1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta sociale edhe në periferi të Izraelit

14 Gusht 2011

Ishte kjo fundjava e katërt që dhjetëra mijëra izraelitë protestuan duke kërkuar ruajtjen e shtetit social. Javën e kaluar protestuan në Tel Aviv 250 000 vetë, ndërsa kësaj here protesta pati në 15 qytete më të vogla.

https://p.dw.com/p/12GLk
Protesta edhe në periferi.
Protesta edhe në periferi.Fotografi: picture alliance / dpa

Në Be'er Sheva kanë dalë në protesta beduinët. Ata janë arabë izraelitë, që mendojnë se janë mashtruar prej shtetit të tyre izraelit. Një burrë i moshuar 70 vjeçar, mbanë në duar një pankartë të shkruar vetë: "Jo racizmit", shkruan ai. Pra as këtu më nuk është fjala vetëm për qiratë e larta apo çmimin e qumshtit - protestat tani kanë edhe ngjyrime politike.

Protesta në Telv Aviv.
Në Tel Aviv u mbajt protesta më e madhe në historinë e Izraelit.Fotografi: picture alliance / dpa

"Kërkojmë barazi sociale", thërrasin disa të rinj. Lëvizja për barazi sociale ka mbërritur tani pjesët në periferi të vendit. I tillë është edhe ky qytet, thotë Judith:

“Be'er Sheva është periferi. Ka lidhje të këqija komunikacioni dhe vetëm një hekurudhë të vjetër. Treni deri në Tel Aviv një orë e gjysëm, një herë madje duhet të ndërrojë shinat. Ngjashëm sikur në shekullin e 19-të. Qeveria nuk ka investuar asgjë, për të bërë edhe këtë qytet një lloj qendre.“

Njerëzit zbulojnë vetveten

Judith është 60 vjeçare, me origjinë nga Omeri, një pjesë e qytetit me vila dhe me standartin më të lartë në Izrael. Ajo flet shpejt dhe me gjeste të shumta, sikur të ketë zbuluar për herë të parë zërin e vet, pas një kohe të gjatë. Të shtunën e kaluar (6.8.) Judith ishte në Tel Aviv. Këtë javë protestat u mbajtën në qytetet e periferisë. Nga qendra njerëzit shkuan me vetura dhe autobuzë në shkretëtira. Kështu ka bërë edhe Asafi, me shpjegimin se: „Mendoj që kjo është protestë e gjithë popullit. Javën e kaluar ka pasur një protestë madhështore në Tel Aviv, por është me rëndësi që edhe periferia të thotë se çfarë mendon. Këtu kam ardhur me rreth 50 shokë.“

Frika nga qeveria

Pamje nga protestat.
Protestat do të vazhdojnë.Fotografi: dapd

Sharona ka marrë pjesë në shumë protesta. Studentja nga Tel Avivi në fillim duket pak e zhgënjyer. Ka shpresuar se në këtë protestë do të ketë më shumë njerëz.

„Duket se qeveria po hedh baltë mbi protestat dhe kjo më shkakton më shumë frikë. E di që njerëzit e mbështesin këtë luftë. Por problemi kryesor është se si na trajton qeveria", pohon ajo.

Megjithatë, në gjithë Izraelin kanë protestuar me dhjetëra mijëra njerëz. Protesta ka pasur edhe në Haifa, Afula, Eilat dhe Netanjah, ku u mbajtën fjalime dhe koncerte. Në këto protesta Beni dhe Yarivi, po bëjnë një video muzikor.

„Është kjo një këngë për zgjuarjen e popullit, më shumë transparencë dhe përgjegjësi. Populli më nuk i beson askujt, as firmave të celularëve, as bankave dhe as qeverisë. Ne duam më shumë mirëbesim tek ne“, thotë Beni.

Gjatë protestave duket se populli nuk do të ndërpresë aq shpejt shprehjen e pakënaqësisë.

Autor: Torsten Teichmann/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama