1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin kërkon që në sistemin antiraketor të SHBA-ve të përfshihet edhe NATO

Esat Ahmeti3 Korrik 2007

Presidenti amerikan Bush e përshendeti propozimin e Putinit duke e quajtur atë konstruktiv por paralajmëroi se nuk do të heq dorë, prej planit që ky sistem të ngrihet në Poloni dhe Çeki

https://p.dw.com/p/BCAg
Presidenti amerikan George W. Bush dhe presidenti rus Vladimir Putin në KennebunkportFotografi: AP

Në kuadër të mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sistemin mbrojtës antiraketor presidenti rus Vladimir Putin, propozoi që në këto plane të përfshihet edhe Aleanca Antalantikoveriore NATO. "Në këtë mënyrë mburoja raketore e planifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosej mbi baza të gjera çka do të ndikonte në shtensionimin e gjendjes," tha Putin në përfundim të takimit të djeshëm me presidentin amerikan Xhorxh Bush në Kenebankport.

'Sa u përket evropianëve ky është vendimi i tyre. Secili vend duhet të vendosë nëse do të marrë pjesë në këtë sistem apo jo' - tha Putin.

NATO Generalsekretär Jaap de Hoop Scheffer in Russland Putin
Vladimir Putin dhe Jaap de Hoop Scheffer në Moskë, 26 qershor 2007Fotografi: AP

Presidenti amerikan Bush e përshëndeti propozimin duke e quajtur atë konstruktiv por paralajmëroi se nuk do të heq dorë, prej planit që ky sistem të ngrihet në Poloni dhe Çeki.

'Presidenti Putin theksoi vizionin e tij: unë mendoj se ai është shumë i sinqertë, inovativ dhe strategjik. Por unë i thashë Vladimirit se besoj që Republika Çeke dhe Polonia duhet të jenë pjesë e këtij sistemi'.

Temë tjeter e bisedimeve Bush Putin ishte edhe Irani. Presidenti amerikan Bush në lidhje me këtë tha: 'Ne i kemi kushtuar shumë kohë në bisedime çështjes së Iranit. Unë jam shumë i shqetësuar prej përpjekjeve të udhëheqjes iraniane për të zhvilluar armë bërthamore'.

Në konferencën e shtypit që dhanë Putin dhe Bush pas takimit nuk u prekën as çështja e Kosovës dhe as lufta në Irak. Edhe para takimit ishte theksuar që nuk bëhet fjalë për ndonjë samit ku pritet të merren vendime, por për një takim privat.