Protestat e dhunshme e kanë katapultuar Serbinë drejt izolimit
22 Shkurt 2008Pas ekseseve kundër ambasadave të huaja në Beograd sot është kthyer sërish e përditshmja. Tribuna e mitingut të djeshëm është zhdukur përsëri. Vetëm copa xhamash, kazanë plehrash të djegur dhe dyqane të plaçkitura, jo vetëm perëndimore, dëshmojnë për ekseset.
Para ndërtesave të ambasadave në bulevardin e Knjaz Miloshit janë vendosur njësi speciale dhe shumë më tepër policë se në ditë e tjera. Por kjo shumëkujt i duket tepër e vonuar. Në momentin e duhur, kur u sulmuan ambasadat, policia nuk ishte prezente. Huliganët e kishin rrugën e lirë.
Prestigji ndërkombëtar i Serbisë është dëmtuar
Në komentin e tij të parë ministri i jashtëm Vuk Jeremic i mori në mbrojtje forcat e sigurisë."Policia ka reaguar shpejt, edhe pse ndoshta nuk është dukur kështu. Por po të marrësh parasysh njerëzit e panumërt në rrugë, nuk ka qenë e domosdoshme të siguroheshin vetëm ambasadat, por edhe i gjithë manifestimi me disa qindramijëra pjesëmarrës."
Në të njëjtën kohë politikani i kampit qeveritar properëndimor i dënoi ekseset. Ai deklaroi, se vandaluesit e pakët nuk përfaqësojnë ndjenjën kolektive të popullsisë serbe. Këtë e vertëtojnë edhe reagimet e qytetarëve të Beogradit në rrugë.
"E tmerrshme. Kjo është paradigma e asaj që na ndodh. Natyrisht që dëmton prestigjin tonë. Përse do të nga duartrokiste bota, për një gjë të cilën e dënojmë vetë këtu?"
I njohuri i tij flet për një sindromë të pashërueshme. "I jam lutur zotit, që i vdekuri në ambasadën amerikane të mos ishte qytetar amerikan. Sepse përndryshe ndoshta amerikanët do të na kishin bombarduar të pasnesërmen."
Edhe në gazetat serioze serbe dënohen pamjet e shëmtuara të ekseseve. "Kjo nuk është Serbia", titullohet një nga gazetat e mëdha. Një tjetër ankohet, që vetëm disa e kanë dëmtuar emrin e Serbisë, ndërsa qindramijëra kanë demonstruar në paqe kundër pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri serb Kostunica shprehu në një njoftim për shtyp keqardhjen për ekseset e djeshme, por bën përgjegjëse bashkësinë ndërkombëtare. Mediat serbe citojnë sot nga protokolli i një mbledhjeje të kabinetit. Kryeministri me tendencë nacionaliste duhet të ketë thënë tekstualisht: "Këto njerëz, huliganë siç i quani ju, kanë reaguar vetëm ndaj shkeljes të së drejtës ndërkombëtare."
Kjo akuzë i bëhet tani vetë Serbisë. Këshilli i Sigurimit dënoi ashpër sulmet ndaj ambasadave të huaja dhe kujtoi Serbinë, se ambasadat janë të pacënueshme. Edhe SHBA-të akuzuan udhëheqjen serbe dhe kritikuan masat e këqia të sigurisë. Protestuesit nuk i bëjnë mirë popullsisë serbe, përkundrazi. Ata jo vetëm kanë hedhur hije mbi manifestimin paqësor, por e kanë katapultuar Serbinë pak më tej në izolim.