1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt pilot për "procesin e rank-imit" të universiteteve në Shqipëri

15 Korrik 2011

Bisedë me Gero Federkeil, ekspert i kompanisë gjermane CHE, e njohur për asistencën dhe ekspertizën e saj jo vetëm në Gjermani, por edhe në botë.

https://p.dw.com/p/11w1n
Gero Federkeil, ekspert i kompanisë gjermane CHE
Gero Federkeil, ekspert i kompanisë gjermane CHEFotografi: DW

DW: Zoti Federkeil, si ka nisur bashkëpunimi juaj me autoritetet arsimore në Shqipëri?

Gero Federkeil: Në fillim të vitit 2010 ne jemi kontaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë për të mbështetur procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë shqiptar. Me përvojën shumëvjecare, që kemi brenda dhe jashtë Gjermanisë në këtë drejtim, ne ishim kompania përzgjedhëse në programin “Cilësi dhe barazim në arsim”, që është mbështetur nga shumë aktorë, si Banka Botërore, Banka Europiane për Investime, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe qeveria shqiptare. Ne nisëm pranverën e vitit të kaluar një projekt pilot, për të cilin shprehen me kënaqësi se i arriti objektivat.

DW: Ky është angazhimi juaj i parë në rajonin e Ballkanit?

Gero Federkeil: Me procesin e renditjes së universiteteve po, është hera e parë, që angazhohemi në rajon. Por sa i takon çështjeve të arsimit të lartë kemi patur projekte më parë dhe në Mal të Zi e Maqedoni.

DW: Cili ka qënë objektivi juaj për më shumë se një vit këtu në Shqipëri, zoti Federkeil?

Gero Federkeil: Ne si CHE kemi zhvilluar fillimisht në një periudhë rreth 4 – 5 muaj konceptin e sistemit të ri të renditjes së universiteteve. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me partnerin tone shqiptar, që është Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, APAAL. Kemi përcaktuar treguesit, mbi të cilët bëhet vlerësimi, kemi zhvilluar Workshop-e me grupet e punës, me përfaqësuesit e universiteteve dhe më pas këto kanë qënë një bazë e mirë të dhënash për krijimin e pyetësorëve për të mbledhur të informacion dhe dokumentacion për secilin institucion pjesömarrës. Së bashku me ekspertët e APAAL-it kemi bërë vlerësimin, verifikimin dhe gjykimin mbi bazën e të dhënave, që kemi patur në dispozicion. Natyrshëm kalkulimi na nxori tek renditja e universiteteve shqiptare sipas performancës, burimeve, treguesve të aktivitetit kërkimor shkencor etj. APAAL e njeh mjaft mirë realitetin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për çdo fazë të procesit të renditjes. Kini parasysh objektivin thelbësor të renditjes universitare të një shteti. Nga i gjithë procesi i vlerësimeve dhe kalkulimeve në një tërësi aspektesh nga jeta dhe aktiviteti i universiteteve pjesömarrëse përfitimi i parë shkon për vetë universitetet. Pasi ato përballen me realitetin e konkurencës në treg, në raport me të tjerët. Por nga ana tjetër krijohet një informacion dhe perceptim shumë i dobishëm për publikun e interesuar. Me koshiencë të rinjtë dhe prindërit e tyre zgjedhin se ku do ti ndjekin studimet në këtë apo atë degë, në këtë apo atë universitet.

DW: Sa universitete ishin në fokusin e këtij procesi pilot renditjeje?

Gero Federkeil: Ishin 34, prej të cilave 7 ishin nga sektori publik dhe pjesa tjetër nga sektori privat, me të cilat kemi patur një bashkëpunim shumë të frytshëm me synimin për të bërë një vlerësim sa më të mbështetur tek tregues realë të secilit prej universiteteve pjesömarrëse.

DW: Duhet thënë se ka patur dhe ka ende mendime të ndryshme në qarqet universitare shqiptare mbi rradhën e punës të dy proceseve, të të renditjes së universiteteve dhe të akreditimit të tyre. Disa mendojnë se duhet bërë fillimisht akreditimi dhe pastaj renditja, ndërkohë që të tjerë e mendojnë ndryshe rradhën e punës. Ju zoti Federkeil, si mendoni?

Gero Federkeil: Të dy instrumentet janë të rëndësishëm, por ama janë të ndryshëm. Akreditimi përcakton minimumin e standarteve cilësore, që duhet të ketë një universitet. Kurse renditja ka për qëllim që të listojë nga më të mirët deri në ato që kanë parametra të ndryshëm me të tjerët. Në një mënyrë, renditja është më tepër e sofistikuar se sa akreditimi. Sa i takon rradhës së punës, shikoni, kjo mund të nisë dhe paralel mendoj. Po të kemi parasysh eksperiencën gjermane, apo dhe vendeve të tjera të botës mund të aplikosh formula të ndryshme. Këtu tek ju procesi i akreditimit me sa di ka nisur së fundmi dhe e rëndësishme është që në përcaktimin e renditjes universitetet kanë qënë të akredituara.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica