1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria shqiptare do të mbyllë Tik tok-un për një vit

22 Dhjetor 2024

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri të ditur, se qeveria shqiptare do të nisë punën për mbylljen e aplikacionit Tik-tok për një periudhë 1 vjeçare. Shumë prindër pro mbylljes.

https://p.dw.com/p/4oThD
Qytetarë të mbledhur protestojnë para Ministrisë së Arsimit
Protesta për më shumë siguri në shkollaFotografi: Rashela Shehu/DW

Ndalimi i aplikacionit do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm në Shqipëri."Ne kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri 8 javë nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit do e mbyllim TikTok-un. TikTok nuk do ketë në Republikën e Shqipërisë", u shpreh kryeministri,  Edi Rama të shtunën, gjatë një takimi me prindër dhe mësues nga i gjithë vendi.

Rama e cilëson Tik-tok të rrezikshëm

Kjo lëvizje nisi pasi një adoleshent, 14 vjeç, humbi jetën një muaj më parë pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar. Konflikti mendohet se nisi nga rrjetet sociale.

Rama e cilësoi një aplikacion "të rrezikshëm, një burim dhune dhe bullizmi", ndërsa shtoi me tej se ky vendim do të rishikohet pasi "të shohim se si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, dhe se si do reagojë vetë TikTok-u", shtoi Rama. Megjithatë në fjalën e tij kryeministri nuk sqaroi se si do të realizohet bllokimi i aplikacionit në territorin e Shqipërisë.

Edi Rama në një konferencë për shtyp para mikrofonit, pas tij flamuri shqiptar dhe ai i BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi RamaFotografi: Boglarka Bodnar/MTI/AP/picture alliance

Konsultime me mësues dhe prindër

Fill pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mes adoleshentëve, autoritetet shqiptare nisën një sërë takimesh me prindër dhe mësues, për të konsultuar vendimin mbi mbylljen e aplikacionit te Tik Tok-ut. Teksa prezantoi planin e ri të veprimit për sigurinë në shkolla, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, tha se janë realizuar 1300 konsultime me rreth 65 mijë prindër në të gjithë shkollat e vendit.

"90% e prindërve janë pro kufizimit ose mbylljes së TikTok, 80% e prindërve kërkojnë fuqizimin e masave"– u shpreh ministrja, ndërsa u ndal pak më konkretisht se si do të realizohet ky vendim. "Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI", tha Manastirliu.

Debate për mbylljen e rrjeteve sociale

Vendimi i shpallur nga Kryeministri Edi Rama për mbylljen e rrjetit TikTok në Shqipëri është pasuar nga reagimet e opozitës, të cilët e konsideruan atë si një censurë.  "Të shfrytëzosh vrasjen e një 14 vjeçari për të zgjidhur hallet personale me rrjetet sociale që nuk kontrollon dot, është vrasje e dyfishtë dhe akt i rëndë ndaj lirisë”, u shpreh deputetja Ina Zhupa.

Ndërsa Belioza Çoku, drejtuesja e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë "Alo 116” në një intervistë dhënë për DW Shqip është shprehur se nuk e sheh zgjidhjen tek mbyllja e rrjeteve sociale.  "Mendoni se fëmijët nuk do të gjejnë një platformë tjetër që do të bëhet popullore, ku ata do të kenë mundësi të zbrazin edhe disa devianca që janë ngarkuar nga mbyllja e këtyre dy të tjerave?! Të shikosh në këtë perspektivë zgjidhjen do të thotë që ne për të 1 miliontën herë si qeveri dhe si shoqëri duam që të zvogëlojmë problemin dhe të arnojmë pasojën”. – tha Çoku.

Portret i Belioza Çokut, para raftit me libra, veshur me triko të bardhë dhe shall me ngjyra
Belioza Çoku, drejtuesja e Linjës Kombëtare të Telefonit për FëmijëFotografi: Rashela Shehu/DW

Qytetarë të ndryshëm kanë vijuar protestat përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqjen e ministres Manastirliu. Sipas tyre masat e rrepta ndaj rrjeteve sociale nuk janë zgjidhja e problemit.

Aktualisht disa shtete në Evropë, si Franca, Gjermania dhe Belgjika kanë vendosur kufizime për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët.  Ky diskutim po shtrihet edhe në shtetet e rajonit të Ballkanit.

 

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana