall frikë. Prandaj gjithsecili përpiqet të ketë sa më shumë para në dorë."

Ndërkohë gjendja është bërë më dramatike. Çdo qipriot lejohet të marrë vetëm deri në 350 euro në bank-automat, deri të martën kur të hapen sërish banakt qipriote. Njerëzit kanë frikë se ç'do të ndodhë të martën, në ditën kur bankat të hapen sërish. Një punonjëse banke thotë: "Nga ana psikologjike ndihem shumë keq. Herë na jepet shpresë, herë na jepen lajme të këqija. Më parë thuhej se në bankë ke një të ardhme të sigurt. Papritur kjo është vënë në pikëpyetje."

Europa po braktis ishullin?

Edhe tregtarët në qytete kanë probleme. Transferet bankare nuk janë më të mundura. Mall nuk mund të porositet. Anthonis Matheon, një tregtar qipriot thotë: "Që nga e shtuna ne tregtarët kemi një problem të madh. Nuk mund të marrim furnizim, asgjë nuk importohet dhe eksportohet. Ai si edhe shumë qipriotë të tjerë kërkojnë që BE-ja të paguajë, ashtu siç e ka bërë këtë me vendet e tjera. Shumë qipriotë janë të shokuar me atë që po ndodh. Europa po e lë në baltë ishullin mesdhetar. Shumë i parëndësishëm, shumë i vogël që të shpëtohet.