1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje për furnizim optimal me ujë të pijshëm në Shqipëri

22 Mars 2011

Shqipërisë ende i mungon furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm. Kjo e bën të vështirë arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit të OKB-së për reduktimin në 50% deri 2015 të numrit të njerëzve, që nuk kanë ujë të pijshëm.

https://p.dw.com/p/10fa9
Fotografi: Fotolia/Jaroslav Machacek

Uji është jeta. Nisur nga kjo aksiomë Kombet e Bashkuara shpallën në vitin 1992 , 22 Marsin, si Ditën Botërore të Ujërave me qëllim mbrojtjen e burimeve ujore dhe garantimin e furnizimit me ujë në nivel global. Që nga ai vit kjo ditë ka patur moto të ndryshme, që kanë pasqyruar çështjet aktuale në sektorin jetik të ujit. Këtë vit motoja e kësaj dite është “Ujë për qytetet, t'i përgjigjemi sfidave të urbanizimit”.

Situata në Shqipëri

Der Mat Fluss in Albanien
Lumi i Matit në ShqipëriFotografi: Mimoza Dhima

Shqipëria është një vend i pasur me rezerva ujore dhe renditet ndër vendet e para në Europë për sasinë e ujit për frymë të popullsisë: me mbi 8.600 mijë metra kub në vit dhe me një akses ndaj ujit me mbi 73 % në qytete, por me kanalizime të sigurta vetëm në 68% të zonave urbane. Ndonëse një vend i pasur me burime hidrike, në Shqipëri nuk ka ende një furnizim 24 orësh të popullsisë me ujë dhe as garanci për higjienën e ujit, që përdorin konsumatorët. Rritja e shpejtë e popullsisë urbane në këto 20 vite të tranzicionit, pasiguria, që po sjellin ndryshimet klimatike për furnizimin me ujë të kësaj popullsie, përmbytjet kronike në Shkodër dhe Lezhë e kanë bërë emergjent një menaxhim të qëndrueshëm, të integruar dhe efikas të sistemeve të furnizimit me ujë në zonat urbane. Transferimi i shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve nga pushteti qëndror në atë vendor, pra kalimi i tyre në pronësi të bashkive dhe komunave përbën hapin e parë, të rëndësishëm drejt një menaxhimi të tillë. Inxhiniere Enkelejda Gjinali, eksperte për problemet e ujit, thotë për programin shqip të DW: “Ky transferim ka krijuar kushtet për një përfshirje shumë të mirë të pushteteve vendore, duke bërë që njësitë e këtij pushteti ta shohin këtë shërbim në funksion të klientëve të tyre. Tani ky shërbim i shoqërive të kjësjellës–kanalizimeve është profesional”, thotë Znj. Gjinali.

Paradoksi shqiptar: Vend i pasur me burime hidrike, ujë me orar

Wasserhahn mit fliessendem Wasser
Fotografi: Bilderbox

Megjithatë ky shërbim profesional nuk ka mundur ende të sjellë ujë 24 orë në rubinetat e familjeve në zonat urbane, pa folur këtu për zonat rurale. Sipas një studimi të Bankës Botërore niveli mesatar i furnizimit me ujë në qytetet e Shqipërisë është vetëm 13 orë në ditë. Për të plotësuar nevojat e tyre banorët kanë vendosur vetë rezervuare në taracat e pallateve të banimit, apo në çatitë e shtëpive. “Rezervuarët mbeten si një gangrenë, që sfidojnë të gjitha ligjet e hidraulikës. Konsumatorët nuk kanë faj, pasi nuk kanë ujë 24 orë”, thotë ekspertja për çështjet e ujit, Enkelejda Gjinali. Sipas saj një ndër shkaqet kryesore të kësaj situate është menaxhimi jo adekuat i burimeve të pasura hidrike, që ka Shqipëria. “Shqipëria vuan për një menaxhim të mirë të burimeve të saj ujore. Sa burime kemi sot, të destinuara për të furnizuar me ujë popullsinë? Sa nga këto janë të ripërsëritshme? Pra sa do të kemi prej tyre në një periudhë 15 vjeçare ende të vlefshme? Sa prej tyre do të shtohen, apo pakësohen? Që këtej duhet të fillojë një menaxhim i integruar i burimeve ujore për të evidentuar problemet aktuale në furnizimin me ujë të popullsisë dhe ato të perspektivës së tij në Shqipëri”, thotë Enkelejda Gjinali.

Mospagesa e faturave

Realizimi i një menaxhimi të integruar dhe efikas vështirësohet edhe nga faktorë të tjerë: shoqatat e ujësjellës-kanalizimeve nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura nga pagesa e konsumatorëve për shërbimin e ofruar. Shifrat zyrtare flasin përt 70% të faturave të papagura, ndërkohë që vetëm në 44 % të familjeve në zonat urbane kanë vendosur matësa të ujit, gjë që pengon menaxhimin e mirë të furnizimit me ujë të popullsisë urbane. Një projekt i Bankës Botërore, në kuadër të partneritetit të saj me Shqipërinë, synon të ndryshojë këtë situatë. Projekti ka të bëjë me realizimin e një studimi pilot të titulluar “Të gatshëm të paguajmë”, i cili do të arrijë të studiojë cilësinë e shërbimit të ofruar nga shoqatat e ujësjellës–kanalizimeve dhe tarifat e pagesës së tij nga qytetarët.

Gjermania në krye të projekteve ndërkombëtare në sektorin e ujit

Deutschland Wirtschaft Banken KFW Geld für Lehman Brothers
Fotografi: AP

Përmirësimi i situatës në sektorin e furnizimit me ujë në zonat urbane mbështetet edhe në realizimin e projekteve, që Shqipëria realizon me vendet e BE dhe organizatat nderkombëtare. Në krye të tyre qëndron Gjemania përmes investimeve të Bankës gjermane, KfW. Ilustrimi më domethënës është investimi gjerman në qytetin e Pogradecit, ku prej vitesh ka ujë 24 orë dhe një sistem modern kanalizimesh të ujërave të zeza. Në fillim të këtij muaji qeveria e Tiranës nënshkroi një marrëveshje të re prej 66 milion eurosh me KfW për vazhdimin e investimeve në furnizimin me ujë të popullsisë në Shkodër, Dibër, Kukës, Korçë, Berat, Gjirokastër, Fier, Vlorë, Sarandë e Lezhë. Një marrëveshje tjetër më kompaninë gjermane “ KfW Frankfurt mbi Main” parashikon financimin me dy milionë euro të hartimit të masterplanit për furnizimin 24 orësh me ujë dhe rinovimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza në Shqipëri.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica