1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Britanisë së Madhe liroi të burgosur

11 Shtator 2024

Shumë prej burgjeve të Britanisë janë në gjendje të keqe dhe të mbipopulluara. Për shkak të mungesës së hapësirës, qeveria britanike liroi para kohe 1700 të burgosur. Ky veprim mund të rrezikojë rehabilitimin e tyre.

https://p.dw.com/p/4kTZL
Burgu Henley-On-Thames ne Britanine e Madhe
Burgu Henley-On-Thames ne Britanine e MadheFotografi: Ben Birchall/PA Wire/dpa

Për të krijuar vend në burgjet e mbipopulluara, po lirohen më herët në Britani1700 të burgosur. Qeveria e Londrës e justifikoi këtë masë me arsyetimin se policia dhe gjykatat nuk kishin më hapësirë të ndalonin askënd dhe se përndryshe krimi do të ishte i shfrenuar.

Aktualisht nuk ka pothuajse asnjë vend të lirë në qendrat e paraburgimit. Rregulloret parashikojnë që disa të burgosur mund të lirohen pas vuajtjes së 40 për qind të dënimit. Normalisht, ti duhet të kesh vuajtur të paktën 50% të dënimit, përpara se të lirohesh me kushte. 

Qindra të akuzuar pas trazirave

Aktualisht, drejtësia britanike po ndjek ashpër rebelët, të cilët gjatë trazirave të ekstremit të djathtë dhe anti-myslimane të verës së kaluar në disa qytete, sulmuan edhe efektivët e policisë dhe qendrat e strehimit për azilkërkuesit, u vunë flakën automjeteve dhe plaçkitën dyqanet. Më shumë se 200 persona janë dënuar tashmë, shumica me burg. Qindra aktakuza të tjera janë në pritje.

Kohët e fundit, një gjyqtar kishte vendosur  që gjykatat e shkallës së parë në Angli dhe Uells - të njohura si Gjykatat e Magjistraturës - aty ku është e mundur, të shtyjnë datat në të cilat mund të dërgohen në burg njerëzit.

Kryeministri Keir Starmer
Kryeministri Keir StarmerFotografi: Henry Nicholls/PA Wire/dpa/picture alliance

Qeveria fajëson paraardhësit e saj

Qeveria socialdemokrate e kryeministrit Keir Starmer pranoi se ishte "tepër e vështirë" për viktimat të mësonin se sulmuesit e tyre do të liroheshin përpara se të vuanin dënimin. "Ky është një tjetër hap i vështirë, i ashpër, por i domosdoshëm që po bëjmë," tha një zëdhënëse e qeverisë. Sipas saj, thelbi i problemit është se qeveria e mëparshme konservatore nuk krijoi mjaftueshëm burgje.

Më tej, sipas dokumenteve zyrtare, kushtet e disa burgjeve në Angli dhe Uells janë vetë shqetësuese. Disa ndërtesa datojnë nga shekulli i 19-të dhe nuk janë modernizuar kurrë. Shumë qendra paraburgimi, si ajo në Wandsworth të Londrës, janë vazhdimisht të mbipopulluara dhe, sipas raportimit të BBC, të infektuara me parazitë.

Ndihmësit paralajmërojnë për shumë përjashtime

Jo të gjithë të burgosurit kanë të drejtë për lirim të parakohshëm. Të burgosurit për terrorizëm, delikte seksuale, dhunë në familje dhe krime të rënda nuk do të lirohen, ka theksuar qeveria.

Për ata që do të lirohen, Shërbimi i Provës ka marrë masa, tha sekretarja e policisë Diana Johnson për BBC. "Njerëzit do të lirohen me kusht dhe mund të kthehen në burg, nëse kryejnë krime të mëtejshme."

Megjithatë, organizatat e ndihmës të angazhuara për të luftuar dhunën në familje kanë paralajmëruar se ka shumë përjashtime. Edhe në të kaluarën, nuk do të kishte qenë gjithmonë e mundur të kontrolloheshin me saktësi shkelësit e liruar dhe t'i pengonin ata të kryenin veprime të mëtejshme.

Organizatat e ndihmës: Lirimi mund të komprometojë rehabilitimin

Aktivistë të tjerë kanë kritikuar faktin se shumë të rinj, në veçanti, lirohen pa marrë ndihmë për të gjetur punë ose strehim. "Si rezultat, programi i lirimit rrezikon të kompromentojë rehabilitimin dhe të rrisë shkallën e recidivizmit nëse nuk shoqërohet me mbështetjen e duhur dhe riintegrimin efektiv”, theksoi organizata Switchback.

Shoqëria juridike Law Society foli për një vendim pragmatik. "Duke pasur parasysh gjendjen e mjerueshme të burgjeve tona, kjo sigurisht nuk është një masë ideale”, tha Presidenti Nick Emmerson. "Por ofron më shumë kohë dhe hapësirë për të gjetur zgjidhje afatgjata për problemet e shumta që mundojnë sistemin tonë të drejtësisë penale"

tg