1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekti botëror “Shkolla e të ardhmes” ka mbritur edhe në Shqipëri

31 Dhjetor 2009

Gjimnazi ”Qemal Stafa” në Tiranë është njëra nga 20 shkollat e mesme të përgjithshme, në nivel kombëtar, të përzgjedhura për të marrë pjesë në këtë projekt. Po çfarë synon projekti “Shkolla e së ardhmes"?

https://p.dw.com/p/LHnk
Në foto pjesëmarrës të projektit me koordinatoren Entela Kasi
Në foto pjesëmarrës të projektit me koordinatoren Entela KasiFotografi: DW/Ruci

Projekti global “Shkolla të së ardhmes” vjen nga Zyra Ndërkombëtare e Microsoft-it. Ai synon krijimin e kushteve të tilla në shkollat e mesme publike në nivel botëror që të frymëzojnë nxënësit të shfaqin talentet e fshehura dhe plotësisht potencialet e tyre shkencore dhe artistike. Në gjimnazin ”Qemal Stafa“ në Tiranë pjesëmarrës në këtë projekt janë një grup vajzash dhe djemsh 15 vjeçarë, nxënës në vitet e dyta.

Thyerje e skemës tradicionale, ide inovative për një shoqëri më të përparuar

Entela Kasi, mësuese e gjuhës angleze dhe koordinatore e projektit thotë se projekti ka shumë aktorë. Në krye të tyre janë nxënësit të ndjekur nga stafi pedagogjik. Më pas vijnë prindërit, komuniteti, institucionet shtetërore, organizata jofitmprurëse deri tek trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, gjë që nuk ndodh në modelin tradicional të shkollave të mesme publike. Projekti filloi të marrë jetë kur nxënësit treguan sesi e duan ata shkollën e tyre, shkollën e së ardhmes.

Koordinatorja e projektit, Entela Kasi
Koordinatorja e projektit, Entela KasiFotografi: DW/Ruci

“Idetë e shprehura nga shumica e nxënësve pjesëmarrës në projekt u konsideruan ide bazë, ide qendrore. Secili nxënës shprehu më pas mendimin sesi këto ide mund të aplikohen në praktikë në “Shkollën e së ardhmes.” thotë Entela Kasi.

Përfytyrime për "Shkollën e së ardhmes"

Një shkollë jo në buzë të rrugës ku kalojnë automjete siç është sot gjimnazi i tyre, klasa jo me 40 nxënës, jo mësues që japin lëndën e tyre por mësues që edukojnë mendjen e tyre, që bëhen bashkëpunues me nxënësit, tregon Entela Kasi, përfytyrimin e 15 vjeçareve për shkollën që ata duan..

“Ide tjetër qendrore, e shprehur nga nxënësit është ndryshimi i kurrikulave dhe pajisja e shkollës me laboratorë për të gjitha lëndët. Sot nuk mund të përdorësh vetëm tabelën e zezë dhe shkumësin, si mjete pune. Nxënësit duan video projektorë, duan të shkëmbejnë të dhëna për lëndët e ndryshme, duan një web site që të jetë enkas për gjimnazin e tyre ”Qemal Stafa”, me data base të saj. Nxënësit kërkojnë që në këtë web site të gjejnë informacion për notat dhe vlerësimin e tyre nga mësuesit, një website që të jetë i lidhur edhe me prindërit, komunitetin.”thotë ajo.

Një shkollë që zbulon talentet dhe i kultivon ato

Krijimi i kushteve për të zbuluar dhe kultivuar talentet është një përmasë tjetër e përfytyrimit të nxënësve për “ Shkollën e të ardhmes.” Esta ëndërron të bëhet aktore dhe do që shkolla e së ardhmes të ketë lëndën e dramës, Jurges do të bëhet futbollist dhe kërkon më shumë orë sportive, Kristiani mjek më shumë biologji dhe kimi. Joana ka pasion pikturën dhe do të bëhet arkitekte. Çfarë është “Shkolla e së ardhmes” për Johanën?

Foto simbolike
Foto simbolikeFotografi: ullstein bild - Wodicka

“Ajo është vendi ideal për të mësuar, qëndruar, u edukuar. Shkolla e së ardhmes nxjerr në pah talentet ,rrit brezat që do ta çojnë shoqërinë përpara prandaj ky projekt është shumë i rëndësishëm”, thotë Johana.

Xhuliana Buçpapa kërkon një shkollë që asaj t'i kultivojë shprehjen e lirë të mendimit.

“Gjithshka që unë dua është të shpreh sa më lirshëm dhe qartë mendimet e mia. Ëndrra ime është të bëhem mjeke, kirurge e madhe.. ajo që dua nga shkolla është të më hapë horizontin e mendjes”, thotë Xhuljana Buçpapa.

Qytetarë të botës globale

Në fund të vitit 2010 nxënësit e viti të dytë të Gjimanazit “ Qemal Stafa” të përfshirë në projektin” Shkolla e së ardhmes” do të marrin pjesë në një konkurs rajonal me moshatarët e tyre të përfshirë në të njëjtin projekt. Nëse fitojnë do të marrin pjesë në konkursin në nivel europian, që pritet të zhvillohet në Berlin. Dhe që këtej, nëse përsëri shpallen fitues, u hapet rruga drejt konkursit botëror të “ Shkollat e së së ardhmes” qe do të zhvillohet në Afrikën e Jugut, në Johanesburg. Kjo rrugë e gjatë i përgatit ata për të zenë vendin e tyre në botën globale.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti